Lajme

Nga Infektiva e QKUK’së bëhet thirrje për respektimin e masave anti-Covid

Ditët e fundit, vendi ynë ka përjetuar një rritje të jashtëzakonshme të rasteve ditore e kjo mund të cilësohet si një rekord i zi.

Në lidhje me situatën aktuale, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se qytetarët duhet të jenë të përkushtuar që të mos e mbingarkojnë sistemin shëndetësor.

Reklamo bizensin tuaj ketu

“Përkushtimi i plotë i secili qytetar të mos mbingarkojmë sistemin tonë shëndetësorë. Profesionistët shëndetësorë duhet të ndihmohen, t’i zbatojmë masat secili në mënyrën e vet, ta ruajmë shëndetin, ta ruajmë jetën e njëri-tjetrit, ta ruajmë familjen tonë të përbashkët”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, Drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj-Berisha ka thënë se tashmë stafi mjekësorë është lodhur dhe qytetarët duhet t’i respektojnë masat e përcaktuara.

“Klinika Infektive tash e 8 muaj duke punuar dhe duke u ballafaquar me virusin. Prandaj i gjithë stafi shëndetësorë është tani më i lodhur dhe të vetmen gjë që mund të bëni është të na ndihmoni duke i respektuar të gjitha masat që dalin nga institucionet shëndetësore, duke mbajtur maskën, duke mbajtur distancën, duke mbajtur higjienën personale dhe duke u larguar nga grumbullimet e panevojshme. Virusi është në mesin tonë, ka ekzistuar dhe akoma e ekziston”, ka potencuar ajo.

Njëri nga mjekët më të vjetër të kësaj klinike, infektologu Salih Ahmeti, ka deklaruar se COVID-19 është sëmundje që fillon prej disa formave, nga ato asimptomatike deri tek më të rëndat, që mund të shkaktojë edhe vdekjen e pacientit.

“COVID-19 është një sëmundje me manifestime klinike të ndryshme, duke filluar prej formave asimptomatike, pastaj mund të shfaqet në forma të lehta, mesatarisht të rënda, forma të rënda dhe ndonjëherë edhe me forma shumë të rënda të cilat mund të rrezikojnë në mënyrë serioze jetën e pacientit. Pacientët të cilët kanë infeksionin me COVID-19 është e preferueshme që të iu përmbahen sugjerimeve të mjekëve, pacientët me forma mesatarisht të rënda dhe të rënda duhet të lajmërohen sa më shpejtë te mjeku përkatës, në mënyrë që trajtimi të fillojë me kohë dhe të jetë i hershëm”, ka thënë ai.