Kosovë

Ministria e Shëndetësisë rekomandon masa kufizuese, vendimi merret nesër

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të vendit që të zbatojnë me kujdes të shtuar masat në fuqi lidhur me kontrollin e situatës epidemiologjike rreth Covid-19.

Siç është bërë e ditur sot, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nga 1608 mostrat e testuara ka regjistruar 418 raste pozitive të virusit SARS COV-2 (infeksionit Covid-19), prandaj me qëllim që të evitohet marrja e masave ekstreme kufizuese nga qytetarët, bizneset, dhe veprimtaritë e tjera kërkohet që të zbatojnë me përpikëri masat anti covid-19 në fuqi.

Reklamo bizensin tuaj ketu

Ndërkohë, Komiteti për vlerësim dhe koordinim të situatës epidemiologjike rreth Covid-19 do të mblidhet nesër për të shqyrtuar propozimet e reja të Ministrisë së Shëndetësisë për aplikimin e disa masave me qëllim që të parandalohet përkeqësimi i situatës epidemiologjike që do të mund të çonte te kufizimet ekstreme.

Komiteti nesër do të shqyrtojë disa propozime që kanë të bëjnë me kufizime të mundshme apo reduktime të veprimtarive në sektorë të ndryshëm, rritje të përkujdesit në institucione publike e private, rritje të kujdesit për grup-mosha e kategori të caktuara dhe të tjera.

Ministria e Shëndetësisë kërkon nga prindërit që të mos i ekspozojnë fëmijët e tyre në rreziqe për shëndetin duke marrë pjesë në ngjarje të ndryshme të paralajmëruara nëpër rrjete sociale si ato për Halloween, duke e ditur faktin se janë në fuqi vendimet që ndalojnë grumbullime të qytetarëve dhe organizime të ngjashme.

Ndërkohë, kërkohet nga Policia e Kosovës dhe inspektoratet përkatëse që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj shkelësve të vendimeve që lidhen me COVID-19, bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19.