Lajme Shqipëri

Nis stërvitja e madhe ushtarake e NATO-s në Durrës, pjesëmarrës mbi 28 mijë trupa

Sot ka nisur stërvitja ushtarake ndërkombëtare, “Defender Europe 2021”, në Portin e Durrësit.

Fituesi i zgjedhjeve në Shqipëri, Edi Rama, njoftoi se në stërvitje do të jenë mbi 28 mijë trupa ushtarake.

Ai tha se do të demonstrohen aftësitë ndërvepruese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me ushtritë partnere të NATO-s, për sigurinë në Ballkanin Perëndimor dhe rajonet e Detit të Zi.

Ditë më parë në Durrës zbarkuan shumë automjete të ardhura nga Ushtria amerikane. Rreth 700 automjete të njësiteve nga Florida u shkarkuan në Durrës.

Ato do të përdoren në ushtrimet dyjavore e që do të organizohen në gjashtë baza në Shqipëri. Do të jenë 6000 trupa nga Amerika. Kjo është pjesë e stërvitjes “Defender Europe 21”, që është e fokusuar në parandalimin e agresionit dhe ndërtimin e gatishmërisë operacionale si pjesë e bashkëpunimit me NATO-n dhe aleatët.

Në Shqipëri do të ketë edhe anije ushtarake nga Britania e Madhe.

Rama, në fjalën e tij në ceremoninë e zhvilluar në Durrës në kuadër të “Defender Europe 21”, deklaroi se Shqipëria do të qëndrojë krah për krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndër të tjera Rama u shpreh se kjo stërvitje është një pikë me rëndësi për marrëdhëniet me SHBA-në.