Kult

Një deklaratë nga 300 artistë gjermanë: Pse po çojmë një shfaqje në Shqipëri

Një lajm nga Hamburgu.

Një lajm nga Hamburgu. Teatri Thalia nëpërmjet një deklarate për shtyp dërguar dje në adresë të mediave gjermane bën me dije për sjelljen në Shqipëri të shfaqjes “Amerika” në shenjë solidarizimi me qëndresën për Teatrin kombëtar. Teksti i përkthyer në shqip:
Shfaqje solidariteti kundër shembjes së Teatrit Kombëtar shqiptar:
Teatri Thalia shfaq „Amerika” më 28 tetor në Tiranë





Në shenjë solidariteti kundër shembjes së Teatrit Kombëtar shqiptar në Tiranë, më 28 tetor, Teatri Thalia shfaq në Teatrin Kombëtar në Tiranë produksionin „Amerika” të Franc Kafkës me regji të Bastian Kraft. Bekim Latifi, i cili edhe vetë u lind në Shqipëri e prej sezonit 2017/2018 bën pjesë në trupën e teatrit tonë, do të luajë rolin solo të Karl Rosmanit të përzënë nga prindërit e tij.
Në një deklaratë të hartuar nga Gerhard Ruiss (IG Autoren – Komuniteti i Autorëve, Austri) që u nënshkrua nga Elfriede Jelinek dhe njerëz që tjerë të kulturës, thuhet:
“Teatri Kombëtar në Tiranë është vënë në shënjestër për t’u shembur. Në truallin e Teatrit Kombëtar synohet të realizohet një projekt në kuadrin e një partneriteti publik-privat (planifikimi: studioja daneze e arkitekturës BIG Architektur). Projekti parashikon ndërtimin e kullave private dhe një ndërtesë të re teatri si pjesë e një qendre tregtare. Braktisja e Teatrit Kombëtar në godinën e tij të deritanishme duket një çështje e mbyllur. Njerëz të artit e kulturës dhe qytetare e qytetarë të angazhuar të Tiranës protestojnë që prej një viti kundër këtyre planeve, dhe mbrojnë Teatrin Kombëtar nëpërmjet marrjes në kontroll të mjediseve të tij. Pas aksioneve të para të policisë kanoset zbrazja e dhunshme e Teatrit.

Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e kanë kritikuar disa herë praktikën e partneritetit publik-privat (PPP) në Shqipëri, sepse shpërndarja e kostove dhe riskut që lidhet me të nuk shkon në të mirë të shtetit shqiptar, popullit shqiptar dhe grupeve të prekura të popullsisë shqiptare. Kërkesa e Bankës Botërore dhe FMN është që kjo praktikë të ndalojë deri në realizimin e proceseve transparente të vendimmarrjes. Për diçka të tillë për momentin as që bëhet fjalë.
Shqipëria përpiqet që të sigurojë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Anëtarësimi në Bashkimin Europian është i pamundur nëse rregullat europiane në lidhje me tenderët, transparencën e prokurimit nuk respektohen, e madje në të kundërtën, krijojnë precedentë që nuk kanë lidhje me shtetin ligjor. Gjithashtu, nuk bën aspak përshtypje të mirë fakti se një firmë nga një vend i Bashkimit Europian vepron me rregulla të tjera krahasuar me ç’do të bënte në hapësirën e BE-së në një vend kandidat për anëtarësim në BE. Lufta e shoqërisë civile kundër shpërdorimit të pasurive publike përballë investuesve privatë dhe kundër shitjes së kulturës teatrore shqiptare meriton solidaritetin tonë të pakufishëm.”
Teatri Thalia Hamburg solidarizohet me koleget e kolegët shqiptarë dhe dëshiron që përmes kësaj shfaqjeje të produksionit „Amerika” të japë një shembull për ruajtjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë.