Lajme

Një muaj paraburgim ndaj 11 të arrestuarve në rastin “Subvencioni 2021”

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji 11 të arrestuarve në rastin “Subvencioni 2021”, njofton Insajderi.

Në dokumentin e siguruar nga Gazeta Online Insajderi, thuhet se “ndaj të pandehurve janë zbatuar masa të fshehta teknike të vëzhgimit dhe hetimit”.

Tutje në dokument thuhet se të pandehurit “janë vëzhguar në lokacione të ndryshme, duke u incizuar në vende të ndryshme me audio dhe video dhe të njëjtit janë fotografuar si dhe janë përgjuar të gjitha mjetet e telekomunikimeve dhe janë monitoruar bisedat në vende të ndryshme”.

Të mërkurën nën dyshimin për “Marrje ryshfeti” lidhur me subvencionet në bujqësi janë arrestuar 11 persona, ndërsa edhe gjatë së enjtes janë arrestuar edhe nëntë persona të tjerë, por nën dyshimin për dhënie të ryshfetit për t’i marrë subvencionet nga Ministria e Bujqësisë.

Nga bastisja e realizuar më 24 shkurt 2021, në komunën e Prishtinës, të Podujevës, të Gjilanit, të Istogut e të Lipjanit, me aktvendim të prokurorit të Shtetit, janë ndaluar personat me inicialet S.Sh., L.S., S.S., H.M., B.N., K.Z., A.U., D.A., P.K., Sh.K., K.B-S., ndërsa personi me inicialet A.N. vetëm është shoqëruar në stacionin policor dhe është liruar në procedurë të rregullt. /Insajderi.com