Opinione

Një erë tjetër

Nga Leonard Demi

Më 1 janar, Franca mori

Nga Leonard Demi

Më 1 janar, Franca mori presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. Për gjashtë muaj do të kryesojë Këshillin e BE-së dhe do të jetë forca lëvizëse e tij.

Në këtë shkrim do të përpiqem të shtjelloj përpjekjet e Francës për të ndryshuar Bashkimin Evropian nga një Evropë e bashkëpunimit të brendshëm në një Evropë të fuqishme aktive në botë, plotësisht sovrane, e lirë në zgjedhjet e saj dhe zot i fatit të vet, në një kohë, kur Blloku përballet me një krizë imediate: Rusia po rreshton me dhjetëra mijëra trupa dhe kapacitete luftarake në kufirin e Ukrainës dhe pandemia refuzon të zbehet, e cila rëndon edhe më sfidat e mëdha të kohës sonë, si: mbrojtja dhe siguria, emigrimet e mëdha, zhvillimi, ndryshimet klimaterike, revolucioni dixhital, rregullimi i ekonomisë të globalizuar etj.

Në fjalimin përshëndetës të Vitit të Ri, Presidenti Makron (Macron) u zotua se do ta kthente këtë përgjegjësi, që vjen vetëm një herë në 13 vjet, në një periudhë përparimi: një periudhë përparimi për kontrollin e kufijve evropianë, mbrojtjen evropiane, tranzicionin klimaterik, barazinë midis grave dhe burrave, ndërtimin e një aleance të re me kontinentin afrikan dhe vendet fqinje, mbikëqyrjen e platformave kryesore të internetit dhe kulturën në Evropë”. Presidenti i Francës i mbetet besnik gjeniut të vendit të vet, i cili ka qenë gjithmonë truri shpikës i makinës së Brukselit.

Por, nëse gjatë viteve që lamë pas, Kancelarja Merkel ishte gjithmonë e rezervuar ndaj skemave madhështore të Makronit për një Evropë të fuqishme, të mbështetur nga kapacitete ushtarake dhe teknologjike realisht evropiane, Kancelari i ri i Gjermanisë, Scholz (Sholc), është më i hapur dhe më mbështetës ndaj mendimit francez, ndoshta më shumë se në vitet e fundit të Kancelares Merkel ose se në çdo periudhë pas Luftës së Ftohtë. “Ne duam të riforcojmë Evropën, të punojmë së bashku për sovranitetin evropian”, tha ai kur vizitoi Parisin, duke përdorur një gjuhë që kënaqi Pallatin Elize.

ROLI I FRANCËS

Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian (PFBE) i jep mundësinë Francës të përcaktojë axhendën politike të BE-së, të shtrojë çështje, madje, edhe të hapë kantiere. Ky është një privilegj, sidomos, i Francës sepse ajo është në gjendje të kombinojë dy asete themelore: përvojën e gjatë në institucionet e Brukselit, si dhe një numër të madh diplomatësh dhe shërbimesh diplomatike të trajnuar mirë për këtë veprimtari.

Franca, si vend themelues i BE-së, me një Ministri të Punëve të Jashtme, që ka menaxhuar çështjet e komunitetit evropian për më shumë se gjashtëdhjetë vjet, si pak vende ndërmjet 27 anëtarëve, i ka të gjitha mjetet për të lëvizur çdo veprimtari të BE-së. Vetëm në tre muajt e parë të vitit të ri, Franca ka planifikuar 400 takime të BE-së në Francë.

Franca nuk do të jetë presidente e Evropës, por, për gjashtë muaj, do të jetë motori i saj. Si organizatorja e punës së Këshillit të Ministrave, ajo do t’u japë shtysë dosjeve, që ka zgjedhur të vendosë në rendin e ditës. Kontrolli i axhendës është një aset i vërtetë, sepse vendi që vendos se çfarë do të debatohet dhe në çfarë kushtesh, ka ndikim të madh. Presidenca është gjithashtu garantuesi i unitetit të këtij institucioni dhe, mbi të gjitha, roli i saj do të jetë gjetja e kompromiseve ndërmjet shteteve anëtare. Gjatë këtij gjashtëmujori, Franca nuk do të përfaqësojë interesin e vendit të vet, por interesin e përgjithshëm evropian.

