Kult

Nisi me portrete gjatë pandemisë, “Fondacioni Vjosa” gati për ndërtimin e kampusit për autikët e Kosovës

Ardianë Pajaziti

Ishte nisur nga Finla

Ardianë Pajaziti

Ishte nisur nga Finlanda për në Krakovi të Polonisë dhe nuk e kishte menduar se ai udhëtim do të jetë një udhëtim që do ta ndante për një kohë nga familja e tij, pasi që në mars të këtij viti u mbyllën kufijtë si pasojë e Covid 19.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Arkitekti gjilanas Lulzim Behxheti tregon për KultPlus, për këtë udhëtim që e kishte bërë bashkë me djalin e tij Gencin, por Genci ishte kthyer për në Finlandë, e Lulzimi kishte vazhduar për të përfunduar edhe disa punë të tij, punë që e bllokoi për disa muaj në këtë qytet të Polonisë.

Lulzim Behxheti që tashmë është shndërruar në një figurë të njohur për themelimin e Vjosa Foundation dhe Vjosa Campus, kujton mbylljen e tij në Poloni, dhe mënyrën se si mundohej ta kalonte monotoninë e karantinës dhe pandemisë.

“E realizova një portret të një mikes sime, dhe e njëjta e postoi portretin e saj në Facebook, dhe ky ishte momenti kur filloi gjithçka, komentet rreth atij portreti më motivuan që të realizoj portrete edhe për miq të tjerë, qoftë miq që i njoh prej viteve por edhe atyre virtual, dhe kështu krijova shumë portrete pa ndalë”, tregon Behxheti, i cili tashmë numëron qindra portrete të shumta, duke filluar prej pastruesve të rrugës e deri të figurat më të njohura të kombit shqiptarë, por edhe të huaj, portrete këto që ishin motivacion për themelimin e Vjosa Foundation dhe Vjosa Campus, iniciativë kjo për të ndihmuar personat autik në Kosovë, e që sipas Behxhetit, kushte të tilla mungojnë në Kosovë.

“Nisa me një portret e arrita ku jam tashti, nuk e kam besuar se do të ketë këtë masivitet që ka tashti”, kujton Behxheti, i cili krejt këtë rrugëtim e quan edhe nostalgji në raport me portretet, pasi që, sipas tij, një portret të tillë i kishte realizuar bashkëshortes së tij, 30 vite më parë, në kohën kur e kishte simpatizuar, dhe kjo kampanjë Lulzimin e ktheu sërish te portretet, pasi që brenda kësaj distance kohore, energjinë ia kishte marr arkitektura, dhe pak hapësirë kishte për portrete.

Dhe tashti, kur Lulzim Behxheti realizon edhe më tej portrete, dhe thotë për KultPlus se këto portrete do të vazhdojnë deri sa të vazhdojë Fondacioni Vjosa, ai tashmë ka kaluar në nivelin tjetër, për jetësimin e Vjosa Campus në Kosovë e Shqipëri, e për të cilën është duke punuar shumë, që ta realizojë sa më shpejt.

Emri Vjosa është emri i vajzës së Lulzim Behxhetit, e që është autike, dhe përvoja e tij me vajzën e tij dhe me trajtimin dhe tretmanin e duhur që ka marr në shtetin finlandez, ka bërë që Lulzimi të themelojë këtë fondacion, në mënyrë se sikurse ka pas fat vajza e tij për këtë tretman të lartë të shoqërisë finlandeze, të njëjtin ta kenë edhe personat autik në Kosovë.

“Adoleshenca është fazë jo e lehtë edhe për fëmijët autik, andaj kemi menduar ta themelojmë këtë Fondacion, ku do të punojmë në ngritjen e një kampusi prej 30 shtëpive në periferi të Prishtinës, e që do të kenë sistemin finlandez, sistem që do ti ndihmojë përgjatë trajnimit se si të pavarësohen këta fëmijë. Vjosa e jonë i ka gëzuar këto trajnime në Finlandë, dhe pse mos ti gëzojnë edhe fëmijët autik në Kosovë”, ka thënë Behxheti, i cili këto shtëpi do ti ndërtojë nën brendin e kompanisë së tij “BVG Housing”, pasi që, sipas tij, me sistemin dhe përpunimin e drurit që e praktikojnë në kompaninë e tij, për të cilat kanë shkruar shumë medie prestigjioze, janë shtëpi që ofrojnë standard të lartë jetese, sepse janë të shëndetshme, antibakteriale, me cilësi të ajrit dhe shumë benefite të tjera shëndetësore.

Lulzim Behxehti shpreson që për këtë projekt me sistem finlandez ta mbështesë Komuna e Prishtinës, pasi që, sipas tij këto kampuse nuk duhet të ekzistojnë prej ndihmave, por të kenë mbështetje institucionale. Ai njofton se për realizimin e  këtij projekti do të jetë trekëndëshi Vjosa Kampus, familjarët e fëmijëve autik dhe Komunës së Prishtinës, në mënyrë që të jetë funksionalë ky projekt.

Ndryshe, Fondacioni Vjosa tashmë është mbështetë nga shumë organizata botërore, sikurse që ka edhe ambasadorët e kësaj kauze, duke përfshirë Erza Muqollin dhe shumë artistë të tjerë.

Sot, Ambasada e Finlandës në Kosovë ka falënderuar nëpërmjet faqes zyrtare Lulzim Behxhetin për angazhimin dhe iniciativën e tij, duke potencuar se së shpejti do të hapet një ekspozitë me portretet e Behxhetit në Burksel, për të vazhduar më pas në Kosovë./ KultPlus.com

The post Nisi me portrete gjatë pandemisë, “Fondacioni Vjosa” gati për ndërtimin e kampusit për autikët e Kosovës appeared first on KultPlus.