Kosovë

Nesër shpallet rezultati i zgjedhjeve, çfarë ndodh më pas

Në Kosovë zakonisht, pas zgjedhjeve, kanë shkuar muaj deri sa vendi është bërë me kryeminister e qeveri. Rezultati i zgjedhjeve është veç fillimi, e më pas nisin negociatat, që quhen edhe pazare, për formimin e Qeverisë. KQZ-ja nesër shpall rezultatin e zgjedhjeve të mbajtura më 14 shkurt. Express ju sjell procedurat që vijojnë pas shpalljes së rezultatit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njoftoi se do të shpallë të enjten rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Por, pas shpalljes zyrtare të rezultateve nga KQZ’ja, partitë dhe  kandidatët kanë të drejtë ankese në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), brenda 24 orëve. Pas PZAP’së, ankesa ata mund të bëhen edhe në Gjykatën Supreme.

E këto ankesa mund ta shtyjnë edhe më tej certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, duke i hapur kështu rrugën konstituimit të  Kuvendit të Kosovës. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ’ja i  certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe në qendrat e numërimit.

“106.1 KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe në qendrat e numërimit si dhe kur të gjitha vërejtjet e dala që u përkasin votimit dhe numërimit janë vendosur nga Komisioni Zgjedhor për Parashtresat dhe Ankesat dhe nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Hapat drejt konsituimit të Kuvendit

Në ndërkohë sipas ligjit në fuqi, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore nga KQZ’ja, Kuvendi duhet që të konstituohet brenda 30 ditëve, qysh nga shpallja e rezultateve të përgjithshme.

“Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh Kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë. 2. Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. 3. Tre (3) nënkryetarët të propozuar nga tri grupet më të mëdha parlamentare, zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. 4. Dy (2) nënkryetarë përfaqësojnë komunitetet që nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Njëri nënkryetar do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet të rezervuara ose të garantuara të komunitetit Serb, dhe tjetri nënkryetar nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara nga komunitetet tjera që nuk janë shumicë. 6. Kryetari dhe nënkryetarët formojnë Kryesinë e Kuvendit. Kryesia është përgjegjëse për funksionimin administrativ të Kuvendit në mënyrën e përcaktuar me Rregulloren e Punës së Kuvendit”, thuhet në Kushtetutë.

Sipas Kushtetutës, LVV’së si parti e parë e dalë nga zgjedhjet i takon që të propozojë një emër në krye të Kuvendit. Ai ose ajo do të jetë përkohësisht personi që do ta zëvendësojë Vjosa Osmanin si u.d e presidentit, e që sipas të gjitha gjasave do ta mandatojë edhe Kurtin.

Kushtetuta e Kosovës e saktëson se Presidenti i Republikës është ai që e thërret seancën e parë të Kuvendit, në këtë rast seanca do të thirret nga u.d e presidentit, Vjosa Osmani.

Në seancën e parë seanca që udhëhiqet nga deputeti më i vjetër i votuar në atë legjislaturë propozohet Kryetari i Kuvendit, emër që del nga subjekti më i votuar në zgjedhje. Pastaj zgjidhen edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit.

Në ndërkohë edhe mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjes.

Hapat drejt zgjedhjes së kryeministrit

Kushtetuta ndërkaq thotë se presidenti i vendit është ai që i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, e kjo bëhet në konsultim me partinë politike apo koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshëm në Kuvend.

Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, duhet që të paraqes përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sipas Kushtetutës në rast se përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Emërimi e Presidentit

Kosova përvec qeveri në detyrë, tash e sa muaj nuk ka as president të zgjedhur. Vjosa Osmani ushtron detyrën e Presidentit, duke e zëvendësuar Hashim Thaçin e dorërhequr, sepse sipas Kushtetutës, postin e u.d e mban kryeparlamentari apo kryeparlamentarja aktuale. Pas konsitutimit të Kuvendit, deputetët pritet ta zgjedhin presidentin e ri.

Sipas Kushtetutrës, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30), ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual.

Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.  Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës.

Sipas Kushtetutës nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh.

Vjosa Osmani që ka garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit në koalicion me LVV-në e Albin Kurtit ka marrëveshje parazgjedhore që e njëjta të jetë propozim i tyre për president të vendit.

Si u.d e presidentit ajo është emëruar që nga 5 nëntori i vitit 2020-të në ditën kur edhe ish-presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje për t’u nisur drejt Hagës pas konfirmimit të aktakuzës nga Specialja.