Lajme

Në MI u bë sekretar me dokumente false, tash Betim Reçicën e rehatojnë në MTI

Betim Reçicica është kthyer përsëri në skenë. Njeriu që për shumë vite bartë mbi vete dyshime për korrupsion e dallavere sot është kthyer përsëri në institucionet e Kosovës. Reçicën sot Qeveria Hoti e ka rehatuar në Ministrinë e Tregtisë si kryeshef në një agjenci. Por, para tij sot është dorëzuar i ka mbyllur sytë komplet qeveria. Reçica dy vite më parë ishte bërë sekretar me dokumente të falsifikuara.

 

Betim Reçica, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, nga dita e sotme e ka një vend tjetër të punës.

Ai me aminin e qeverisë së Kosovës, që drejtohet nga Avdullah Hoti, është bërë kryeshef në Agjencinë Kosovare të Standardizimit në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Si ndodhi kjo, dhe pse u bë ky transferim nuk ka dhënë askush shpjegime. Vetëm se në një njoftim të gjatë të qeverisë është bërë e ditur vendimi.

“Katër vendime janë aprovuar në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar për transferimin në pozita të zyrtarëve të lartë drejtues.  Kurse, Betim Reçica, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës, transferohet në pozitën e kryeshefit në Agjencinë Kosovare të Standardizimit në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë”, thuhej në këtë njoftim.

Betim Reçica ishte shkarkuar nga posti i sekretarit në Ministrinë e Infrastrukturës në muajin shkurt të vitit të kaluar.

Me propozim të ministrit Lumir Abdixhiku, Izedin Bytyqi ishte emëruar sekretar i ri i ministrisë.

Mirëpo, ata që kanë vendosur ta kthjen Recicen në pozita shtetore kanë harruar se ai vite me parë ishte bërë sekretar me letra false.

Ne vitin 2018, derisa Ministria e Infrastrukturës udhëhiqej nga Pal Lekaj, shpalli konkurs për pozitën e Sekretarit të Përgjithshë

Kriter kryesor për t’u përzgjedhur në këtë pozitë ishte “së paku 8 vjet përvojë pune profesionale, përfshirë së paku 5 vjet ne nivelin drejtues, pas diplomimit në universitet”.

Për këtë pozitë, atë kohë aplikoj edhe Betim Reçica i cili edhe u përzgjodh si kandidat i suksesshëm. Kjo përzgjedhje erdhi pas shumë presioneve që ishin bërë mbi anëtarët e komisionit vlerësues nga ish-ministri Pal Lekaj, i cili në atë kohë ishte edhe anëtar i Këshillit për Emërime te Larta.

Por, a kishte Betim Reçica përvoje pune profesionale së paku 5 vite në nivelin drejtues?

Duke qenë se Betim Reçica nuk kishte asnjë ditë përvojë pune në pozita udhëheqëse, ai bëri një veprim të “guximshëm”.

Siç kishte raportuar Gazeta, rezulton se Betim Reçica ka falsifikuar dokumente për ta përmbushur këtë kriter, pra është zgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës pa pasur asnjë ditë përvojë pune në nivel drejtues.

Ai në CV-në e tij ka paraqitur një kontratë pune me kompaninë “Kuinda” ShPK nga Shqipëria, duke mashtruar se kinse ka punuar në ketë kompani nga viti 2006-2012 në pozitën Menaxher i Departamentit Ligjor.

Në dokumentet e siguruar tregohej se Betim Reçica ka punuar nga viti 2006 deri në vitin 2012 në Shqipëri, dhe këtu menjëherë lind dyshimi se si ka mundësi që ai ka punuar në atë kohë në Shqipëri përderisa ai është i punësuar në Ministrinë e Infrastrukturës që nga viti 2008 si zyrtar i Prokurimit.

Me datë 17 shkurt Gazeta kishte dërguar një email kompanisë në fjalë ishte pyetur në lidhje me kontratën e paraqitur nga Betim Reçica dhe në përgjigjen e dhënë kjo kompani e konfirmon se Betim Reçica asnjëherë nuk ka punuar në këtë kompani.

Madje kompania thotë se në organogramin e kësaj kompanie nuk figuron një pozitë e tillë.

“Dokumenti që ishte bashkëngjitur e-mail te derguar nga ju, nuk eshte lëshuar nga kompania jonë dhe as nuk mund të jetë kontratë pune sipas Kodit të Punës së Shqipërisë. është hera e parë që dëgjojmë për këte emër” thuhet në përgjigjen e kompanisë.

Kompania “Kuinda ShPK”, është një kompani distribucioni të pijeve të ndryshme. Në organogramin e saj nuk ekziston një Departament ligjor, as edhe një jurist i vetëm i punësuar aty, dhe sidomos nuk ekziston një Menaxher i këtij departamenti.

Kuptohet qartë që nga kompania “Kuinda” nuk mund të jenë paguar kontribute të sigurimeve shoqërore për zotërinë në fjalë” thuhet në vazhdimin e përgjigjes së kësaj kompanie.

Me poshtë shihni CV-në e Betim Reçicës, kontratën e falsifikuar të kompanisë “Kuinda” ShPK e cila është vetëm me vulë dhe e pa nënshkruar nga punëdhënësi.

Edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të Republikës se Shqipërisë ishte  konfirmuar se Betim Reçica asnjëherë nuk ka punuar në Shqipëri dhe as nuk është i regjistruar ne sistemin e të punësuarve në Shqipëri.

Sipas Kodit penal të Republikës së Kosovës falsifikimi i dokumenteve zyrtare është vepër penale e dënueshme deri në 5 vite burgim.

Vetura luksoze e Reçicës dhe konfiskimi nga policia

Betim Reçica në kohën sa ka qenë sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës e Ambientit ishte edhe i pranishëm shumë nëpër media.

E shkrimet për këtë zyrtar nuk kanë qenë për ndonjë të arritur e punë të mirë, por për skandale, si dhe luksin në të cilin jeton me një pagë të shtetit.

Ai raportohej se  mban veshur rroba prej mijëra euro dhe shëtitet me një veturë të tipit Audi, e cila ka vlerë prej 60 mijë euro.

Nëpër mediat e Kosovës, raportohej  për dhënien e tenderëve me favorizime, punësime, shantazhe në punë, e gjëra tjera të ndryshme që kanë ndodhur në Ministrinë e Infrastrukturës e Ambientit.

Në fakt sekretari i përfolur nëpër media, Betim Reçica, është njëri prej shembujve të çuditshëm se si një person me një pagë shteti, mund të vozitë veturë prej 60 mijë euro, vesh pallto në vlerë prej 2 mijë euro dhe viziton shtete të ndryshme të botës.

Reçica shihet duke vozitur veturën e tipit Audi, e cila është blerë vitin e kaluar dhe është në emër të vëllait të tij, Bekimit.

Kjo veturë luksoze, që vozitë sekretari Betim Reçica, sipas dokumentit thuhet se ka kushtuar rrafsh 60 mijë euro.

Mirëpo,  vetura e Bekim Reçicës, vëllau i ish-sekretarit, Betim Reçica, ishte Është sekuestruar.

Sekuestrimi i veturës luksoze është bërë nga Policia e Kosovës pas urdhrit të cilin e ka lëshuar Prokuroria Speciale.

Vetura luksoze e tipit “Audi RS 7”,  dyshohet nga policia se është përfituar në mënyrë të kundërligjshme.