Kult

Në 250-vjetorin e lindjes: Gjeniu i muzikës Ludwig van Beethoven

Xhezair ZAGANJORI* – Më 16 dhjetor është ditëli

Xhezair ZAGANJORI* – Më 16 dhjetor është ditëlindja e Beethovenit. Këtë vit mbushen plot 250 vjet nga lindja e këtij gjeniu të jashtëzakonshëm, i cili me risitë dhe natyrën inovative të muzikës që krijoi, bëri një herë e përgjithmonë ndryshime madhore në botën e mrekullueshme të muzikës klasike. Bukuria dhe vlera e kompozimeve të tij mbeten shumë të dashura e frymëzuese edhe sot pas rreth dy shekujve e gjysmë. Sepse ato i afrohen perfeksionit apo edhe hyjnores. Ato të japin forcë e kënaqësi pa fund, të çlodhin, të edukojnë, i japin kuptim jetës, të nxisin të duash e respektosh të tjerët, të ndihmojnë në realizimin e idealeve dhe veprimtarive pozitive që çojnë përpara shoqërinë. Mjafton të përmendim këtu simfonitë, mes të cilave edhe simfoninë e magjishme dhe të fundit të tij me numrin nëntë, e cila vazhdon të konsiderohet se është ndërtuar mbi një art të mbinatyrshëm, i cili kapërcen edhe elementët normalë të dhuntive apo të talentit njerëzor. Përveç simfonive, mund të evidentohen edhe një numër i konsiderueshëm i sonatave, koncerteve për piano dhe për violinë, kuarteteve, e të tjerë. “Odeja e Gëzimit”, pra finalja e Simfonisë 9, për shkak të madhështisë që ka e mesazheve që transmeton, nga viti 1972 është bërë himni zyrtar i Bashkimit Europian. Pikërisht për këto arsye, veprat e Beethovenit i gjen të luhen edhe sot nga artistët më të mëdhenj të globit e në qendrat kulturore më të njohura të botës, si në Berlin e Nju-Jork, Hamburg e Mynih, Paris e Londër, Romë e Milano, Amsterdam e Bruksel, San Francisko e Çikago, Tokio e Seul, Shën Petersburg e Moskë, Tel Aviv e Shangai, Madrid e Zyrih, e të tjerë. Të gjitha këto e bëjnë Ludwig van Beethovenin të konsiderohet shpesh si kompozitori më i madh e më i veçantë i të gjitha kohërave.
Pikërisht për këto arsye, periudha nga 16 dhjetori i vitit 2019 deri më 17 dhjetor të këtij viti (2020) është shpallur në Gjermani si viti i Beethovenit. Me këtë rast, brenda kësaj periudhe njëvjeçare, ishin planifikuar të zhvilloheshin aktivitete të shumta me veprat kryesore të krijimtarisë së tij, si dhe mbi veprimtarinë profesionale e personale të këtij artisti të madh, si: koncerte të shumta të përmasave, llojeve e me natyrë të ndryshme; ekspozita me fotografi, dokumente e objekte të ndryshme; bashkëbisedime e debate me studentë, kritikë arti, krijues dhe studiues; realizimi i mjaft botimeve për një publik shumë të gjerë mbi jetën dhe punën e Beethovenit, e të tjerë. Nuk duhet harruar këtu edhe rinovimi e përgatitja tërësore e dy shtëpive-muze me emrin e Beethovenit, një në Bon dhe një në Vjenë, në të cilat ai kaloi i vetëm 56 vitet e jetës së tij të ndarë pikërisht në dy periudha: në periudhën e parë në Bonn, nga lindja deri në moshën 22-vjeçare (deri në vitin 1792), dhe në periudhën e dytë në Vjenë, ku punoi e krijoi shumicën e veprave, nga viti 1792 deri në vdekjen e tij në vitin 1827 (34 vjet). Ishte menduar ndërkaq që të përgatitej për përdorim pjesor edhe puna e ndërprerë nga Beethoveni për shkak të vdekjes, me simfoninë e tij nr.10. Por fatkeqësisht, pandemia COVID-19 pengoi dukshëm në realizimin me përpikëri të këtij programi të madh njëvjeçar. Brenda mundësive të krijuara nga kufizimet e pashmangshme, janë realizuar vetëm disa nga aktivitetet e planifikuara.
