Kosovë

MPJ thotë se veturat e shtrenjta u blenë në kohën e Behgjet Pacollit

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me anë të një komunikate është sqaruar në lidhje me blerjen e tri veturave të markës BMW, duke thënë se ato janë blerë në kohën kur këtë dikaster të qeverisë e udhëhiqte Behgjet Pacolli.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bën këtë sqarim në lidhje me blerjen e tri veturave të markës BMW, meqë dy ditët e fundit ka pasur një tendencë të qëllimshme që të spekulohet dhe dezinformohet opinioni publik”, thuhet në deklaratë.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Asnjë nga pretendimet e plasuara në medie, qoftë për kohën e blerjes, që spekulohet se ka ndodhur gjatë pandemisë, qoftë për çmimin e blerjes, që po ashtu spekulohet për shuma astronomike, nuk qëndrojnë. Procedura (e negociuar) për blerjen e tri veturave të markës BMË, ka nisur me datën 24 maj 2019, nga departamentet përgjegjëse të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, thuhet tutje.  

“Procedurat janë zhvilluar në pajtim me ligjet në fuqi, në akordancë të plotë me Ligjin e prokurimit publik, për blerje të tilla, dhe kanë nisur pas kërkesës që është shprehur nga departamentet përkatëse të Ministrisë, të cilat kanë konsideruar se pritja e delegacioneve të huaja qeveritare të cilat vizitojnë Kosovën duhet të bëhet në mënyrë dinjitoze, pasi kjo tregon edhe përshtypjet e para dhe imazhin e vendit të ri. Kontrata për blerjen e tyre është firmosur me datën 14 qershor të vitit 2019 ndërmjet BMË AG Munchen dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, kur MPJD drejtohej nga ish ministri Behgjet Pacolli”, thuhet ndër të tjera.