Për të miratuar ligjet e propozuara nga Komisioni Evropian, presidenca franceze do të dëgjojë, do të bashkojë dhe do të gjejë kompromise midis qëndrimeve, që ndonjëherë janë shumë antagoniste. Është i njohur fakti që shtetet anëtare manovrojnë gjithmonë për të miratuar ligjet sepse asnjë projektligj nuk mund të hyjë në fuqi në nivel evropian pa miratimin e Parlamentit dhe Këshillit të BE-së dhe këtu Presidenti Makron do të dëshironte të vishte këpucët e Kancelares gjermane. Ajo merrte parasysh interesat e shumë vendeve, veçanërisht të Evropës Qendrore, por edhe të Italisë, në mënyrë që t’i bënte të gjithë bashkë. Merkel veproi si ndërmjetëse kur kishte shumë forca centrifugale, që dobësonin Evropën. A do të mund Makron apo Kancelari i ri gjerman, të jenë aq ndikues sa zonja Merkel, e cila menaxhoi qetësisht kompromisin dhe arriti konsensus me një mori kolegësh më të zhurmshëm dhe më ideologjikë? Por, siç e theksoi marrëveshja anglo-amerikane për nëndetëset australiane, zoti Makron, ndonjëherë, ka ambicie përtej mundësive të veta.

ROLI I MINISTRAVE TË QEVERISË FRANCEZE

Këshilli i Ministrave të BE-së mblidhet në 10 formate të ndryshëm: bujqësia dhe peshkimi; konkurrenca; drejtësia dhe punët e brendshme; punësimi, politikat sociale, shëndetësia dhe konsumatorët; transporti, telekomunikacioni dhe energjia; mjedisi; punët e përgjithshme; punët e jashtme; çështjet ekonomike dhe financiare; si dhe arsimi.

Çdo ministër i qeverisë franceze do të kryesojë Këshillin e Ministrave në fushën e vet të kompetencës, duke përmbajtur tundimin për të ndikuar te homologët e vet. Me fjalë të tjera, ministrat francezë do të kryesojnë të gjitha mbledhjet e Këshillit, përveç atyre të Punëve të Jashtme dhe të Eurogrupit, që drejtohen nga një president i përhershëm i emëruar nga Komisioni Evropian, konkretisht, nga Josep Borell dhe Paschal Donohoe.

Evoluimi i pandemisë mund të shkatërrojë shumë nga programi i PFUE-së, por Parisi ka marrë në shqyrtim tre skenarë: aktual, i degraduar dhe i stresuar. Skenari i ‘i degraduar’ do të çonte në më shumë takime me videokonferencë, ndërsa skenari ‘i stresuar’ parashikon anulimin e të gjitha takimeve fizike dhe, pa dyshim, që do të rrezikonte çështjet prioritare të PFUE-së.

Gjashtë muaj është një periudhë shumë e shkurtër për të çuar përpara prioritetet e presidencës dhe shumë rrallë qëllon që të hapet dhe të mbyllet një dosje gjatë presidencës së një vendi të vetëm. Kohëzgjatja e negocimit të një dosjeje në nivel evropian është mesatarisht dy vjet. Për të siguruar vazhdimësinë, vendi që mban presidencën duhet të koordinohet ngushtë me dy shtetet që do të marrin presidencën pas tij. Franca do të koordinojë veprimtarinë e vet me Republikën Çeke dhe Suedinë.

MOTOJA E PFUE-SË: RINGRITJE, PUSHTET, PËRKATËSI

Ringritje dhe fuqizim ekonomik për t’i mundësuar Evropës të realizojë me sukses tranzicionin ekologjik dhe dixhital; Pushtet për të mbrojtur dhe promovuar vlerat dhe interesat evropiane; Përkatësi për të ndërtuar dhe zhvilluar perspektivën e përbashkët evropiane përmes kulturës, vlerave dhe historisë të përbashkët. Me këto parimeve të mëdha, presidenca franceze mbështetet në tri boshte kryesore: i. një Evropë sovrane, ii. një model i ri evropian i rritjes dhe iii. një Evropë ‘më njerëzore’.

NJË EVROPË SOVRANE

Një Evropë sovrane, para së gjithash, është një Evropë e aftë të kontrollojë kufijtë e vet. Kësisoj, PFBE kërkon të fillojë një reformë të zonës Shengen. Përmirësimin e funksionimit të kësaj zone do ta nisë me ngritjen e një ‘forumi politik’ e me takime të shpeshta të ministrave kompetentë. Po kështu, Franca do të mbështesë ngritjen e një ‘mekanizmi emergjent të mbështetjes të kufirit në rast krize’. Prioritet do të jetë ‘zbatimi’ i paktit evropian të migracionit, i cili synon reformimin e politikës të BE-së në këtë fushë.