Më poshtë do të përpiqemi të japim në mënyrë të përmbledhur disa nga të dhënat kryesore rreth jetës e krijimtarisë së Beethovenit. Punë kjo jo e lehtë, aq më tepër që hapësira që lejon botimi i një informacioni te tillë në një gazetë, është e kufizuar. Vështirësia shtohet edhe më shumë kur mendon se mbi këtë temë po shkruan një jurist, i cili nuk i përket botës së mirëfilltë të muzikës, pavarësisht se si çdo intelektual apo njeri normal, përpiqet të konsumojë edhe muzikë. Sidoqoftë, përveç aspektit emocional, motivimin personal për këtë shkrim e kam edhe nga jeta në Bonn në vitet e largëta 1992 – 1997, kur isha në shërbimin diplomatik. Boni, një qytet i vogël administrativ, u bë pas Luftës së Dytë Botërore kryeqyteti i Gjermanisë Federale (deri në vitin 1999). Për këtë arsye, për rreth pesë dekada ishte një nga qendrat kryesore e më të rëndësishme të vendimmarrjes politike në nivel kombëtar, europian e botëror. Por në këndvështrimin kulturor apo artistik, qyteti i Bonit ka një veçanti të dukshme. Ai është i lidhur pazgjidhshmërisht me figurën e Beethovenit, i cili lindi dhe kaloi rininë e tij në këtë qytet. Pikërisht aty mori edhe mësimet fillestare për muzikë si dhe realizoi disa nga kompozimet e para, që e bënë të dallohej si talent i veçantë, duke i krijuar njëkohësisht edhe mundësinë të shkonte për të studiuar, kompozuar e jetuar në Vjenë, kryeqytetin botëror të muzikës klasike. Në këto kushte, vizitat turistike që bëhen në këmbë në qendër të qytetit të këndshëm të Bonit, kanë një ritual në të cilin mbisundon informacioni për kompozitorin e madh. Vizita e parë bëhet si rregull në Teatrin e Operës së qytetit, në fund të rrugës “Konrad Adenauer” dhe pranë lumit të Rinit. Në lëndinën pranë këtij Teatri është një skulpturë interesante me pllaka guri. E veçanta e saj është se, kur je pranë, nuk dallon gjë tjetër veçse një grumbull të çrregullt. Me largimin gjithnjë e më tepër, shihet gjithnjë e më qartë që hijet e këtyre pllakave me njëra-tjetrën, krijojnë mjaft bukur figurën e plotë të Beethovenit. Pak më tutje ndodhet gjithashtu Salla Qendrore e shfaqjeve të qytetit me emrin “Beethoven”, e cila shfrytëzohet për aktivitete të ndryshme artistike, politike e kulturore. Më pas, për pak minuta, duke kaluar mes Universitetit e Bashkisë së qytetit, mund të futesh në rrugicën Bonngasse, diku nga mesi i së cilës (ndërtesa me nr.20) ndodhet edhe shtëpia ku ka lindur e është rritur Bethoveni, e cila sigurisht që është shtëpi-muze. Nga aty mund të dilet në sheshin qendror të qytetit, në Munsterplatz, në mes të të cilit është vendosur gjithashtu një monument mjaft i madh në bronz, me trupin e Beethovenit në këmbë. Qyteti ka gjithashtu edhe një gjimnaz që mban emrin e tij, e të tjerë.
