Opinione

Mimoza Kusari-Lila: Lëvizja Vetëvendosje fituese dominuese e zgjedhjeve, LDK-AKK do të kenë rënie

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese bëri që qever

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese bëri që qeveria të shpallej e jashtëligjshme dhe vendi do të shkojë në zgjedhje në fillim të vitit 2021.

E në këto zgjedhje, deputetja Mimoza Kusari-Lila do të kandidojë bashkë me listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ajo ka thënë se për këtë bashkëpunim, ajo thotë se është e domosdoshme të vazhdohet ndryshimi i cili u shpreh edhe me vullnetin e qytetarëve në vitin 2019, ndërsa u nda në gjysmë nga pazaret politike në Mars dhe Qershor të 2020-tës. Deputetja shton se shkuarja në zgjedhje ishte e pashmangshme, derisa është e bindur se Lëvizja Vetëvendosje do të jetë fituese e zgjedhjeve, ndërsa do të kenë rënie LDK dhe AAK. Sa i përket postit të presidentit, Kusari-Lila mendon se nuk duhet të jetë pjesë e pazareve politike, ndërsa që pas formimit të Qeverisë, partitë duhet të arrijnë dakordimin për personin më unifikues për partitë politike dhe për interesin e vendit.

“Bota sot”: A e vlerësoni të drejtë vendimin për shkuarje në zgjedhje dhe si mendoni se do të shkojnë zgjedhje,t derisa jemi në kohë pandemie?

Mimoza Kusari-Lila: Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme ishte e pashmangshme në Kosovë, pyetja ishte vetëm çfarë do të nxiste shkuarjen në zgjedhje, mocioni i mosbesimit apo vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila do të vërtetonte atë që ne e deklaronim prej formimit të Qeverisë Hoti, se ajo qeveri ishte jo legjitime dhe e jashtëligjshme. Cilido vendim apo veprim të vinte më herët, më mirë për Kosovën.

“Bota sot”: Çfarë rezultatesh prisni?

Mimoza Kusari-Lila: Jam e bindur se zgjedhjet në Kosovë në fillim vitin e ardhshëm do të prodhojnë një rezultat tashmë të pritshëm, se fitues dominues në zgjedhjet e ardhshme të jashtëzakonshme do të jetë Lëvizja Vetëvendosje. Ajo çfarë është e pritshme të ndodhë është që pas shumë viteve në Kosovë, një parti shqiptare të ketë shumicën në Kuvendin e Kosovës.

“Bota sot”: Pse keni vendosur të hyni në listë zgjedhore me LVV?

Mimoza Kusari-Lila: Bashkëpunimi me grupin parlamentar të LVV-së gjatë kësaj legjislature e cila po përmbyllet në ditët në vijim, ka qenë shumë konstruktiv dhe me bashkëpunim korrekt me respekt të ndërsjellë. Parimet qeverisëse dhe vlerat politike kanë qenë të njëjta dhe dinamika e ngjarjeve që e karakterizoi vitin 2020 na ka ofruar edhe më shumë dy subjektet politike. Ky vit gjithashtu e krijoi domosdoshmërinë për bashkimin dhe afrimin e subjekteve politike me parimet e njëjta qeverisëse me synim reformën e domosdoshme shtetërore. Është e domosdoshme të vazhdohet ndryshimi i cili u shpreh edhe me vullnetin e qytetarëve në vitin 2019, ndërsa u nda në gjysmë nga pazaret politike në Mars dhe Qershor të 2020-tës.

“Bota sot”: Si do të jetë renditja e partive sipas jush, rëniet dhe ngritjet e partive?A mendoni se do të ketë nevojë për të bërë koalicione paszgjedhore për formimin e qeverisë?

Mimoza Kusari-Lila: Duket, gati se të gjitha partitë të cilat kanë qeverisur deri më tani në Kosovë do të kenë rënie të dukshme, ndërsa rënien kryesore në këto zgjedhje pritet ta kenë dy partnerët e koalicionit LDK – AAK, të cilët qartazi abuzuan me vullnetin e qytetarëve fillimisht dhe pastaj edhe me përgjegjësinë institucionale të cilën e morën jashtëligjshëm.

“Bota sot”: Zonja Kusari, kalojmë tek çështja e presidentit. Është diskutuar shume ky post dhe partitë e kanë kërkuar me ngulm atë. Kush do të duhej të ishte në këtë post sipas jush dhe a mendoni se zgjedhja e presidentit do të duhej të ishte pjesë e pazareve politike?

Mimoza Kusari-Lila: Çështja e Presidentit ishte krye tema e negociatave në mes të LVV dhe LDK me insistimin e LDK-së, ndërsa marrëveshja nuk prodhoi ndonjë rezultat as për Presidentin dhe si e pamë edhe për Qeverinë më vonë. Është e rëndësishme të kemi një qeveri legjitime dhe funksionale që vendi të kthehet në funksionim normal. Menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë, partitë duhet të arrijnë dakordimin për personin më unifikues për partitë politike dhe për interesin e vendit. Unë nuk e shoh si zgjidhje pazarin politik, por e shoh më shumë si konsensus të domosdoshëm për funksionimin e institucioneve të shtetit.