PFBE synon një zonë të përbashkët kufijsh, azili dhe migrimi, për të kontrolluar me efektivitet kufijtë e BE-së, për të pritur refugjatët me dinjitet, për t’i integruar me të vërtetë dhe për të kthyer shpejt ata që nuk plotësojnë kërkesat për azil. Për këtë arsye, Franca kërkon të ngrejë një Zyrë Evropiane për Azilin, e cila të përshpejtojë dhe të harmonizojë procedurat evropiane, të vendosë skedarë të ndërlidhur dhe të sigurojë dokumente identiteti biometrike. Gradualisht, të krijohet një polici kufitare evropiane, e cila të garantojë menaxhimin rigoroz të kufirit; të financojë një program të madh trajnimi dhe integrimi evropian për refugjatët.

MBROJTJA

Një Evropë më sovrane, për PFUE-në, është një Evropë e mbrojtjes, një Evropë që garanton sigurinë në të gjitha dimensionet e saj. Gjatë këtij mandati, PFBE do të përpiqet të hyjë në një fazë më operacionale, me një strategji të përbashkët dhe interesa evropiane të mirëpërcaktuara. Duke përshëndetur arritjet e fundit në këtë fushë, siç është krijimi i Fondit Evropian të Mbrojtjes, Presidenti Makron thekson se ka ardhur koha për të përcaktuar ‘sovranitetin strategjik evropian’.

‘Busulla strategjike’, libri i bardhë, që do të rinovojë orientimet e evropianëve për mbrojtjen dhe sigurinë për vitet e ardhshëm, për të nxitur stërvitjet e përbashkëta ushtarake evropiane dhe zhvillimin e një industrie të përbashkët të mbrojtjes, pritet të miratohet nga një samit sigurie në muajin mars.

Franca ka vite që përpiqet që Evropa të ketë një forcë të përbashkët ndërhyrjeje, një buxhet të përbashkët për mbrojtjen dhe një doktrinë të përbashkët për të vepruar. Presidenti Makron, pos Fondit Evropian të Mbrojtjes, bën thirrje të punojnë për të forcuar Bashkëpunimin e Strukturuar të Përhershëm (PESCO), i cili të shoqërohet me iniciativën evropiane për të ndërhyrë, që, sipas tij, do të mundësonte integrimin e forcave evropiane të armatosura në të gjitha etapat.

Presidenti francez kumton se nuk ka asnjë kontradiktë midis forcimit të Evropës dhe forcimit të NATO-s. Por, aty ku zoti Makron flet për ‘autonominë strategjike’ evropiane, Kancelari gjerman Sholc preferon ‘sovranitetin strategjik’. Dallimi nuk është i vogël. Gjermanët nuk duan autonomi strategjike nëse kjo do të thotë pavarësi nga Shtetet e Bashkuara. Gjermania, që për arsye historike është e lidhur ngushtë me Amerikën për problemet e sigurisë evropiane, është e kujdesshme ndaj çdo distancimi strategjik nga Uashingtoni.

Kjo pikëpamje mbështetet fort nga Polonia, Hungaria, Republika Çeke, Estonia, Letonia, Lituania, të cilat e shikojnë si një përpjekje për të dobësuar Aleancën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, veçanërisht, kur 100 000 trupa ruse janë grumbulluar në kufirin ukrainas. Po kështu, Italia dëshiron një evropë më të fortë, por në NATO dhe për këtë është më afër Gjermanisë sesa Francës.

E gjithë kjo e ndërlikon si kuptimin, ashtu edhe arritjen e çfarëdo lloi sovraniteti evropian. Nëse Franca dështon në busullën strategjike, atëherë cili shtet anëtar mund të ketë sukses më pas? Në luftën kundër terrorizmit, PFBE synon që Evropa të bashkojë kapacitetet e veta të inteligjencës për të krijuar një Akademi Evropiane të Inteligjencës. Po kështu, për të realizuar sigurinë evropiane në të gjitha përmasat e veta, PFUE parashikon të ngrejë edhe një forcë të përbashkët për mbrojtjen civile.