Ludwig van Beethoven ka lindur pra në Bonn, më 16 dhjetor të vitit 1770. Mësimet e para për muzikë i mori që në fëmijëri nga babai i tij Johann Beethoven, i cili punonte në korin e kishës së qytetit. I ati nuk dallohej shumë si muzikant e për më tepër ishte i dhënë pas alkoolit, gjë që do të bëhej shkak më vonë për humbjen e vendit të punës dhe sëmurjen e tij. Më 26 mars të vitit 1778, në moshën 7-vjeçare, Ludwig van Beethoven do të jepte në qytetin e Këlnit, në afërsi të Bonit, koncertin e parë recital për piano, i cili u prit mjaft mirë. Në vitin 1781, në moshën 10-vjeçare, ai largohet nga shkolla, për t’iu përkushtuar tërësisht mësimit të muzikës me mësues privat. Një vit më vonë Beethoven do të bënte publike e do të botonte kompozimet e tij të para, si një set i veçantë variacionesh për piano. Në vitin 1783, i shoqëruar nga nëna e tij, ai do të shkojë në Holandë (Teatrin Kombëtar në Hagë) për të interpretuar në piano para anëtarëve të familjes mbretërore. Në vitin 1784 fillon të punojë në Kishën e qytetit Bonn si instrumentist (organist), për të mbajtur familjen, pasi babai i tij ishte shumë i sëmurë. Duke vlerësuar talentin e tij, tre vjet më vonë, në vitin 1787, pra kur ende ishte 16 vjeç, Kisha e qytetit e dërgon të studiojë për muzikë në Vjenë, me mendimin se aty do të mund të merrte mësime nga kompozitori i shquar Wolfgang Moxart. Por pas një qëndrimi të shkurtër në Vjenë, Beethoven detyrohet të kthehet shpejt në Bonn për shkak të vdekjes së nënës së tij. Thuhet se gjatë këtij qëndrimi të shkurtër në Vjenë ai nuk pati mundësi të takojë Moxartin. Megjithatë, përmendej gojarisht se Moxarti e kishte vëzhguar atë duke luajtur në piano dhe u kishte thënë kolegëve “Mbajini sytë te ky djalë. Një ditë ai do t’i japë botës diçka me shumë vlerë”. Në vitin 1790, duke qenë sërish në Bonn, Beethoven tashmë 19 vjeç, me porosi të veçantë kompozon pjesën muzikore “Kantatë për Vdekjen e Perandorit Josefi i II”, e cila konsiderohet edhe sot si një vepër muzikore me shumë vlerë. Në vitin 1792, përsëri me mbështetjen e Kishës së Bonit, Beethoven shkon sërish në Vjenë, i ftuar tashmë drejtpërsëdrejti nga kompozitori tjetër i shquar Joseph Haydn, i cili pas vdekjes së Moxartit në vitin 1791, konsiderohej si kompozitori më i madh i kohës. Beethoven do të bëhej shpejt një nga nxënësit e tij më të zellshëm. Brenda një kohe të shkurtër ai do të bëhej gjithashtu mjaft i njohur në Vjenë si pianist virtuoz, veçanërisht për shkak të improvizimeve të çastit gjatë performancës artistike. Për këtë arsye, Beethoven filloi të ftohej për koncerte në sallonet më të njohura vjeneze, gjë që i krijoi mundësinë të sigurojë mjaft sponsorë të fuqishëm dhe të krijojë shoqëri e miqësi të shumta në aristokracinë e qytetit. Nga shkurti deri në korrikun e vitit 1796, Beethoven bëri një tur të shkëlqyer me koncerte të shumta në disa qytete europiane, në Pragë, Drezden, Leipzig, Berlin, Bratislavë dhe Budapest, përmes të cilëve u bë mjaft i njohur edhe në nivel ndërkombëtar. Më pas, do të kompozonte e botonte në Vjenë disa pjesë interesante për piano, violinë dhe orkestër. Më 2 prill 1800, ai do të paraqitej në Teatrin Perandorak me projektin e parë madhor, Simfoninë nr.1. