Bota

Mosmarrëveshja për gazin, ministri gjerman paralajmëron Turqinë të mos “provokojë”

Ministri i Jashtëm gjerman Maas do të flasë sot me Greqinë dhe Qipron për mosmarrëveshjen e gazit mes tyre dhe Turqisë. Ai e paralajmëroi Ankaranë me fjalë të qarta të mos e përshkallëzojë situatën.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas është nisur për në Qipro dhe Greqi për të folur në lidhje me mosmarrëveshjen e gazit midis dy shteteve të BE dhe Turqisë.

Para nisjes, Maas e paralajmëroi Turqinë të mos e përshkallëzojë mosmarrëveshjen: “Ankaraja duhet t’i japë fund alternimit të shtensionimit me provokimin, po të jetë e interesuar qeveria për bisedime – siç ka siguruar vazhdimisht”, tha ai.

“Solidaritet i plotë” me Qipron dhe Greqinë

Partnerët e BE-së, Qipro dhe Greqia kanë “solidaritet të plotë, gjithashtu në rolin tonë aktual si Presidencë e Këshillit të BE”, theksoi politikani i SPD. E qartë është se të gjitha palët duhet të punojnë për një raport fqinjësor të arsyeshëm. Prandaj i bëjmë thirrje Turqisë që dritarja e dialogut që sapo është hapur me Greqinë të mos rimbyllet përmes masave të njëanshme”.

Maas i kërkoi Turqisë të mos rifillojë kërkimet e gazit në zonat më të diskutueshme të detit.

Kjo do të ishte “një pengesë e madhe” për përpjekjet për shtensionim dhe për zhvillimin e marrëdhënieve BE-Turqi.

Udhëtimi nuk vazhdon në Turqi.

Në Qipro janë planifikuar fillimisht takime me Presidentin Nikos Anastasiadis dhe Ministrin e Jashtëm Nikos Christodoulidis.

Maas më pas do të shkojë në Athinë ku do të takohet me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis dhe kolegun e tij Nikos Dendias.

Sidoqoftë, nuk do të ketë një vizitë të mëvonshme në Turqi, për të cilën kanë raportuar tashmë mediat turke dhe greke.

Pas një pushimi njëmujor, Turqia e dërgoi anijen e kërkimit “Oruc Reis” përsëri në rajonin në jug të ishullit grek Kastellorizo, për të kryer matje të mëtejshme sizmike.