FQINJËSIA, NJË EVROPË ME VËSHTRIM NGA AFRIKA DHE MESDHEU

Një nga dimensionet e Evropës sovrane: “stabilitet dhe siguri te fqinjët tanë”. Nga ky këndvështrim, Presidenti Makron flet për një marrëdhënie “strukturore” midis Evropës dhe Afrikës, për të cilën, PEBE, më 17-18 shkurt, do të organizojë një samit me liderët e BE-së dhe të Bashkimit Afrikan për një të ardhme për rininë afrikane dhe t’u japin fund tragjedive njerëzore në Detin Mesdhe. Po kështu, Samiti do të rritë shkëmbimet universitare, shkencore dhe artistike ndërmjet shoqërive civile dhe rinisë.

Pas këtij samiti, në qershor, PFBE do të organizojë një konferencë për Ballkanin Perëndimor, ku do të synojë luftën kundër ndikimeve të huaja (kryesisht, ruse dhe kineze), për të siguruar një ‘riangazhim’ të BE-së në rajon. “Ne nuk mund të ndërtojmë një Evropë paqeje për 50 vitet e ardhshme nëse e lëmë Ballkanin Perëndimor aty ku është sot, këtyre vendeve në zemër të Evropës duhet t’u rikthejmë perspektivat afatshkurtra”, vëren Presidenti Makron. 1.5 PFBE dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor Qëndrimi i Presidentit Makron për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më i qartë.

Në programin e PFBE, ai vlerëson se Ballkani Perëndimor është më shumë se fqinjësia e Evropës, sepse është “në zemër të Evropës”. Ai këmbëngul në përgjegjësinë e veçantë të Evropës ndaj Ballkanit Perëndimor dhe bën thirrje që BE-ja të ndjekë një politikë riangazhimi edhe investimi për të favorizuar integrimin e rajonit, por edhe të jenë syçelë kundër ndikimit dhe manipulimit për të destabilizuar Evropën përmes Ballkanit.

Ditët e fundit, Kryeministri i ri bullgar, Petkov, diplomuar në Harvard, ka dhënë sinjale pozitive se Bullgaria do të heqë veton ndaj Maqedonisë dhe le të shpresojmë se PFBE do të organizojë Konferencën e parë Ndërqeveritare për hapjen zyrtare të negociatat mes BE-së dhe Shqipërisë e Maqedonisë e Veriut, që do të ishte edhe suksesi i konference kushtuar rajonit tonë, që PFBE parashikon ta mbajë në qershor 2022.

NJË MODEL I RI EVROPIAN I RRITJES

Boshti i dytë kryesor i Presidencës franceze, i cili po ravijëzohet në kontinentin tonë muajt e fundit, është ndërtimi i një modeli të ri zhvillimi evropian për të përcaktuar Evropën e 2030-ës. Ambicia e Presidentit të Francës është të krijojë Evropën e inovacionit, prodhimit, krijimit të vendeve të punës me synim rritjen e konkurrencës ekonomike evropiane ndaj Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Kështu, ndër takimet më të rëndësishme të PFBE është samiti i jashtëzakonshëm evropian, që do të mbahet në Bruksel më 10 dhe 11 mars për të përcaktuar modelin e ri evropian të rritjes.

Për këtë, PFBE synon të promovojë “sovranitetin teknologjik” evropian, i cili nënkupton rregulla buxhetore të adaptura. Modeli i ri ekonomik i mbrojtur e bën Evropën një kampione në përpjekje për shëndoshjen mjedisore dhe në luftë kundër ndryshimeve klimaterike me synim që BE të bëhet neutrale ndaj ndryshimeve klimaterike deri në vitin 2050 (një nga pikat e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane). Sovraniteti teknologjik nuk është zyrtarisht në axhendën e Presidencës franceze, por nuk ka dyshim se Parisi do të vazhdojë propozimet dhe përpjekjet e veta për një autonomi strategjike industriale. Këtu bien në sy disa nisma, si: për hidrogjenin, bateritë, hapësira, gjysmëpërçuesit … projekte që synojnë të reduktojnë varësinë e Evropës nga bota e jashtme, veçanërisht nga Kina.

Ministri i Ekonomisë, Bruno le Maire, po i shtyn këto çështje bashkëpunimi, në radhë të parë me homologët e tij gjermanë, por edhe italianë dhe spanjollë. Në Bruksel, Thierry Breton, komisioneri për tregun e brendshëm, do të prezantojë në fillim të vitit një Akt Evropian të Çipave, një ligj për gjysmëpërçuesit, për të zhvilluar prodhimin dhe furnizimin e Evropës me këto çipa të çmuar elektronikë, kur kemi një mungese globale për to.