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Muzika e simfonisë së prezantuar ishte mjaft e dashur dhe e ëmbël për publikun vjenez, gjë që tregonte se Beethoven, tashmë vetëm 29-vjeçar, do të bëhej shpejt një kompozitor shumë i madh. Periudha në vijim do të shoqërohet me një prodhimtari artistike shumë të begatë. Ai kompozon shumë pjesë për muzikë dhome, kryesisht kuartete për harqe (me dy violina, një violë dhe një kundrabaz), e cila ishte mjaft e përhapur në atë kohë, pasi ishte sjellë si risi më parë në Vjenë nga Moxart dhe Haydn. Por zhvillimi i këtij zhanri dhe niveli ndryshe kompozicional i paraqitur nga Beethoven, tregonin mjeshtërinë e rrallë të tij në këtë lloj muzike mjaft të vështirë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për shumë sonata e koncerte për piano apo për violinë të kompozuara prej tij gjatë kësaj periudhe. Por ndërkaq fillon të ketë probleme me dëgjimin. Përmes një letërkëmbimi të vitit 1801, për herë të parë mbi këtë çështje ai informon shokun e tij të fëmijërisë në Bonn, mjekun Franz Wegeler. Ndër të tjera, në këtë letër thuhet se “Dua t’ju njoftoj se po bëj një jetë të trishtuar…, pasi nuk jam duke marrë pjesë në jetën sociale, sepse e kam të vështirë t’u them njerëzve se jam duke u shurdhuar. Po të kisha një profesion tjetër, do të kisha qenë në gjendje ta përballoja më mirë këtë sëmundje. Por në profesionin që kam, kjo është një pengesë e tmerrshme”. Megjithatë, sëmundja e pamëshirshme bën punën e vet. Ajo vazhdon të avancojë, duke vështirësuar shumë dëgjimin e duke ndryshuar njëkohësisht edhe karakterin e tij. Beethoven bëhet nevrik, i padurueshëm, asocial e grindavec. Në këtë gjendje vuajtjeje, hidhërimi e dëshpërimi ekstrem, ai mendon edhe vetëvrasjen. Më 6 tetor të vitit 1802, ai shkruan të famshmin “Testament i Heiligenstadt-it”, që nuk është gjë tjetër veçse letra e lamtumirës që i drejtohej një prej vëllezërve të tij. Në fakt, në momentin e fundit, Beethoven vendos të mos vetëvritet, ndaj nuk e dërgon letrën e shkruar. Ky dokument i veçantë jetësor do të zbulohej në shtëpinë e tij në Vjenë vetëm pas vdekjes. Sidoqoftë, ndër të tjera aty shkruhet: “Oh ju njerëz, sa shumë gaboni kur thoni e mendoni se unë jam grindavec, kokëfortë apo mizantrop. Ju nuk e dini sekretin që më bën të shfaqem i tillë me ju, për të cilin duhej t’i kisha dhënë me kohë fund jetës sime. Ka qenë vetëm arti që bëj, që më ka detyruar të mbetem gjallë…. Ah, ka qenë e pamundur për mua ta lë këtë botë, pa realizuar të gjithë atë që ndjej brenda meje”. Por siç u theksua, fatmirësisht ai nuk e bëri këtë veprim. Në të kundërt, me një vullnet mbinjerëzor, në mënyrë të pabesueshme, ai vazhdoi të kompozojë vepra edhe më të mrekullueshme, duke befasuar e frymëzuar publikun e gjerë, pavarësisht se dëgjimi iu shua përfundimisht. Në dhjetë vitet e fundit të jetës, bashkëbisedimin me njerëzit e bënte vetëm përmes shkrimit në bllokun e shënimeve që mbante gjithnjë me vete. Ndërsa kompozimeve të shumta të tij në Vjenë, pa pasur fare mundësinë t’u dëgjonte muzikën që prodhonte pa pushim.
