Bota

Nga Vatikani te Turqia, reagime të shumta për vrasjet në Nicë

Tre persona kanë vdekur në një sulm me thikë në qytetin francez, Nicë, ka thënë policia franceze të enjten.

I dyshuari është ndaluar pak pas sulmit.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Kryetari i Nicës, Christian Estrosi ka thënë se gjithçka çon drejt “sulmit terrorist në zemër të bazilikës Notre-Dame”.

Estrosi u ka thënë gazetarëve se i dyshuari i sulmit, ka bërtitur “Allahu Akbar” (Zoti është më i madhi) edhe pasi është arrestuar nga policia, transmeton agjencia e lajmeve, Reuters.

Pas ngjarjes së sotme, kanë ardhur shumë reagime.

Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin, u ka bërë apel njerëzve që të shmangin qendrën e këtij qyteti.

Ai ka thënë se do të organizojë një takim për kriza brenda ministrisë që drejton në Paris.

Një minutë heshtjeje është mbajtur në Asamblenë Kombëtare, ku kryeministri, Jean Castex ka dhënë detaje për masat e reja të izolimit, që hyjnë në fuqi të enjten në mbrëmje.

“Pa diskutim, kjo është një sfidë serioze që po godet shtetin tonë”, ka thënë ai, duke bërë thirrje për unitet dhe kohezion.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë pas sulmit se Britania qëndron e palëkundur përkrah Francës, kundër terrorizmit dhe jotolerancës.

“Jam shokuar këtë mëngjes nga lajmi për këtë sulm barbar në bazilikën Notre-Dame”, ka thënë Johnson përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, ka thënë përmes një deklarate ndaras se Britania ka ofruar “gjithë mbështetjen për popullin francez, për të mbajtur përgjegjës ata që kanë kryer sulmin”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka dënuar të enjten sulmin, duke e quajtur “të neveritshëm dhe brutal”.

Ajo ka thënë se gjithë Evropa solidarizohet me Francën dhe vazhdon të jetë e bashkuar dhe e vendosur “përpara barbarizmit”.

Vatikani ka dënuar sulmin e së enjtes, duke thënë se terrorizmi dhe dhuna nuk kanë qenë kurrë të pranueshme.

“Sulmi i sotëm ka shkaktuar vdekje në vendin e dashurisë dhe ngushëllimit, në shtëpinë e Zotit”, ka thënë zëdhënësi, Matteo Bruni në një deklaratë.

Ai ka thënë se Papa Françesku është informuar për këtë sulm dhe është duke u lutur për viktimat.

Ministria e Jashtme turke ka thënë të enjten se dënon ashpër sulmin me thikë.

Përmes një deklarate, kjo ministri ka thënë se Turqia solidarizohet me popullin francez kundër dhunës dhe terrorizmit.

Ndërkohë nga Moska, Kremlini ka thënë se është e papranueshme vrasja e njerëzve, mirëpo po ashtu është gabim që të fyhen ndjenjat e besimtarëve fetarë.

Kremlini ka qenë duke komentuar raportimet që kanë treguar se sulmuesi ka bërtitur në gjuhën arabe, “Zoti është më i madhi”.

Prokurorët francezë kundër-terrorizmit kanë nisur hetimet për vrasje.

Ministri Estrosi ka thënë se një nga të vdekurit ka qenë kujdestar në bazilikë.

Kryeministri francez, Jean Castex ka njoftuar se Franca ka rritur alarmin e sigurisë për territorin francez në nivelin më të lartë.

Çfarë dihet për sulmin? Dy nga personat e vdekur është thënë të jenë sulmuar brenda kishës, një grua në moshë dhe një burrë, i cili është gjetur me fyt të prerë.

Gruaja që ka arritur të ikë në një kafe të afërt është therur disa herë dhe ka vdekur më vonë.

Më vonë është kuptuar që një dëshmitar ka arritur ta aktivizojë alarmin përmes një sistemi special për mbrojtje, të krijuar nga qyteti.