EVROPA, FUQI EKONOMIKE DHE MONETARE

PFBE kërkon ta kthejë zonën e euros në zemrën e fuqisë ekonomike të Evropës. Krahas reformave kombëtare, Franca mendon se zona euro duhet të pajiset me instrumentet, që do ta bëjnë atë një zonë rritjeje dhe stabiliteti, veçanërisht, me një buxhet që do të bëjë të mundur financimin e investimeve të përbashkëta dhe sigurimin e qëndrueshmërisë përballë goditjeve ekonomike.

PFBE synon të rishikojë rregullat buxhetore, kriteret e famshme të Mastrihtit, që rregullojnë deficitet evropiane, në mënyrë që të mund të financojë më shumë për investime dhe rritjen evropiane. Kësisoj, Franca do të përpiqet të vazhdojë zbatimin e rimëkëmbjes së përbashkët, veçanërisht nëpërmjet fondit të gjeneratës tjetër të BE-së prej 750 miliardë euro, të cilat zoti Makron do të dëshironte t’i shihte të ktheheshin në rutinë edhe nëse është shumë herët për të filluar diskutimin për të.

Ndoshta më i rëndësishëm do të ishte debati nëse duhen ndryshuar rregullat e shpenzimeve të Evropës, që, në terma praktikë, do të thotë të marrësh miratim nga vendet anëtare për të shpenzuar më shumë për gjithçka, që nga mbrojtja te klima.

NJË EVROPË E GJELBËR SI MODEL I ZHVILLIMIT TË QËNDRUESHËM

PFBE synon që Evropa të jetë udhëheqëse e një tranzicioni efektiv dhe të përshtatshëm ekologjik, prandaj kërkon të miratojë, sa më shpejt të jetë e mundur, mekanizmin e rregullimit të karbonit (qymyrit) në kufij: një nga masat e propozuara nga Komisioni, ekuivalent me një taksë për produktet, që importon BE-ja, të cilat nuk i plotësojnë kërkesat klimatike evropiane, si: çimento, metale, pleh ose energji elektrike. Presidenti francez dëshiron që në marrëveshjet tregtare të vendosë ‘klauzolat pasqyrë’, të cilat sigurojnë reciprocitetin me partnerët e Evropës në aspektin e standardeve ekologjike dhe luftën kundër shpyllëzimit.

PFBE do të arrijë sovranitetin evropian ushqimor, duke reformuar politikën e përbashkët bujqësore dhe duke ngritur një forcë të përbashkët kontrolli, që të garantojë sigurinë ushqimore për evropianët. Njëherësh do të hartojë një program për të inkurajuar automjetet e pastra dhe infrastrukturën e nevojshme për to (stacionet e karikimit etj.).

NJË EVROPË E INOVACIONIT PËRSHTATUR ME BOTËN DIXHITALE

Sistemi dixhital do të jetë pjesë integrale dhe me përparësi e vizionit të Francës gjatë PFBE-së. Parisi dëshiron të ndërtojë një treg të vetëm dixhital, përmes përcaktimit të një axhende evropiane dhe, me gjasë, për të tërhequr talente dhe financime. Për të hartuar këtë marrëveshje të re dixhitale, kreu i Shtetit francez theksoi rëndësinë e ‘dy teksteve pionierë’, që po negociohen aktualisht brenda institucioneve evropiane me synim që të miratohen në gjysmën e parë të 2022: Akti i Tregjeve Dixhitale (DMA) dhe Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA).

Teksti i parë synon të rregullojë përmbajtjen në internet (kundër urrejtjes, falsifikimit, dezinformimit etj.), duke i detyruar platformat të rishikojnë algoritmet e tyre. Ndërsa teksti i dytë synon të veprojë kundër pozicioneve dominuese të gjigantëve si “Facebook”, “Google” dhe “Amazon” për sa u përket konkurrencës, veçanërisht nëpërmjet vendeve të tyre në treg. Në bashkëpunim me Parlamentin Evropian, Franca do të sigurojë që gjigantët dixhitalë të mos bëhen monopole pa rregulla dhe të vrasin frymën e inovacionit, që dje i lejoi të ngriheshin.

