Kult

Nikolla: Me “Ditët e humorit Niko Nikolla“, Pogradecin do ta bëjmë një vend të njohur të artit dhe kulturës

Pogradeci për disa ditë ishte shndërruar një f

Pogradeci për disa ditë ishte shndërruar një fole e karikaturistëve të shumë ndërkombëtarë, të cilët morën pjesë në  Bienalen “Ditët e humorit Niko Nikolla“, ku këtë edicion e kishte dedikuar për karikaturën. Me drejtoreshë ekzekutive Flora Nikolla dhe Andis Gjoni, drejtor organizativ, kjo Bienale ka bërë që pos të ndajë çmime për karikaturistë të njohur, në të njëjtën kohë ka vënë Pogradecin në hartën e botës, pasi që, përgjatë këtyre ditëve, kanë shkruar shumë medie të huaja për këtë Bienale, që synon të jetë i përvitshëm.

KultPlus: Si ishte iniciativa për themelimin e një festivali ndërkombëtar te karikaturës?

Reklamo bizensin tuaj ketu

Flora Nikolla:  Albanian Excellence  në bashkëpunim  dhe me mbështetjen e Bashkisë Pogradec, kanë  organizuar “Ditët e humorit Niko Nikolla“, një aktivitet që synon të jetë i përvitshëm  dhe që kërkon  të  evokojë dhe të nderojë një nga emrat e njohur të qytetit të Pogradecit, por njëherazi edhe ta kthejë këtë qytet klimaterik dhe me resurse të rralla natyrore, në një vend të njohur të artit dhe të kulturës, mbarëshqiptare dhe botërore , përmes organizimit të aktiviteteve të tilla me një rëndësi të madhe kulturore por edhe me një impakt shumë të fortë kulture.

Në këtë kuptim “Ditët e Humorit  Niko Nikolla”, prezantuan për gjatë tri ditëve në qytetin e Pogradecit, me prezencën  e personaliteteve të artit dhe të kulturës,  një axhende të mirë menduar kushtuar satirës dhe humorit në një plan të gjërë, duke shërbyer si një shtysë e domosdoshme në zhvillimin   humorit dhe satirës, në letërsi dhe në artet pamore në plan ballkanik por dhe më gjere.

Në këtë kuptim , kjo  Bienale, institucionalizoi organizimin një herë në dy vjet, të  Bienales ndërkombëtare të karikaturës Ballkanike dhe një herë në dy vjet konkursin e letërsisë humoristike .  Pogradeci, vit pas viti të kthehet në një qytet të humorit dhe të satirës, në një qendër të këtij zhanri kaq të rëndësishëm dhe që vitet e fundit ka patur atrofizime  dhe jo një zhvillim të njëtrajtshëm . 

Ballafaqimi i vlerave kombëtare, mbarë shqiptare dhe botërore, një herë me karikaturën dhe një herë me letërsinë humoristike (Roman, skecë,  komedi) , solli gjatë këtyre ditëve, një  zhvillim më harmonik të satirës dhe të humorit në tërësi.

KultPlus: Të flasim më shumë për Niko Nikollën, që lexuesi të ketë të qartë se kujt i dedikohet kjo ngjarje e madhe kulturore?

Flora Nikolla: Publicisti, humoristi dhe shkrimtari i njohur Niko Nikolla, njihet  në Shqipëri si njeriu i cili arriti të drejtojë për 25 vjet revistën “Hosteni”. Si kryeredaktor i saj, revista e parë opozitare në vend, Niko Nikolla e lidhi jetën e tij me gazetarinë sa dhe me humorin përgjatë 45 viteve.

Shkrimtari Teodor Keko e quante babain e gazetarisë shqiptare, titull të cilin ai me modestinë e tij nuk e pranoi asnjëherë. “Gazetarët duhet të jenë me zemër të madhe, me mendje të ftohtë dhe me duar të pastra”, citonte gjithnjë Nikolla, i cili lindi më 20 maj 1931 në qytetin e Pogradecit.

