Lajme

Optimizëm për hapjen e negociatave me Shkupin dhe Tiranën

Portugalia si kryesuese e Bashkimit Evropian dh

Portugalia si kryesuese e Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian ende shpreson që hapja zyrtare e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të bëhet deri në qershor.

Sekretarja e shtetit të Portugalisë për çështjet europiane, Ana Paula Zacarias, shpjegoi se të mërkurën, gjatë Këshillit për çështje të përgjithshme, ministrat kishin diskutuar për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, si dhe në përgjithësi për zgjerimin.

“Ne e kemi diskutuar procesin për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nga shtetet anëtare, mund t’ju them, se të gjithë duan që të shohin avancim dhe presidenca ka komunikuar me shtetet kandidatet dhe shtetet anëtare me mbështetjen e Komisionit Europian dhe veçanërisht komisionerit Varhelyi. Ne kemi diskutuar gjithashtu me autoritetet e Bullgarisë. Siç e dini, ka patur një proces zgjedhor në Bullgari, që është zhvilluar së fundmi. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët për të parë, nëse mund të arrijmë rezultatin e dëshirueshëm lidhur me mbajtjen e konferencave të para të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë gjatë presidencës tonë”, tha Paula, njofton Insajderi.

Edhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviç, shtoi se në këtë institucion po bëhet gjithçka që është e mundur për të miratuar Kornizën Negociuese për Maqedoninë e Veriut që deri në fund të presidencës portugeze më 30 qershor edhe të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria i kanë tensionuar raportet për shkak të kontesteve historike.

Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Tito. /Insajderi.com