Kronika e Zezë

Një burrë i armatosur vret 4 persona në Denver përpara se të vritet nga policia

Një person i armatosur dyshohet se ka qëlluar p

Një person i armatosur dyshohet se ka qëlluar për vdekje katër persona dhe plagosi tre të tjerë, duke përfshirë një oficer policie, të hënën mbrëma në Denver.

I dyshuari u vra nga policia pas këtij sulmi, derisa janë publikuar edhe pamje nga vendi ku ndodhi ngjarja.

Siç bëjnë të ditur autoritetet, hetuesit nuk kanë përcaktuar ende motivin e ngjarjes së ndodhur rreth orës 17:00, kur personi i armatosur qëlloi dhe vrau dy gra dhe plagosi një burrë në qendër të Denverit, e më pas iku me një veturë për në lagjen Cheesman Park në lindje të Denverit, ku qëlloi për vdekje edhe një burrë.

Këto informacione i dha shefi i Policisë, Paul Pazen, në një konferencë për shtyp, ku shtoi se i dyshuari ka shkëmbyer dy herë të shtëna me armë zjarri nga automjeti i tij me oficerët e Denverit që e ndoqën.

Nga atje, i dyshuari u fut me makinë në qytetin fqinj të Lakewood, ku qëlloi dhe vrau një person të katërt brenda një biznesi të paspecifikuar, sipas zëdhënësit të policisë së Lakewood, John Romero.

Personi i armatosur iku nga policia e Lakewood-it kur ata u përpoqën ta tërhiqnin dhe u përfshi në një betejë me armë me oficerët përpara se të ikte në këmbë dhe të hynte në një hotel, ku qëlloi dhe plagosi një nëpunës, tha më tej Romero. “Më pas ai qëlloi sërish mbi oficerët e policisë, duke plagosur një prej tyre, përpara se policia ta qëllonte për vdekje”, u tha Romero gazetarëve.

Autoritetet nuk e identifikuan publikisht të dyshuarin dhe thanë se rrethanat që çuan në të shtënat mbetën nën hetim.