Lajme

Nis gjykimi i kosovarit që vrau kunatën në prezencë të tre fëmijëve të saj në Gjermani

Një burrë 48 vjeçar nga Kosova, po akuzohet se

Një burrë 48 vjeçar nga Kosova, po akuzohet se ka qëlluar për vdekje kunatën e tij 33 vjeçare, në prezencë të fëmijëve dhe burrit të saj, transmeton Insajderi.

I akuzuari i cili po qëndron në Löhne, (Landi Nordrhein Wastfallen, Gjermani), që nga e marta qëndroi në bankën e zezë të Gjykatës së Qarkut në Bielefeld, shkruan’albinfo’.

“Tre fëmijë adoleshentë kanë parë nënën e tyre duke vdekur në apartament”, ka deklaruar vëllai i të pandehurit si dëshmitar në fillim të gjykimit.

Sipas zyrës së prokurorit publik, i pandehuri nga Kosova në të vërtetë kishte për qëllim të vriste gruan e tij, pasi që ajo ishte ndarë nga ai.

“Me një çelës duplikat ai kishte hyrë në banesën e gruas së tij në dhjetor të vitit 2020. Aty ai kishte takuar kunatën, vëllain e tij dhe fëmijët në moshën 12, 13 dhe 14 vjeç. Vëllai dhe kunata e kishin vizituar ish-bashkëshorten e vëllait për t’i shprehur mbështetje nga burri i dhunshëm, i akuzuari i sotëm për vrasje”, thuhet në lajmin e publikuar.

Sipas prokurorisë, ai kishte nxjerrë një armë nga brezi dhe kishte qëlluar të dytë. Vëllai kishte rënë i plagosur, në dysheme dhe atëherë dorasi ka qëlluar në drejtim të kunatës të cilën e kishte vrarë me një të shtënë në gjoks.

“Anëtarët e tjerë të familjes e kishin bllokuar të armatosurin dhe e kishin mbajtur derisa kishte ardhur policia. I pandehuri ka qëndruar i heshtur në fillim të gjykimit. Por ai do ta japë një deklaratë përmes avokatit të tij, në rrjedhën e mëtejshme të procesit, është thënë në ditën e parë të procesit”, ka shkruar kjo media./Insajderi.com