Po kështu, Franca do të përpiqet të ngrijë një agjenci për kundër inovacionit pështjellues, duke financuar bashkërisht për fusha të reja kërkimi si inteligjenca artificiale apo në fusha të paeksploruara.

NJË EVROPË MË SHUMË SOCIALE ME NJË PAGË MINIMALE EVROPIANE

Franca është e përkushtuar për të mbrojtur dhe përshtatur modelin social evropian. Nëse Evropa nuk i mbron më mirë më të dobëtit, lejon që dumpingu social të lulëzojë dhe të shfaqet si një treg pa rregulla, atëherë do të ketë më shumë Brexite. Prandaj, një nga kuajt e betejës të PFBE-së është paga minimale në BE. Kjo direktivë përcakton jo vetëm një pagë minimale evropiane si një mesatare, por i ngre të gjitha pagat e ulëta drejt një paga minimale të përshtatshme.

Në njëzet e një vende të BE-së, që kanë të miratuar një pagë minimale, ato luhaten nga 311 euro (në Rumani) në 2141 euro në muaj (në Luksemburg). Për më tepër, gjashtë shtete anëtare: Austria, Qiproja, Danimarka, Finlanda, Italia dhe Suedia nuk e kanë ende të miratuar. Vendet e Veriut duan të ruajnë modelin e tyre të negociatave kolektive, ndërsa ato të Lindjes, konkurrencën e tyre. Pa vendosur ndonjë kufi sasior, projekti kufizohet në inkurajimin e negociatave dhe përmirësimin e konvergjencës. Po kështu, PFBE do të punojë për përfundimin e direktivës mbi transparencën e pagave, e cila synon të ulë hendekun e tyre gjinor.

NJË EVROPË E BASHKUAR NËPËRMJET KONVERGJENCËS SOCIALE DHE FISKALE

PFBE do të inkurajojë konvergjencën në të gjithë hapësirën e BE-së, duke vendosur kritere, të cilat gradualisht afrojnë modelet sociale dhe fiskale të vendeve anëtare. Pajtueshmëria me këto kritere duhet të kushtëzojë përdorimin e fondeve evropiane të solidaritetit. Këtu, problemi i vërtetë është se ndryshimi themelor do të kërkonte një ndryshim në traktat. Nuk mund të bëhet integrim fiskal dhe i mbrojtjes fshehurazi.

Nuk do të kishte legjitimitet dhe nuk do të pranohej nga qytetarët e BE-së. PFBE mendon, gjithashtu, se tani është koha për të transkriptuar në rregulloret evropiane taksën minimale globale prej 15 për qind për shumëkombëshet, e cila është miratuar nga G20 nën kujdesin e OECD-së, që, këtë vjeshtë, mori miratimin nga 136 vende. Kjo rregullore do të jetë objekt i një direktive, që do të duhet të miratohet në vitin 2022, për të hyrë në fuqi, sipas planifikimit, në fillim të vitit 2023.

NJË EVROPË ‘MË NJERËZORE’

Boshti i tretë i ambicieve franceze, që synon ngritjen e një Evrope më njerëzore, do të manifestohet, veçanërisht, në Konferencën për të Ardhmen e Evropës, që do të mbahet në maj 2022 dhe do të jetë një aktivitet i madh i ushtrimit të demokracisë me vështrim nga Bashkimi Evropian të nesërmes. Sipas Presidentit Makron, “ky duhet të jetë fillimi i një ere të re për ta kthyer këtë presidencë në një moment madhështor të humanizmit evropian”, që do të jetë edhe konkluzioni i konferencës.

Humanizmi evropian, i ngritur lart nga Presidenti francez, është i lidhur edhe me mbrojtjen e shtetit ligjor në vendet anëtare të BE-së. Ku, të jetë thelbësor zgjerimi i listës të veprave penale evropiane dhe ku të përfshihen krimet dhe gjuha e urrejtjes. Kësisoj, BE-së do t’i ofrohet një strategji për të luftuar racizmin dhe antisemitizmin, si dhe legjislacionin për luftën kundër dhunës ndaj grave. Duke iu referuar dallimeve mes Evropës Perëndimore dhe disa demokracive joliberale në pjesën lindore të kontinentit, kreu i shtetit francez bëri thirrje që të njëjtat çështje të mos jenë burim përçarjesh mes evropianëve. Këto “nuk përballin vende, shoqëri apo popuj të Evropës me njëri-tjetrin”, por “janë një luftë politike ekzistenciale për vlerat dhe për bashkimin evropian”.