“Bota sot”: Flasim pak për vitin 2020 që po e lëmë pas. Si e vlerësoni politiken e Kosovës gjatë këtij viti?

Mimoza Kusari-Lila: Politika e Kosovës gjatë vitit 2020 kishte edhe virusin i cili solli pandeminë, por mbi atë virus kishim virusin politik i cili në bashkëdyzim me këtë të parin solli mjerim, vuajtje dhe vdekje të shumta në Kosovë. Ky vit do të njihet si vit i humbjeve të mëdha për popullin e Kosovës, por edhe vit i qartësimit të pozicionit të qytetarëve për zgjidhjet që i duan dhe vizionin që ndajnë për Kosovën.

“Bota sot”: Po sa i përket pandemisë, si e vlerësoni menaxhimin e saj nga qeveria Kurti dhe ajo Hoti?

Mimoza Kusari-Lila: Qeveria Kurti brenda një periudhe të shkurtër kohore tregoi fleksibilitet dhe profesionalizëm të lartë, duke e menaxhuar pandeminë në një model suksesi në listë me vendet e zhvilluara dhe me sisteme shumë më të avancuara shtetërore. Qeveria Hoti në të kundërtën, nuk kishte strategji të qartë për menaxhimin e pandemisë, kishte probleme serioze në vendimmarrje dhe mungesë totale të ndjenjës së përgjegjësisë menaxhimin e pandemisë.

“Bota sot”: Ndalemi dhe tek ekonomia e vendit që pati rënie për shkak të pandemisë. Përpos kësaj patëm dhe skandalin me avullimin e 2 milionëve. Si e vlerësoni këtë dhe më tregoni sa mendoni se ishte i duhur ligji për rimëkëmbje ekonomike duke përfshirë tërheqjen e 10 % te trustit?

Mimoza Kusari-Lila: Përpjekjet e dobëta për të ardhur më një plan për rimëkëmbje ekonomike, i kisha ndarë nga ato të skandaleve të cilat karakterizuan këtë Qeveri në shkuarje. Ato po se të dyja janë përgjegjësi e të njëjtës Qeveri, por të dyja kanë treguar paaftësinë dhe mungesën e dijes dhe guximit për të trajtuar tema të rëndësishme. Ligji i rimëkëmbjes ishte i varfër, pa ide dhe pa asnjë strategji e cila tregon orientimin ekonomik dhe sektorial të Kosovës sot dhe në të ardhmen. Për atë arsye, Ligji u karakterizua vetëm me ndryshimin e ligjit për kursimet pensionale dhe mundësinë që pritej të ju ofrohej qytetarëve për të tërheq 10% të kursimeve të tyre pensionale. Ndryshimi i këtij projektligji tani sjellë pasiguri për të gjitha kursimet pensionale në Kosovë. Qytetarët është dashur të ndihmohen me program tjetër dhe pas Pakos emergjente Fiskale të prezantuar nga Qeveria Kurti, është dashur të ketë një pako transitore dhe pastaj Ligji i Rimëkëmbjes me përmbajtje dhe qasje më proaktive për ndihmë ekonomike.

“Bota sot”: Përpos gjithë këtyre, në këtë vit patëm edhe arrestime të shumta nga Gjykata Speciale, përfshirë dhe ish presidentin Thaçi dhe të tjerët, Krasniqin, Selimin e Veselin. Na flisni pak për këtë dhe si mendoni se ka ndikuar para botës kjo, derisa dihet se ishte Serbia ajo që ka kryer krime në Kosovë?

Mimoza Kusari-Lila: Dështimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë e solli Gjykatën Speciale. Arrestimet e muajit të kaluar natyrisht se paraqesin një lëkundje të madhe të skenës politike të Kosovës dhe nuk janë pamje që ngritën imazhin e Kosovës, apo shqiptarëve të Kosovës. Më e rënda është se u fitua përshtypja se në luftën e Kosovës kemi pasur palë të barabarta dhe krimet janë kryer barabartë nga serbët dhe shqiptarët, çka nuk është aspak e vërtetë. Përderisa nuk janë arrestuar autorët e shumë masakrave ndaj shqiptarëve të Kosovës edhe pse dihen me emër, do të ekzistojë një zhgënjim i përgjithësuar me drejtësinë ndërkombëtare se njëanshëm po gjykohen vetëm shqiptarët e Kosovës.

“Bota sot”: Çfarë prisni nga viti 2021, përpos një qeverie të re nga zgjedhjet që do të mbahen dhe cili është mesazhi për lexuesit e gazetës “Bota sot”?

Mimoza Kusari-Lila: Ajo çfarë patëm në vitin 2020 as nuk e kishim të planifikuar dhe as nuk e prisnim. Megjithatë, e patëm një vit të vështirë dhe shumë të rëndë, por po përmbyllet me shpresë dhe bindjet se viti 2021 do të jetë vit më i mbarë.

Për të gjithë lexuesit tuaj, ju uroj shëndet, dashuri dhe shumë fat e suksese në Vitin e Ri!

Uroj që në mbarë botën të kthehet sadopak normaliteti dhe Kosovës në veçanti t’i kthehet shpresa, stabiliteti dhe përparimi i shumë kërkuar!