Sport

Ndahet nga jeta ish-futbollisti i kombëtares dhe ikona e klubit Partizani. I shpallur 7 herë kampion, autor i golit të parë historik në Irlandë

Ikona e klubit Partizani dhe futbollit shqiptar

Ikona e klubit Partizani dhe futbollit shqiptar Robert Jashari është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare.



Klubi i kuq në një reagim në rrjetet sociale, ku shpreh ngushëllimet për familjen dhe të afërmit e Robert Jasharit, thotë se futbolli shqiptar ka humbur një kolos.

 Jashari ka qenë titullar për shumë vite me Partizanin por edhe me skuadrën kombëtare.

Ai është autori i golit të parë historik gjysmë shekulli më parë në Irlandën e Bestit.

“Robert Jashari rregjistron një karrierë të papërsëritshme, unik në stilin e të luajturit, po kështu edhe në drejtim si trainer”, shkruan klubi i Partizanit në postimin në rrjetet sociale.

 POSTIMI I KLUBIT TË PARTIZANIT –

“LAMTUMIRË KAMPIONI YNË ROBERT JASHARI!

Familja e kuqe dhe futbolli shqiptar humbën një kolos.

Me keqardhje të thellë njoftojmë sot lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta në moshën 83 vjeçare të ikonës së klubit Partizani dhe futbollit shqiptar Robert Jashari.

Titullar për shumë vite me Partizanin e madh dhe i skuadrës kombëtare, autori i golit të parë historik gjysmë shekulli më parë në Irlandën e Bestit. Ai rregjistron një karrierë të papërsëritshme, unik në stilin e të luajturit, po kështu edhe në drejtim si trainer.

Në karrierën e tij 15-vjeçare, Jashari është shpallur 7 herë kampion dhe fitues i 6 kupave me Partizanin.

Në tri sezone: 1962-’63, 1963- ’64, ’64-’65 Jashari është shpallur tre herë radhazi  golashënuesi më i mirë shqiptar.

Ai ishte pjesëtar i skuadrës së Partizanit, triumfues me medaljet e argjendta në dy turnetë më të famshëm të kohës, në Lajpcig në vitin 1958 dhe në Hanoi në dhjetor të ’63-shit. Në këtë të fundit ka qenë shënuesi më i mirë, me 11 gola.

Në moshën 21-vjeçare, në vitin 1958 Jashari ka marrë titullin “Mjeshtër Sporti”.

Kur u tërhoq nga futbolli i luajtur, jeta dhe karriera sportive e tij mbeti e lidhur vetëm me klubin Partizani, si futbollist dhe trajner.

Klubi i Futbollit Partizani i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve.

I paharruar kampioni ynë Robert Jashari”