Kult

MIRA MEKSI/ “Kryqi i diktatorit”, ose kur ai rrekej të imitonte Krishtin

Fatmira Nikolli  – Mbasi e kish nisur me dje

Fatmira Nikolli  – Mbasi e kish nisur me djegien e teksteve të shenjta e vrasja e klerikëve, diktatori më tej rreket të imitojë Krishtin, duke bërë Zotin mbi tokë: urdhëron të dalë nga qefini dhe të ngrihet në këmbë, por përfundon te kalvari i mundimeve. Duket se romani i Meksit është një shpagim për ata që nuk gjeten drejtësi. Diktatori përjeton ditët e fundit të jetës. Përpara syve të mendjes i shfaqet e gjithë ekzistenca e tij, që nga dashuria në Paris, lufta, pushteti, krimet, tradhtitë, vrasja e Fesë, izolimi, hipokrizia e pamatë dhe deri te makthi rrëqethës nga hijet e të vdekurve dhe të gjallëve. Ai projekton kthimin nga Vdekja. Nëpërmjet Reliktes së Shenjtë të Ringjalljes. Kërkon një mundësi të dytë në tokë. Për të qenë ndryshe. Një albanolog gjerman zbulon rrënjët pagane të Kishës njëmijë e pesëqind vjeçare të Hyjlindëses në Labovën e Kryqit, ato të gjuhës shqipe, si edhe misterin e lashtë të një “Graali të Shenjtë” për Krishterimin që ndodhet në Kishën e Kryqit. Ka qindra vite që agjenturat e fshehta të fuqive të mëdha janë në kërkim të këtij “Graali të Shenjtë”, i cili është shpresa dhe shpëtimi i njerëzimit. Mira Meksi ka ndërtuar prototipin e Diktatorit të Luftës së Ftohtë dhe Vetminë e tmerrshme të pushtetit absolut. Satira, ironia e thellë, thrilleri, suspanse policesk dhe rrëfimi magjik kanë mbrujtur lëndën e mrekullueshme të këtij romani me dramacitet të lartë.
KRITIKA
”I mësuar tashmë me klimën dhe me botën e krijimtarisë letrare të Mira Meksit, si dhe me motivet letrare të veprave të saj, ku spikat fuqishëm dashuria, – e ngërthyer kjo në të tërë gjerësinë dhe format e saj, nga një besim i epërm romantik tek erosi, deri te përfytyrimi i tij frojdian si maskë dhe instinkt i vdekjes, – lexuesi i saj besnik me siguri do të ndihet i zënë në befasi duke nisur, madje, që nga titulli, Diktatori në kryq, i cili, si çdo paratekst, priret t’i ofrojë atij një shenjë në lidhje me traumën rreth së cilës boshtohet rrëfimi – një funksion ky që titulli vërejmë ta mbulojë gjithnjë te romanet e saj”, thotë Shpëtim Doda në parathënin e tij për veprën më të re të Mira Meksit “Kryqi i diktatorit”. E botuar nga “Onufri”, vepra e Meksit, vjen në ‘GSH’, përmes një syri kritik nga Shpëtim Doda, i cili ndalet te detajet e lexuesit të parë. sipas tij, te “Diktatori në Kryq” i Mira Meksit ndeshim elemente të përcjella përmes satirës, humorit, ironisë së hollë, sarkazmit, madje edhe parodisë, dhe, mbi të gjitha, përmes epifanive dhe fantazisë rrëmbyese.





“Mira Meksi e zeron paq largësinë mes saj dhe Diktatorit; që në faqet e para arrin të depërtojë jo vetëm në vetminë e dhomës së tij, por edhe në mendjen, në ndërgjegjen, në psikën, madje dhe në pandërgjegjen dhe pavetëdijen e diktatorit, për të rrokur psikozën, parandjenjat, ndjesitë, ankthet, përjetimet, dyshimet, paranojat, brerjet e ndërgjegjes, këndvështrimet, mendimet, bindjet dhe idetë e tij, ndërmjet të cilave, jo rastësisht, ndeshim të paraqitur edhe vetëdijen që diktatori ka në lidhje me Pushtetin e artit, çka Meksi e jep në mënyrë tejet efikase përmes mendimeve dhe përjetimeve të tij teksa mban vesh ‘La vie en rose’, apo teksa sjell ndër mend ‘Zogjtë’ e Hitchcock-ut, apo dashurinë e jetuar dhe përjetuar gjatë rinisë së tij përmes ‘thjerrës’ së Balzakut dhe tablove të Gauguin-it etj., pa anashkaluar assesi ndërkaq episodin e farsës së sprovës së kryqit”, thotë Doda, duke shtuar se gjatë së cilës Diktatori kërkon që të imitojë Krishtin ndërsa e urdhëron “kavien” të dalë nga qefini dhe të ngrihet në këmbë; madje, në këtë roman ndeshim, jo rastësisht, edhe vlerësimin që Diktatori i bën vetes si shkrimtar: “Për një piramidë të vetën i qau zemra ato çaste. Një piramidë që nuk do të ishte varr për të, larg qoftë!, ku ai do të shkëlqente me mungesën e tij. Një piramidë që do të mbante kujtimet e tij për t’ia shpalosur njerëzimit, në jetë të jetëve. ‘Aty do t’i keni të gjitha, pa fshehje, pa ambalazhime, puro. Aty dhe në titujt e librave të mi do të gjeni kumtet e mia’, iu drejtua me mendje të gjithëve.

Gjatë zbërthimit të “misterit” të gjasës së ringjalljes, Mira Meksi e zhvendos lexuesin në Moskë, ku patriarku i Kishës Ortodokse Ruse, Aleksej I, deshifron një letër që Rasputini i pati dërguar paraardhësit të tij, patriarkut Makarij II, në të cilën i fliste për një relikt të Krishtit, nga i cili jo vetëm buronte pushteti absolut i Patriarkanës së Kostandinopojës, por varej edhe e ardhmja dhe shpëtimi i njerëzimit.
Shpëtim Doda, në vërejtjen e gjatë për librin, shton se krejt pa e kuptuar, diktatori e sheh veten në rrugën e Kalvarit, në një Via Crucis. “I torturuar mes të këtilla ndjesive, pasigurive dhe dyshimeve, diktatori nuk pendohet për çfarë kishte kryer, por thjesht i vë detyrë vetes që të afrohej me fenë, se duhet të arrinte me çdo kusht që ajo t’i falte gjakun e derdhur, duke premtuar se jeta e tij e dytë ‘kish për të qenë ndryshe’. Kësisoj, përmes Ashklës së Shenjtë, Diktatori më tepër sesa jetë, kërkon një mundësi të dytë për vetveten. Mundësinë e parë e pati shteruar duke këmbyer dashurinë me komunizmin; mundësinë e dytë kërkon ta shterojë duke këmbyer komunizmin me dashurinë”, shkruan Doda. Duket se dikur, diktatori ishte më se i vetëdijshëm se lufta për pushtet, lufta për pasardhësin e tij kish nisur tashmë dhe po zhvillohej nëndheshëm dhe me shpejtësi; ajo çfarë Diktatori nuk dinte, ishte gjasa se viktima e kësaj lufte të egër të Pushtetit do të ishte ai vetë, se Pushteti do të ishte jo thjesht dhe vetëm streha dhe ngrehina e vetmisë së tij, por edhe vetë Kryqi mbi të cilin do ta kryqëzonin për së gjalli dhe për së vdekuri. Në fund të fundit, siç është fatshkruar të ndodhë në fund të “biblës” së çdo diktatori, nënvizon Doda.