Maqedoni

Ndotja e ajrit, shqetësim i madh për vendin

Ndotja e ajrit për disa ditë më parë e renditi Kumanovën si njëri nga qytetet më të ndotura. Sipas raporteve ndërkombëtare në sezonin e ngrohjes dendësia e grimcave PM10 në ajër shumëfishohet nga ngrohja me derivate fosile. Qytetarët ankohen për ndotje enorme të ajrit.

“siç e shihni ajri është shumë i ndotur nga të gjitha anët. Ngrohen kush me çfarë të munden, me goma ose me dru, çka të gjejnë me atë do të ngrohen. Çfarë masa duhen të merren? Masa kryesore është që të bëhet sistemi qendror i ngrohjes me gaz për të gjithë dhe të jepet vendim që mos të vazhdohet të përdoren derivate të tilla të dëmshme për ambientin.”

Për të parandaluar këtë trend negativ, në këtë qytet po zhvillojnë shtrirjen e rrjetit të gazifikimit. Shkolla fillore “Bajram Shabani” është njëra nga 30 institucionet publike të Kumanovës që u pajis me sistemin e ngrohjes me gaz natyror. Nga Ndërmarrja Publike “Kumanovo-Gaz” thonë se interesimi është i madh edhe nga amvisëritë, të cilët deri më tani kanë bërë mbi 250 kyçje në sistem. Sipas drejtorit Nikolla Denkovski, lidhja e re kushton 650 euro, por komuna ndan subvencione prej 10 mijë denarësh për amvisëritë.

 Ky rrjet i shpërndarjes vazhdimisht po zgjerohet, për momentin kemi të ndërtuar rreth 17 km rrjet shpërndarës me tendencë të rritjes vit pas viti. Pengesa kryesore e shtrirjes së këtij rrjeti janë mjetet financiare. I bëj thirrje qeverisë, cilado qoftë ajo e tashmja e kaluara apo e ardhshmja që t’i kushtojë më tepër vëmendje të kësaj ndërmarrje publike për të mundësuar më tepër mjete financiare që të shtrihet ky rrjet shumë më tepër se sa që është tani- tha Nikolla Denkovski, N.P.“Kumanovo-Gaz” .

Qytetarët thonë se janë me fat për shkak të kalimit në këtë rajon të tubit të gazsjellësit kryesor që prej Ukrainës kalon përmes Maqedonisë së Veriut, pikërisht në afërsi të Kumanovës. Ndërsa, autoritetet thonë se që nga themelimi i ndërmarrjes publike për gaz në vitin 2005, kyçja e parë në sistem është bërë pas 5 vjetësh, në shtëpinë e të moshuarve.

 Adnan Qaili

 

Loading…