Në kuadrin e mbrojtjes të shtetit të së drejtës, dhe, në veçanti, të lirisë së shtypit, PFBE kërkon të krijojë një fond evropian për të mbështetur gazetarinë dhe investigimin e pavarur. Lidhur me rininë dhe arsimin, në qershor, PFBE parashikon të organizojë një takim të madh të universiteteve evropiane për të theksuar vitin 2022 si Vitin Evropian të Rinisë dhe për të kremtuar 35-vjetorin e programit Erasmus +.

Po kështu, presidenca e re synon të organizojë një kurs apo shërbim qytetar evropian gjashtëmujor, të hapur për të gjithë të rinjtë nën 25 vjeç, për shkëmbime universitare apo si një stazh praktik. Krijimi dhe forcimi i ndjenjës së përkatësisë është lidhësi më i fortë evropian. Për këtë arsye, PFBE kërkon të forcojë shkëmbimet, në mënyrë që çdo i ri evropian të ketë kaluar të paktën 6 muaj në një vend tjetër evropian, apo që çdo student të flasë dy gjuhë evropiane deri në vitin 2024.

Kësisoj, PFBE hedh idenë e ngritjes të universiteteve evropiane, rrjete universitetesh, që bëjnë të mundur studimin jashtë vendit dhe ndjekjen e kurseve në të paktën dy gjuhë. Ndërsa në shkollat e mesme, të krijohet një proces harmonizimi apo njohjeje reciproke të diplomave të arsimit të mesëm (si arsimi i lartë). Presidenti Makron tërheq vëmendjen, gjithashtu, që PFBE të shërbejë si një moment reflektimi se si të shkruhet historia e Evropës dhe të nisë një punë e madhe mbi historinë evropiane me ekspertë të pavarur.

EPILOG

Bashkimi Evropian, që në zanafillë, e ka pasur të vështirë të mendonte për ndonjë doktrinë pushteti, thonë shumë studiues. Këtu kemi të bëjmë me një refuzim gjenetik me rrënjët në kulturën dhe historinë e vet: BE-ja mënjanon politika pushtetesh, që i kanë përfshirë kombet evropiane në dy luftëra botërore, prandaj dëshiron të jetë një organizatë, që kërkon të mbrojë demokracinë dhe të drejtat e njeriut dhe që përpiqet të ndikojë për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

Po, sot, BE-ja është në një udhëkryq për një sërë çështjesh: ajo përballet me udhëheqës autoritarë në kufijtë e vet; me vende të fuqishme, që shtrijnë ambiciet e tyre agresive ‘të mëndafshta’ në të gjithë botën; me gjigantë të një ekonomie të re, gjithmonë e më shtypëse, që tejkalojnë edhe autoritetin e shteteve; … me një botë multipolare e me globalizim gllabërues, që dominohet nga aktorë arrogantë të pa fre.

Përballë këtij realiteti gjeopolitik, politologë autoritarë sugjerojnë se nëse Evropa dhe kombet e saj duan të mbijetojnë, duhet patjetër të formojnë një Bashkim, i cili duhet të fuqizohet dhe, ndonjëherë, të harrojë edhe dilemat e tij. Politika e jashtme, thonë ata, nuk është vetëm një politikë tjetër evropiane si bujqësia apo edhe tregtia. Nëse politika tregtare bazohet në rregulla, gjeopolitika bazohet në fuqi.

Bashkimi, liderët e tij, komisionerët dhe krerët e shteteve dhe qeverive duhet të nisin këtë transformim jetik. Por, që nga qëllimet e përbashkëta deri te veprimet e përbashkëta, për Bashkimin Evropian është një distancë e madhe, sepse duhet të bëhen bashkë të 27 vendet. Franca dhe Gjermania kanë qenë gjithmonë motori i integrimit evropian. Kur ato ngecin, ngec i gjithë projekti.

Kur merren vesh, i ndjek gjithë blloku. Dhe Makron e di se lulëzimi i vizionit të tij kërkon mbështetjen e fuqisë gjermane. Le të besojmë se ai do të rizgjidhet në prill, por pasiguria do ta shoqërojë deri në qershor kur të përfundojnë zgjedhjet parlamentare franceze. Dhe pyetja e thjeshtë është: a do të lindë era “Makron”?