Në këtë kuadër, ndër të tjera, në mënyrë kronologjike mund të përmenden shkurtimisht vetëm disa prej tyre. Kështu, po në vitin 1802, ai paraqet sonatën shumë të njohur romantike me emrin “Moonlight”, kushtuar ish-nxënëses së tij Xhulieta Guicciardi. Në fakt, titulli zyrtar i këtij kompozimi është “Sonata për Piano nr.14”. Ajo do të merrte emrin poetik “Moonlight” në vitin 1832, pra pesë vjet pas vdekjes së Beethovenit, në kohën kur shkrimtari i njohur gjerman Ludwig Rellstab do të shkruante se “tingujt e parë të saj shfaqen për dëgjuesin ashtu si drita e Hënës mbi Liqenin e Lucernës”. Në vitin 1803, ai vuri në skenë Simfoninë nr.2, dedikuar mikut të ngushtë të tij, aristokratit Karl Alois, apo ndryshe Princit Lichnowsky, në të cilën me mjeshtëri të rrallë pasqyrohet jo vetëm forca e vrulli i jetës, por edhe vdekja e pashmangshme, dilema të mëdha këto që shoqëruan veçanërisht në këtë periudhë jetën e Beethovenit. Në krijimtarinë e bollshme e të larmishme të vitit 1803 mund të përmendet edhe pjesa muzikore me natyrë fetare (Oratorio) “Krishti në Malin e Ullinjve”. Në vitin 1804 ai do të përfundonte Simfoninë nr.3, me titullin “Eroica” (Simfonia Heroike), e cila konsiderohet si një nga simfonitë më të rëndësishme të tij, pasi bën dukshëm kalimin përfundimtar nga muzika romantike në muzikën klasike, e cila tashmë dallon qartë për nga organizimi, intensiteti dhe forca që përcjell në publik. Pikërisht për këto arsye, që në vitin 1802 kur fillon ta kompozojë, në faqen e parë ai shkruan se këtë simfoni ia kushton Napoleon Bonapartit, i cili sipas tij personifikonte në atë kohë idealet republikane, demokratike e antimonarkike të Revolucionit Francez. Por në vitin 1804, kur tashmë Simfonia nr.3 ishte drejt përfundimit, ai merr vesh që Napoleon Bonaparti e kishte shpallur veten Perandor. I zemëruar, Beethoven do të shprehej se ai (pra Bonaparti si Perandor) “…nuk do të jetë gjë tjetër veçse një vrasës i zakonshëm, i cili, për të kënaqur ambiciet e tij, do të nëpërkëmbë të drejtat e qytetarëve. Ai do të bëhet kështu tiran, që e konsideron veten mbi njerëzit e thjeshtë”. Këtë deklarim ai e shoqëron edhe me grisjen e faqes së parë të simfonisë ku shkruhej emri i Napoleonit. Në nëntorin e vitit 1805, do të luhej në Vjenë premiera e operës me titull “Fidelio”, e cila është në fakt edhe opera e vetme e kompozuar nga Beethoven. Temë qendrore e saj është liria individuale, të cilën ai e kishte shumë për zemër. Një nga personazhet kryesore, Leonora, e veshur si gardian burgu, përmes rreziqeve e sakrificave të shumta, arrin të shpëtojë nga vdekja e sigurt bashkëshortin e saj Fidelio, të dënuar për arsye politike. Në thelbin e saj opera bën apel për të luftuar me vendosmëri e deri në fund për çështjen madhore të lirisë e të drejtësisë së vërtetë në shtet e shoqëri. Një nga momentet e veçanta të operës është zëri i fuqishëm i korit të të burgosurve politikë (ashtu siç do të jetë më vonë edhe tek opera “Nabucco”, kompozuar nga Xhuzepe Verdi më 1841), me odenë “Oh çfarë gëzimi”, përmes së cilës i këndohet lirisë. Në fakt, kjo operë i kushtoi shumë kohë Beethovenit. Duke kërkuar perfeksionin, ai do ta ripunonte më pas atë edhe dy herë të tjera, një herë në vitin 1806 dhe herën e dytë më 1814.