Punoi për shumë vite si gazetar pranë gazetës “Zëri i Popullit” dhe më pas si kryeredaktor i Revistës “Hosteni”, deri në vitin 1991 kur doli në pension. Me qindra e qindra janë fejtonet, artikujt dhe reportazhet që mbajnë firmën e Niko Nikollës, në të gjithë shtypin shqiptar.

Dikush e ka quajtuar optimisti i përjetshëm dhe si i tillë pas viteve ’90, Niko Nikolla botoi libra në fushën e publicistikës, humorit, por edhe prozës. Përmenden këtu “Shënime të një gazetari”, “Pushtimi i Amerikës”, “Një angleze në rrugën e Dibrës”, “Furtuna e janarit”, “Lamtumirë Vlorë”, “Njeriu pa emër”, “Zhyl Verni në katror”, “Mjaltë dhe Gjak”, “Kronika nga Fronti i Dytë”, “Vdekja e varrmihësit”, “Një lumë midis dy shenjtorëve”, “Dallëndyshet e dimrit”, “Koloneli me një sy”, “Homos Balcanicus”.

Gjithashtu ai botoi një kolanë prej shtatë titujsh mbi temën e Ballkanit, ku përmes humorit sa dhe dramës arriti të shpreh ç’është Ballkani, ç’janë ballkanasit dhe si do të ecë Ballkani. “Ta kthejmë Ballkanin nga një fuçi baruti në një fuçi humori” është një nga shprehjet e humoristit, i cili në vitin 1991 botoi në këtë lëmë dhe revistën Ballkan, ku shkruan penat më të njohura të gadishullit tonë.

Gjatë aktivitetit të tij letrar-publicistik, Niko Nikolla është nderuar disa herë me çmime në konkurse të ndryshme letrare si dhe me pesë çmime të para në fushën e gazetarisë dhe të letërsisë si çmimi “Çajupi” në vitin 1989.
Mes vlerësimeve që ka marrë veprimtaria e gjerë publicistike dhe letrare e Niko Nikollës është dhe Urdhëri “Naim Frashëri” i klasit të parë (1978). Në vitin 2003 për “kontributin në fushën letraro-artistike, kontributin si gazetar, por edhe si veprimtar për qytetin e tij të lindjes”, Këshilli Bashkiak i Pogradecit unanimisht i dha Niko Nikollës titullin “Qytetar nderi”.  Po ashtu Niko Nikolla.është nderuar nga Presidenti i Republikës, me titullin e lartë, “Mjeshtër i Madh”. Niko Nikolla thoshte “gazetaria është një furrë e madhe që djeg çdo gjë dhe që në fund të mbetet vetëm pasioni…”

KultPlus: : Në këtë aktivitet morën pjesë, karikaturistë te shumtë shqiptarë, si e priten këtë iniciativë, gjithnjë në raport të krijimit të urave në mes karikaturistëve jashtë dhe brenda Shqipërisë?

Flora Nikolla:  Gjatë “Ditët e humorit Niko Nikolla 18-20 shtator  2020 “,  pati një axhendë të  ngjeshur me pjesëmarrjen e personaliteteve të lata të humorit shqiptar por edhe të shumë karikaturistëve të njohur që do të vijnë nga bota.

Axhenda u përqendrua në dy pika kryesore  : Në pjesën akademike në tryezën e rrumbullakët kushtuar humorit dhe karikaturës titulluar “ Karikatura trend apo tendencë në rritje”, më pas në çeljen e dy ekspozitave, një me karikaturat e përzgjedhura nga 600 karikatura të sjella ne adresë të Bienales , nga 50 vende të planetit si dhe ne ekspozitën e  karikaturistit Agim Sulaj me karikatura të realizuara 30  vite më parë në faqet e revsitës Humoristike “Hosteni “.

Pra ishin të paktën 150 karikatura të cilat në një mbrëmje të rrallë, pushtuan sheshin e trëndafilave  buzë liqenit të Ohrit  me pjesëmarrjen e  personaliteteve të larta vendore por edhe të pushtetit qendror siç ishte zoti Eduard Shalsi, deputet  i Pogradecit, ministër   shtetit për mbrojtjen e Sipërmarrjes , nën kujdesin e të cilit u zhvillua ky aktivitet, i cili zyrtarisht e fut Shqipërinë në hartën zyrtare të karikaturës botërore.

