Lajme

Molliqaj: Kurti thoshte se nuk e njeh Specialen, tani emëron ministre dëshmitaren e saj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Moll

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka publikuar një video përmes së cilës ia ka rikujtuar kryeministrit të vendit, Albin Kurti, një deklaratë të para disa vitesh, që në cilësinë e deputetit në Kuvend thoshte se Lëvizja Vetëvendosje nuk e njeh Gjykatën Speciale, njofton Insajderi.

Kurti derisa kundërshtonte fuqishëm krijimin e një gjykate të tillë, deklaronte se Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë nuk do të dorëzonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.

“VV do të jetë në qeverisje nesër. VV është subjekti që nuk do të ju dorëzojë në Gjykatën Speciale, sepse ne nuk e njohim këtë gjykatë”, thoshte Kurti atëkohë.

Kësaj video, Molliqaj ia ka lidhur edhe deklaratën e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e cila atëherë thoshte se do të dorëzojë materiale në Speciale “për t’i zbardhur vrasjet”.

“Po. Kam materiale me shkrim dhe prova”, thoshte ndër të tjera ajo.

Molliqaj ka thënë se tani nuk mund të pritet nga qeveria që të mbrojë ish-krerët e UÇK-së.

“Si mund të presim interesim për luftëtarët e UÇK-së nga kjo qeveri e cila emëron zv.kryeministre e ministre të jashtme dikënd si Donika Gërvalla e cila ka treguar publikisht që ka deponuar dosje kundër ushtarëve të UÇK-së. Kjo është qeveria Kurti e transformuar nga mosdorëzimi i luftëtarëve në Gjykatë tek dorëzimi i dosjeve kundër tyre”, ka shkruar Molliqaj në profilin e tij në Facebook./Insajderi.com