Opinione

Nuk shkon Çe Guevara në Shqipëri, Albin!

577-vjetori i Beslidhjes së Lezhës, pastaj lule

577-vjetori i Beslidhjes së Lezhës, pastaj lule te Çerçiz Topulli e ndonjë anabas tjetër i ngjashëm, që nuk pata kohë ta vë re, shoqëruan vizitën e Albin Kurtit në Shqipëri. Në një plan të përgjithshëm, mund ta cilësosh një shaka pa kripë, gjithë këtë punë. Po po të duash t’i vësh ndonjë vello historie vizitës, nuk ka pse të gërmosh shumë, për analogjira në kohë…

Në planin praktik, ajo duket një imitim i anabasit të Çe Guevarës, dikur. Që la Kubën dhe u hodh përtej saj, për të përhapur revolucionin botëror. A ka vlerë një plan i ngjashëm, në Shqipëri? Ligjet e natyrës të thonë thjesht, se depërtimi nga një objekt a një vend në tjetrin, është produkt i niveleve energjitike. Ato rrjedhin nga lart poshtë, por jo anasjelltas.

Që Kosova, nga lufta e këtej ka kopjuar në mënyrë të shëmtuar Shqipërinë, në shumë gjëra të këqija e jo të mira, kjo nuk ka ndonjë dyshim të madh. Ai që kalon kufirin shtetëror, shikon se në njëzet kilometrat e para pas tij, të duket sikur është në një nga vendet e BE-së. Fushat rrotull autostradës e ndërtimet me rregull, produkt për shaka të fatit, i kohës së dikurshme, janë shembull i mirë ilustrues. Po sapo i afrohesh Prishtinës, në njëzet a tridhjetë kilometrat e fundit, vë re atë kaosin e madh, që Shqipëria, e krijoi vetes pas 1990-ës. Mjerim i madh, kaos ndërtimesh, thuajse asnjë pemë gjëkundi, mbjellë në këto njëzetë vjet, fusha buke të zëna nga ky kaos, shoqërojnë kudo Kosovën dhe çfarë është më e çuditshmja, shtohen pafundësisht, kur i afrohesh Prishtinës.

Një shaka e rëndë, që Rama, tentoi ta frenojë në Shqipëri, por Kosova akoma jo. Është parimi i thjeshtë i Fushesë së Napolonit, që shpjegon atë me përhapjen e valës nga qendra në provincë. Apo ndryshe, parim i niveleve energjitike që, për dreq këtu janë të ilustruara me shembull të keq. Kur ajo që ka ikur si modë në qendër, bëhet e tillë në provincë. Ëshë detyrë e Kurtit që të bëjë të njëjtën gjë, si Rama. Me hir a me pahir. Dhe besoj se, po të ketë sukses në këtë punë, do të ishte shumë më i madh se ai i anabasit përtej kufirit. Ku edhe nëse nuk ka asnjë shembull për të marrë, ca më tepër, s’ka edhe më të voglin, për të dhënë.

Shembulli i dhënë qoftë edhe me ndërtimet pa fre, që siç i zunë frymën Tiranës dhe Shqipërisë, i kanë zënë frymën Prishtinës dhe gjithë Kosovës, pasqyron në një farë mënyre, atë që fola me nivelet energjitikë. Po është shembulli më i vogël… Kosova që është me resurse tmerrësisht më të kufizuara se të Shqipërisë dhe akoma nën një peshë e trysni ndërkombëtare shumë herë më të madhe se ajo, e ka dhjetëfish më të rëndë detyrën për të përparuar.

Albinit, nuk i duhet gjëkundi modeli i Çe Guevarës. Kur Çe Guevara iku nga Kuba, për të dhënë modelin e saj, kishte megjithatë, një lloj ekperience që duhej ta transplatonte diku tjetër. Po Albini, çfarë kërkon të transplatojë?

Nuk do ndonjë mendje të madhe, për të dalë në konkluzionin e thjeshtë se, Çe Guevara ka vdekur dhe modeli i tij, nuk i hyn në punë njeriu. Si intelektual i klasit të parë, Albini duhet ta dijë këtë, apo të reflektojë të paktën, nja pesë minuta në qetësi…

Mos po e ngremë dorën e akuzës, më shumë sesa duhet? Çe Guevara kërkonte trasplatimin e ideve të tij, me revolucion. Albini, nuk kërkon këtë gjë. Po nga sa u tha më lart, duhet të shpjegojë se çfarë kërkon të trasplatojë në një vend që, megjithë varfërinë dhe shtypjen e kohës së komunizmit, ka pasur kohën e mjaftueshme që t’i këndojë në gjuhën amtare, ata që kanë shpënë kombet përpara, realisht, me idetë e tyre…

E pastaj, besoj që atij atje dhe atyre këtu, do t’u mjaftonte një model në pamje më i vogël, po shumë më i ndritshëm se i Çe Guevarës. Është ai i Arbën Xhaferrit. Rilindasi madh i fundit i Shqipërisë, ka folur për Komunuelthin ekonomik mbarëshqiptar. Albini, duket e përmendi këtë. Kur foli për një politikë të përbashkët mbrojteje, energjitike, apo të tjera. Besoj, kaq do t’i bënte nder. Po që të mos mbetesh në kuadrin e fjalëve, vlente që në qetësi, t’i bënte më të qarta idetë e tij, në mos tani, pak më vonë, kur të jepte shembullin praktik, sesi do qeverisej Kosova.

Dhe ca më shumë, pa zhurmë e duke u konsultuar si bashkëqeverisës i një pjese të vendit amë. Kjo do të ishte shumë më tepër, sesa shakara të tipit të Çe Guevarës, që e kaloi kohën me pushkë krahut në ca kohëra që kanë ikur, apo janë shumë largëta për botën e për ne.

Shakaja, për të ripërtëritur në një formë a në tjetër, me pushkë, apo pa pushkë iluzionet e Çe Guevarës, vetëm se dëmtojnë, jo individin Kurti, por vetë vendin amë. Apo, të paktën shtojnë kaosin këtej dhe andej, që edhe pa këtë anabas të tijin për të ngjallur Çe Guevarën, në një formë a në një tjetër, është ca më i madh sesa duhet./