Kosovë

Ministri në detyrë i Drejtësisë kritikon Hagën për anshmëri dhe veprime politike

Selim Selimi, ministër në Detyrë i Drejtësisë nga radhët e AAK’së së Ramush Haradinajt, ka thënë se Gjykata Speciale me veprimet e veta ka prodhuar efekte politike pavarësisht se është krijuar përmes veprimeve juridike.

Sipas Selimit, komunikata e Prokurorisë Speciale ka pasur elemente politike dhe si e tillë mbetet një veprim i pastër politik

Ai gjithashtu ka thënë se policia e EULEX-it ka përdorur forcë joproporcionale, dhe sipas tij e gjithë kjo e bën të mendojë se  Dhomat e Specializuara kanë veprime politike dhe kanë anime.

“Së pari, ne duhet të besojmë në drejtësi, sepse ajo është në anën tonë. Por një gjë duhet ditur, lëshimi i deklaratave nga ana e Prokurorisë ka qenë dhe mbetet veprim puro politik. Ajo deklaratë nuk është praktikë e drejtësisë sepse elementet që i ka pasur ajo deklaratë kanë qenë politike. Mandej edhe përdorimi i forcës ka qenë joproporcional. Policia e Eulex-it ka përdorur forcë joproporcionale dhe nuk janë pritur aspak mirë nga shoqëria sepse ne jo shumë vonë kemi kaluar nga një situatë e tillë, që për neve ngreh paralele nga e kaluara e afërt. Ai përdorim i forcës ka qenë eksesiv. Andaj kjo mua personalisht më bënë të mendoj që Dhomat e Specializuara kanë veprime politike dhe kanë anime”, ka thënë Selimi.

Siç ka njoftuar Ministria e Drejtësisë përmes një njoftimi për media, këto deklarata Selimi i ka bërë gjatë një takimin virtual të organizuar nga Kosovo 2.0, me ç ‘rast ka folur për bazën ligjore që rregullon mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, që është hartuar nga Ministria e Drejtësisë.