Lajme

Në Kuvend kërkohet kthimi i shqiptarëve në pronat e veta në veri

Në Kuvendin e Kosovës po diskutohet lidhur me problemet e banorëve shqiptarë në veri të Mitrovicës dhe komunave të tjera në pjesën veriore të Kosovës lidhur me pengesat që u bëhen për tu kthyer në pronat e tyre dhe pengesat për renovimin e shtëpive të djegura gjatë luftës.

Valdete Idrizi e cila foli në emër të propozuesit të debatit ka thënë se strategjia e ashpër e Serbisë për shpopullimin e shqiptarëve ka qenë më e theksuar kohët e fundit. Sipas saj ndërtesat shumë-katëshe që po ndërtohen në veri janë hartime të planeve për “sjelljen e sa më shumë serbëve në këto lokalitete, për të rritur dominimin e serbëve”.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Ajo i ka ftuar partitë për krijimin e një strategjie për t’i kthyer shqiptarët në pronat e veta në veri.

Saranda Bogujevci nga LVV-ja ka thënë se janë rreth 500 prona të shqiptarëve në veri që mbeten të uzurpuara nga serbët.

“Edhe sot kjo pjesë e shtetit të Kosovës është vendi më i rrezikuar për t’u jetuar”, ka thënë ajo, derisa ka përmendur se nuk ekziston ende shkollë e as qendër mjekësorë.

“Serbia vazhdon kolonizimin me ndërtimin e 300 shtëpive në Luginë e Diellit që do popullohen me 1500 serbë nga Serbia. Në këtë vendbanim do ndërtohet një kishë, mjekësi familjare dhe objekte të tjera. Shqetësimi i banorëve në veri është ndërtimi agresiv nga ana e serbëve kundër shqiptarëve duke i shpopulluar këta të fundit”, tha ajo.

Sipas saj, institucionet shtetërore të Kosovës “jo vetëm që kanë injoru por kanë kontribuar direkt në shtrirjen e strukturave paralele dhe kontroll nga Serbia në këto anë”.

Saranda Musliu nga LDK-ja tha se kjo situatë në veri duhet t’i alarmojë se sa serioze është gjendja atje.

“Kjo situatë duhet të na alarmojë që të bëjmë përpjekje për të ndaluar hovin e diskriminimit aty. Na takon të gjithëve të veprojmë në kuadër të kompetencave që i kemi”, tha ajo.

Abelard Tahiri nga PDK tha se pas shpalljes së pavarësisë, Kosova në veri nuk ka pasë institucionet të veta, deri në vitin 2011, teksa shton se me qeverisjen e PDK-së është vendosur kontrolli atje.

“Nga 2011 e tutje kur ka fillu shtrirja e institucioneve në atë pjesë, vendosja e pikave doganore, është ndalë në masë të madhe kontrabanda edhe pse ka ende zhvillim i kësaj dukurie. Çështja e zgjidhjes së këtij problemi dhe vendosjes së kontrollit të sovranitetit ka ndodhur me qeverisjet e PDK-së dhe është mbështetur edhe nga partitë tjera”, tha ai.

Time Kadrijaj nga AAK ka thënë se situata në veri të Mitrovicës që nga paslufta ka ndikuar që shqiptarët të ndjejnë mos përkatësi për shkak të mosqasjes në institucione arsimore e mjekësore.

Arbëreshë Krasniqi nga Nisma po ashtu ka kërkuar krijimin e kushteve për shqiptarët që të rikthehen në pronat e tyre në veri.

Ndërkaq, në mungesë të kuorumit nuk është hedhur në votim Projektligji për të drejtat pronësore të shtetasve të huaj në Kosovë. PDK-ja dhe VV-ja kanë dalë kundër këtij projektligji.