Maqedoni

Nënkryetarja e Senatit francez javën e ardhshme në Shkup

Nënkryetarja e Senatit të Francës, Elen Konve-Mure, të hënën vjen në Shkup në takime me kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferi, përfaqësuesit e trupave kuvendor dhe të grupeve të deputetëve.

Në kumtesën e paralajmëruar nga Ambasada e Francës citohet se ” vizita Konve-Mure e reflekton përforcimin e këmbimeve parlamentare të Maqedonisë së Veriut dhe Francës në perspektivën e rrugës evropiane të vendit i cili mbetet tërësisht aktual. Kjo vizitë, që realizohet në suaza të strategjisë franceze për Ballkanin Perëndimor i riafirmon marrëdhëniet e besimit dhe miqësisë mes Senatit francez dhe Kuvendit të Maqedonisë, si dhe ndaj qytetarëve në tërësi, citohet në kumtesë.

Senatorja Konve-Mure e cila ka marrë pjesë në përgatitjen e Propozim-ligjit për ratifikim të Protokollit për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO, që muajin e kaluar në lexim të parë kaloi në Senatin e Francës dhe pritet së shpejti të miratohet në Asamblenë kombëtare, do të takohet edhe me nënkryetarin e Kuvendit Goran Misovski, me grupin e deputetëve për bashkëpunim me Parlamentin francez dhe me kryetarët e komisioneve kuvendore për mbrojtje dhe siguri, për punë të jashtme dhe çështje evropiane.

Është parashikuar gjatë vizitës së saj dyditëshe në vend të mbahet edhe konferencë në Akademinë diplomatike të MPJ-së në të cilën do të diskutohet për evoluimin e mbrojtjes evropiane.

Konve-Mure do t’i vizitojë varrezat ushtarake françeze në Shkup, si dhe shtëpinë përkujtimore e cila ishte hapur në solemnitet në maj të vitit 2018, për t’u dhënë respekt 3000 ushtarëve të cilët humbën jetët atje./mia

Loading…