Lajme

Numrat e telefonave të dy princeshave të Dubait në listën e përgjimeve me Pegasus

Numrat e telefonit të përdorur nga dy princesha

Numrat e telefonit të përdorur nga dy princeshat e Dubait thuhet se janë gjetur si pjesë e një hetimi në spiunet e hakerimit të telefonit të njohur si ‘Pegasus’, transmeton Insajderi.

Princesha Latifa është vajza e sundimtarit të Dubait, ndërsa Princesha Haya Bint al-Hussain është ish-gruaja e tij.

Në mes të shkurtit, BBC Panorama transmetoi një video sekrete nga Princesha Latifa në të cilën ajo tha se po mbahej si peng dhe kishte frikë për jetën e saj.

Ndërkohë Princesha Haya iku nga Dubai në vitin 2019 duke thënë se kishte frikë për jetën e saj.

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mohuar të dy pretendimet e grave.

Numrat e tyre janë me sa duket në një listë me rreth 50 mijë numra të telefonit të njerëzve që besohet se janë me interes për klientët e firmës me bazë në Izrael, “NSO Group”, e cila e ka zhvilluar softuerin për spiunim, Pegasus.

Lista u zbulua në mediat kryesore.

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, “Amnesty International”, ka lëshuar një deklaratë duke pretenduar se këto gjetje e përfshijnë kompaninë “NSO Group” në katalogun e shkeljeve të të drejtave të njeriut në rastin e dy princeshave.

Sidoqoftë, kompania izraelite ka thënë se nuk ka bërë asgjë të gabuar dhe se softueri i saj përdoret kundër kriminelëve dhe terroristëve si dhe në të kanë qasje vetëm agjencitë ushtarake, inteligjenca dhe forcat e sundimit të ligjit./Insajderi.com