Në vitin 1806, Beethoven do të përfundonte e paraqiste për publikun tri pjesë shumë interesante për kuartet me harqe, me titull “Rasumovsky”, dedikuar ambasadorit rus në Vjenë, Kontit Andreas Rasumovsky, i cili edhe i kishte porositur. Kjo është edhe arsyeja që këto pjesë kanë mjaft elementë të muzikës popullore ruse.
Është interesante të theksohet se në vitet 1805 – 1808, Beethoven do të punonte njëkohësisht me tri simfoni, atë me numër katër, me numër pesë dhe me numër gjashtë. Veçanërisht Simfonia nr. 5, vënë në skenë në vitin 1808, konsiderohet si një nga kulmet e suksesit të tij artistik. Ajo u quajt njëkohësisht edhe simfonia e fatit, sepse i tillë është edhe motivi kryesor i saj. Forca, mesazhet, frymëzimi dhe gjallëria e pazakontë që përcjell ajo, konsiderohen si të papërsëritshme në botën e muzikës. Ajo vlerësohet edhe tani si simfonia betoviane më e luajtur në shkallë botërore dhe si pikë referimi e padiskutueshme për muzikën perëndimore në tërësi. Jo vetëm kaq, por nisur edhe nga numri romak V, për Perëndimin ajo u bë edhe simboli i fitores. Si e tillë, ajo u përdor gjerësisht nga Forcat Aleate edhe në Luftën e Dytë Botërore, veçanërisht pas përdorimit të saj për herë të parë që në vitin 1940 nga personaliteti i shquar e burri i madh i shtetit Winston Cërcill. Në vitin 1810, Beethoven do të kompozonte pjesën muzikore për piano “Për Elizën”, mjaft e njohur gjerësisht edhe sot për romantizmin, ëmbëlsinë dhe tingullin e veçantë melodioz që ofron. Mendohet së këtë vepër ai ia kushtoi njërës prej dy nga shoqet e tij më të mira në Vjenë, aristokrates Therese Malfati ose sopranos së njohur gjermane Elisabeth Rockel. Simfonia nr.7 është vënë në skenë në dhjetorin e vitit 1813 dhe është pritur mjaft mirë nga kritika dhe publiku vjenez. Premiera e kësaj simfonie u përdor gjithashtu edhe për dhënien e donacioneve për ushtarët austro-bavarezë të plagosur rreth një muaj e gjysmë para këtij aktiviteti artistik në Betejën e Hannaut (qytet gjerman), kundër trupave të Napoleon Bonapartit (betejë e zhvilluar më 30 – 31 tetor 1813). Vetë Beethoveni do të theksonte në fjalën përshëndetëse të premierës se ne nuk duhet të frymëzohemi nga asgjë tjetër më shumë sesa “nga patriotizmi… i atyre që sakrifikuan aq shumë për ne”. Shumë vite më vonë, kompozitori i shquar gjerman Richard Wagner, do ta konsideronte këtë simfoni si më të mirën e më frymëzuesen të kompozuar nga Beethoven. Vlen të theksohet se në vitin 1815, Beethoven do të kishte kënaqësinë të performonte me një koncert të veçantë edhe gjatë punimeve të Kongresit të famshëm të Vjenës, në të cilin Fuqitë e Mëdha të kohës ishin mbledhur për të përcaktuar aleancat dhe fatet e Europës pas disfatës përfundimtare të Napoleon Bonapartit. Vlerësohet se publiku i shumtë ndërkombëtar që mori pjesë në këtë koncert, mbeti i mahnitur prej tij. Në të njëjtën kohë, përmes këtij koncerti Beethoven arriti të sigurojë edhe të ardhura të konsiderueshme, kryesisht për shkak të “zemërgjerësisë” së treguar në këtë drejtim nga bashkëshortja e Carit rus.