Por po ashtu për tu përmendur janë dhe aktivitetet që u zhvilluan gjatë këtyre  ditëve buzë liqenit , karikatura të lira për qytetarët ku artistët e ardhur në Pogradec, realizuan karikatura me qytetarët në ambiente të hapura.

Bienalja  ndërkombëtare e  karikaturës Niko Nikolla, u titullua “Buzëqeshje ballkanike”. Në këtë kuptim ajo pati  një karakter të gjerë hapësinor dhe preku shumë nacionalitete njëherazi përmes mesazheve enciklopedike që përcjell. 

Por qershia mbi tortë ishte mbrëmja Gala e ndarjes së çmimeve e organizuar në ambientet e hapura të Hotel 1 Maji,  ku në një mjedis fantastik të krijuar mbi bazë të protokolleve të qeverise shqiptare, kjo Gala, beri të njohur 12 çmime ndërkombëtarë në karikaturë. Me çmim të parë u nderua  Angel Boligan ( Meksikë)  me çmim të dytë Pol Leurs (Luksemburg) dhe me çmim të trete Arben Meksi (Shqipëri).

Po kështu me çmime speciale  u nderuan karikaturat e  ardhura nga: Argjentina, Mali I Zi, Kosova , Bullgaria, Polonia, Indonezia, Kina.

KultPlus: Cila ishte harta e pjesëmarrësve në këtë Bienale të karikaturës dhe tematika e prezantuar?

Flora Nikolla: Të paktën 600 punime nga 50 vende të botës u dërguan në  adresën e Bienales  ballkanike të karikaturës Niko Nikolla, “Buzëqeshje  ballkanike”, që u organizua pas vendimit të shtyrjes për shkak të situatës së krijuar nga Covid 19, më 18- 20 shtator 2020,  në Pogradec në qytetin e lindjes së humoristit të njohur .

Harta gjeografike, e këtij eventi i cili zhvillohet nga Albanian Excellence në bashkëpunim me Bashkinë e qytetit të Pogradecit, në kuadër të Ditëve të humorit Niko Nikolla, një aktivitet që mendohet të jetë i përvitshëm  në vijim të politikës së Bashkisë për të nderuar qytetarët e tij, përfshinë të paktën 50 vende të planetit si, Shqipëria, Kosovë, Maqedoni,  Serbi,  Bullgari, Mali i Zi, Greqi, Turqi, Rumani, Itali, Austri , Poloni,  për të vijuar në Indi, Iran, Kinë, Indonezi, Rusi,  Siri, Argjentinë  etj.

Tematika e karikaturave  të prezantuara ishte e shumëllojtë duke nisur nga probleme të  mprehta të gadishullit ballkanik, por edhe problemeve te ndryshme te para në planin global.

Në Shqipëri , në këtë shekull , kjo është iniciativa e parë që merret  në këtë drejtim me një emër të njohur në fushën e satirës dhe të humorit siç është Niko Nikolla, i cili diti të hedh bazat e karikaturës në gjysmën e shekullit të XX në Shqipëri përmes revistës Hosteni të cilën e drejtoi për 25 vite .  

Kjo revistë u kthye në një shkollë karikature në Shqipëri, në këtë revistë u krijuan një  grup karikaturistësh të cilët sot janë të njohur në të gjithë rruzullin si Agim Sulaj, Ilir Pojani , Sabaudin Xhaferri, Kosta Raka e shumë të tjerë. Kurse këtë vit që shënuam një sukses të madh me këtë edicion, poashtu kishim një juri tejet profesionale, ku në krye të kësaj jurie kishim karikaturistin e njohur Agim Sulaj./ KultPlus.com

The post Nikolla: Me “Ditët e humorit Niko Nikolla“, Pogradecin do ta bëjmë një vend të njohur të artit dhe kulturës appeared first on KultPlus.