Lajme

Musliu: Kemi kërkuar nga shefi i AKI-së informacione për incidentin në veri e “non-paperin”

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjenc

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Ganimete Musliu, ka thënë se në takimin me drejtorin e kësaj agjencie, Petrit Ajetin, kanë kërkuar informacione për incidentin e alpinistëve në veri të Mitrovicës si dhe qarkullimin e një dokumenti i quajtur “non-paper”, përcjell Insajderi.

Musliu ka njoftuar se këto ishin dy pyetjet kryesore që ajo dhe anëtarë e tjerë të komisionit i kanë parashtruar drejtorit të ri të AKI-së.

“Kishim takim njoftues me drejtorin e ri të AKI-së, por gjithsesi pati edhe pyetje që parashtruam unë dhe anëtarët e komisionit. Vlen të ceket se dy nga pyetjet e parashtruar ishin: informacione rreth incidentit me alpinistët në veri të Mitrovicës dhe po ashtu e pyetën se a ka njohuri rreth një sekreti publik që është diskutuar jo vetëm në qarqet e brendshme, por edhe ato ndërkombëtare, pra ‘non-papers’ që është diskutuar mjaftë”, është shprehur ajo.

Po ashtu, Musliu ka treguar se kanë vendosur që pas disa ditësh ta kenë takimin e radhës.

“E vendosëm takim të radhës pas disa ditësh dhe po shpresoj shumë që e kemi filluar mbarë, uroj që të kemi bashkëpunim si komision dhe të jemi në krye të detyrës që të japim maksimumin sa i përket mbikëqyrjes dhe kontrollit demokratik të kësaj agjencie, presim bashkëpunim edhe nga drejtori”, ka theksuar ajo.

Musliu, gjithashtu ka bërë të ditur se është vendosur që të ftohet në Komision kryeinspektori në mënyrë që të ketë pasqyrim të qartë rreth gjendjes në AKI./Insajderi.com