Në vitin 1820, për shkak të emërimit të mikut, nxënësit dhe shokut të tij, Arkidukës Rudolf, si Kryepeshkop i qytetit Olmutz, Beethoven do të kompozonte veprën “Missa Solemnis”, si një punim i veçantë me solistë e kor kishtar. Kjo vepër që luhet në 90 minuta, vlerësohet shumë për finesën, teknikën e jashtëzakonshme si dhe harmoninë që e përshkon atë në tërësi.
Simfonia nr.9, që është njëkohësisht edhe simfonia e fundit e Beethovenit, është filluar të shkruhet në vitin 1822 dhe është vënë në skenë në vitin 1824. Finalja e saj mjaft e gjatë në kohë, mban titullin “Ode of Joy” (Odeja e Gëzimit). Ajo bashkon në mënyrë të mrekullueshme melodinë e magjishme të Beethovenit me fjalët e poemës me të njëjtin emër të shkrimtarit të shquar gjerman Friedrich Schiller, me të cilin kishte korrespondencë e miqësi edhe vetë kompozitori i madh (ashtu si edhe me poetin e madh Gëte). Katër soliste, kori i fuqishëm dhe tingujt e fortë e të pazakontë të instrumenteve të orkestrës, të lidhur e koordinuar mes tyre me një teknikë kompozicionale unike, prodhojnë njëkohësisht së bashku një atmosferë të zhurmshme e të jashtëzakonshme, e cila të jep emocione, frymëzim e kënaqësi të veçantë. Mesazhi është i qartë: të gjithë njerëzit e planetit Tokë, pa dallim për shkak të etnisë, gjuhës, racës, bindjeve apo besimit, duhet të jenë pranë njëri-tjetrit për të festuar e gëzuar së bashku, sepse vetëm kështu arrihet mirëkuptimi e krijohet uniteti i qëndrueshëm mes tyre. Imagjinohet kështu një vëllazëri utopike dhe e përgjithshme për mbarë njerëzimin, përmes së cilës promovohet ndjenja e solidaritetit, humanizmit dhe e dëshirës për jetën në planetin tonë. Për këto arsye, përsërisim se e gjithë Simfonia nr.9 është vlerësuar e vlerësohet gjithnjë për nivelin e lartë kompozicional, unitetin organik të muzikës si dhe idetë e rëndësishme e të thjeshta njerëzore që përcjell. Megjithatë, finalja e saj konsiderohet shpesh si pjesa më e famshme dhe më impresionuese në të gjithë historinë e gjatë e të bukur të historisë së muzikës. Filozofi i shquar gjerman Friedrich Nietzsche vinte në dukje se gjatë kompozimit të kësaj pjese të Simfonisë nr.9, Beethoven “…duhet të ketë ndjerë se po fluturon mbi Tokë, mes një hapësire qiellore të mbushur me yje dhe me ndjesinë e pavdekësisë në zemër; të gjithë yjet i duket se vagëllojnë rreth tij, ndërsa Toka i duket se zhytet e zvogëlohet gjithnjë e më thellë larg atje poshtë”. E kur mendon se e gjithë kjo kryevepër është kompozuar në kohën kur autori ishte tërësisht i shurdhër, padyshim që mund të thuhet se gjenialiteti i tij merr këtu përmasa biblike.
Në nëntor të vitit 1826, Beethoven detyrohet të bëjë udhëtimin e tij të fundit të gjatë. Duhej të vizitonte vëllain dhe nipin që jetonin në afërsi të qytetit Krems, rreth 200 km larg nga Vjena. Gjatë kthimit sëmuret rëndë. Vdes më 26 mars të vitit 1827 në shtëpinë e tij në Vjenë. Më 29 mars bëhet varrimi, në të cilin morën pjesë më shumë se 10 mijë vetë. Merr fund kështu jeta e kompozitorit të madh Beethoven. Megjithatë, muzika e tij do të jetë e përjetshme.
*Tiranë, 15 dhjetor 2020