Lajme

Meta: Diskreditimi ndërkombëtar i Shqipërisë, shërbim për defaktorizimin e Kosovës

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, thotë se diskreditimi ndërkombëtar i Shqipërisë është shërbim për defaktorizimin e Kosovës dhe faktorit shqiptar në rajon.

Ky reagim i tij vjen pas mbledhjes së dy qeverive, Kosovë-Shqipëri, sot në Tiranë.

“Diskreditimi ndërkombëtar i Shqipërisë është shërbim për defaktorizimin e shtetit të Kosovës dhe faktorit shqiptar në rajon, i cili ka qenë kudo faktor stabiliteti e europianizimi. Vetëm një Shqipëri me kredenciale demokratike dhe që plotëson kushtet e çeljes së negociatave e ndihmon edhe shtetin e Kosovës dhe faktorin shqiptar në rajon”, shkroi Meta në Facebook.

Meta ka bashkëngjitur një reagim të ish-presidentit të Shqipërisë, Bujari Nishani, i cili po ashtu ka reaguar duke thënë se pavarësisht se janë gjashtë mbledhje të përbashkëta mes Kosovës e Shqipërisë, asnjë produkt nuk është arritur.

“6 (gjashtë) mbledhje të përbashkëta midis qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës. A mund të thotë dikush 1 (një) qoftë edhe 1 (një) produkt të arritur apo të prekur nga shqiptarët këndej dhe andej kufirit pas gjithë këtyre mbledhjeve ??!!. Jo 6 (gjashtë) por 1(një) veç 1 (një). Asgjë ! 0 (zero) me bisht ! Ah po, traun e taksës në Rrugën e Kombit nga qeveria e rilindsave në Shqipëri ! Natyrisht asgjë për tu çuditur!. Një qeveri shqiptare që rrjeshtohet nën skenarin serb të copëtimit të trojeve të Kosovës nuk e ka për hiç gjë, të ringrejë barriera komunikimi midis shqiptarëve. Maskat janë çjerrë, tradhtarët e kombit janë mbi ujë si tapa të kalbura!”, shkroi Nishani në rrjetin social Facebook.

Kosova dhe Shqipëria sot mbajtën mbledhjen e gjashtë të dy qeverive në Tiranë. Kryeministri kosovar Avdullah Hoti dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, pohuan se do të vazhdojë bashkëpunimi mes dy shteteve.