Lajme

Një muaj paraburgim pasi rrahu gruan dhe vajzat e tij

Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar masë

Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit me inicialet A.H., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe dy vajzave të tij, njofton Insajderi.

Sipas njoftimit të gjykatës, ngjarja ka ndodhur më 20 korrik 2021.

A.H. dyshohet për veprat penale “lëndim i lehtë trupor” dhe “dhunë në familje”.

“Me datë 20 korrik, në orët e mëngjesit në Prizren, në shtëpinë e tij familjare me dashje përdor forcën ndaj të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, në atë mënyrë që pas disa mosmarrëveshjeve paraprake bashkëshortore, i pandehuri e pështynë në fytyrë duke i thënë fjalët ‘pse nuk po lajmërohesh me kohë’ dhe në ato momente e kapë viktimën dhunshëm dhe e rrëzon për toke, dhe duke e mbajtur e godet me grushte në pjesën e kokës dhe të qafës, si dhe e tërheqë për flokësh, kështu duke i shkaktuar lëndim të lehtë trupor”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

“Gjithashtu i pandehur A.H., me dashje kryen dhunën dhe keqtrajtimin fizik e psikologjik ndaj të dëmtuarve – vajzave të tij, ashtu që të njëjtat shohin babanë e tyre duke ushtruar dhunë fizike ndaj nënës, të dëmtuarat fillojnë të qajnë dhe në ato momente i pandehuri i sulmon të njëjtat duke i goditur me shuplaka fytyrës, me ç’ rast tek të dëmtuarat shkakton frikë, stres psikologjik, ankth dhe pasiguri”.

Gjykata e ka parë të domosdoshme masën e paraburgimit të tij për shkak se siç thotë ajo, ekziston rreziku që i pandehuri ka shprehur këmbëngulësi “që me çdo kusht ta përfundojë veprën e filluar”./Insajderi.com