Lajme

Në Ditën e Mësuesit, Bekim Jashari ndan para dhe mirënjohje për mësimdhënësit

Kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, në Ditën e Mësuesit ka ndarë një shumë simbolike prej 50 eurosh dhe mirënjohje për 52 mësimdhënësit e dalluar të kësaj komune, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit, me këtë rast Jashari u shpreh se edukimi i mirëfilltë është baza e zhvillimit të shoqërisë.

“Tutje para mësimdhënësve deklarova po ashtu se viti që lëmë pas ishte vit i vështirë, për të gjithë, e në veçanti për mësimdhënësit, puna e tyre e pandalshme pavarësisht rrezikut nga përhapja  e pandemisë është mision fisnik dhe sakrificë për shtetin dhe shoqërinë. Andaj shpreha falënderim për këmbëngulësinë e tyre në realizimin e misionit fisnik në shërbim të shtetit e shoqërisë”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.

Postimi i plotë:

Sot në këtë ditë të shënuar historike, në këtë ditë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Ditën e Mësuesit, në shenjë respekti për kontributin e tyre ndava mirënjohje dhe një shumë simbolike prej 50 euro për 52 mësimdhënësit më të dalluar të komunës sonë, për vitin shkollor 2020-2021.

Në këtë ceremoni pranova mirënjohje në emër të familjes nga shkolla fillore “Azem Bejta” në Prekaz.

Me këtë rast deklarova se edukimi i mirëfilltë është baza e zhvillimit të shoqërisë. Këtë e kuptuan drejtë dhe me kohë mësuesit tonë të parë në Drenicë, gjyshi im Shaban Jashari, i cili asnjëherë nuk u ndal së shërbyeri vendit në edukimin e fëmijëve  dhe mishërimin e tyre me vlera patriotike e atdhedashuri.

Rrugën e gjyshit Shaban dhe mësuesve të parë në Drenicë e pasuan me shumë përgjegjësi gjenerata të tëra mësuesish të cilët nuk u ndalen as në kohë lufte duke dhënë më të mirën në edukimin e të rinjve dhe përgatitjen e tyre për t’i shërbyer vendit e për t’i dalë zot vatanit.

Tutje para mësimdhënësve deklarova po ashtu se viti që lëmë pas ishte vit i vështirë, për të gjithë, e në veçanti për mësimdhënësit, puna e tyre e pandalshme pavarësisht rrezikut nga përhapja  e pandemisë është mision fisnik dhe sakrificë për shtetin dhe shoqërinë. Andaj shpreha falënderim për këmbëngulësinë e tyre në realizimin e misionit fisnik në shërbim të shtetit e shoqërisë.

Duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë e shkollimit e edukimit, si kryetar i Komunës së Skenderajt prioritet të veçantë i kam dhënë përkrahjes së arsimit në komunën tonë, mësimdhënësve, trajtimit dinjitoz të tyre dhe krijimit të kushteve të përshtatshme për procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies.

Në këtë drejtim, kemi bërë investime në shumë shkolla, duke u nisur nga infrastruktura shkollore e sportive e deri tek realizimi i pagesave të shujtave për mësimdhënësit e komunës sonë.

Përkrahja për mësimdhënësit nuk do të mungojë asnjëherë dhe kështu do të vazhdojmë që së bashku të shënojmë rezultate edhe më pozitive në avancimin e arsimit në komunën tonë.

Të dashur mësimdhënës, Urime 7 marsi- Dita e Mësuesit!

Ashtu siç ndriçoni rrugën e fëmijëve e të rinjve tonë ashtu qoftë jeta juaj çdo herë!