Lajme

Ministrja Bajrami: Nesër u dalin paratë përfituesve të asistencës sociale që s’i morën sot

Gjysma e përfituesve të asistencës sociale kanë arritur që t’i marrin sot paratë e lëshuara nga shteti, derisa pjesa tjetër që s’ka mundur, do t’i marrë nesër gjatë ditës. Këtë sqarim e ka dhënë për Express ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, meqë ka pasur ankesa nga disa qytetarë.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, dje përmes një njoftimi zyrtar kishte bërë të ditur vendimin e dikasterit qeveritar që drejton për kryerjen e pagesave për përfituesit e asistencës sociale për muajin tetor.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Bajrami kishte thënë se përfitues të kësaj mase janë afro 25 mijë familje dhe se paratë do të dilnin përgjatë ditës së premte.

Megjithatë pavarësisht njoftimit, ka pasur ankesa nga disa qytetarë të cilëve nuk u kanë dalë të hollat në gjirollogari.

Për këtë problematikë, Express ka komunikuar me ministren Bajrami, e cila ka sqaruar se në disa komuna të Kosovës shpërndarja e parave ka filluar tek sot pasdite dhe se qytetarët që s’kanë arritur t’i marrin paratë sot do të mund t’i marrin të shtunën gjatë ditës.

“Ministria e Financave dje ka dhënë urdhëresën dhe mjetet janë bartur të banka. Pastaj është marrëdhënie e bankës me zyrat postare (furnizimi me kesh i të gjitha pikave, vlerat më të mëdha se është dyfishim). Në disa komuna shpërndarja e mjeteve ka filluar ne nga ora 15.00 dhe vazhdon edhe tash. Postat punojnë me orare të zgjatura. Disa qytetarë kanë mundur t’i marrin mjetet sot, pjesa tjetër nesër gjatë ditës”, ka thënë ministrja Bajrami.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që për tre muajt e fundit të këtij viti të dyfishojë pagesat për përfituesit e asistëncës sociale.

“Mbi 24 mijë familje marrin nesër dyfishin e asistencës socialeMe kërkesë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, sot Ministria e Financave ka proceduar pagesën për përfituesit e asistencës sociale për muajin tetor. Sipas vendimit të Qeverisë nr.10/33 të datës 28.09.2020 familjet në asistencë sociale marrin dyfishin e asistencës për tetor, nëntor dhe dhjetor.Nga kjo masë përfituan 24,791 familje.Mjetet dalin nesër gjatë ditës”, kishte shkruar dje ministrja Hykmete Bajrami.