Ballkan

Miratohet qeveria e re në Mal të Zi, Abazoviç zëvendëskryeministër

Pas tre ditësh debatesh Parlamenti i Malit të Zi, miratoi qeverinë e re të drejtuar nga Zdravko Krivokapic, i cili me dy koalicionet e tjera të opozitës fituan zgjedhjet e 30 gushtit. Në seancë morën pjesë 70 deputetë. 41 deputetë votuan pro qeverisë së re, 28 kundër ndërsa një deputet abstenoi.

Qeveria e re ka 12 ministra dhe një zëvendëskryeministër. Ministrat e rinj janë figura jopartiake dhe ekspertë të fushave të ndryshme të panjohur për opinionin e gjerë. Kryetari i koalicionit “E zeza në të bardhë”, shqiptari Dritan Abazovic u zgjodh zëvendëskryeministër i vetëm nga radhët e politikës.

Në fjalën e tij, kryeministri Zdravko Krivokapic u zotua se kabineti I tij do të luftojë krizën ekonomike, pandeminë, korrupsionin dhe krimin e organizuar, një kusht kryesor ky për aspiratën e gjatë të vendit për integrim europian.

Duke iu referuar kritikave se qeveria e re, pro serbe do ta orientojë vendin larg aleatëve perëndimorë, kryeministri u shpreh se “Mali i Zi nuk do të bëhet një shtet i dytë serb. Mali i Zi është i pavarur dhe do të qëndrojë i tillë deri në fund. Ajo që mund të themi është se do të punojmë për marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë”.

Në debatin përgjatë tri ditëve, u bënë kritika të shumta nga opozita ndaj programit dhe përbërjes së qeverisë së re dhe vetë kryeministrit. Ata vlerësuan se qeveria e re është teokratike, e caktuar nga udhëheqësit e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, se është monoteiste dhe mono-etnike dhe se nuk është qeveri e ekspertëve dhe evropiane siç paraqitet.

Qeveria e re është e para që prej tri dekadash që u formua pa Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit Milo Djukanovicit, që humbi në zgjedhjet e 30 gushtit të këtij viti.