Sport

Merkato Superiore/ Shumë ekipe vazhdojnë me transferime. Partizani bën gati një tjetër goditje të madhe

Te Kukësi është kthyer ajo ndjesia e gëzimit dh

Te Kukësi është kthyer ajo ndjesia e gëzimit dhe e moralit të lartë që pas fitores ndaj Apolonisë. Ndërkohë që trajneri punon për të ngritur skuadrën nga ana psikologjike, por edhe ajo taktike, është drejtori sportiv, i cili po merret me transferimet e klubit. “Panorama Sport” mëson se verilindorët kanë arritur akordin me mbrojtësin lituanez, Rolandas Baravikas. Ky i fundit ka qenë rregullisht pjesë e kombëtares lituaneze, që nga të rinjtë. 25-vjeçari është aktivizuar edhe në kampionatin e origjinës së tij, me Zalgiris. Në sezonin e fundit, ai ka luajtur me Nea Salami, në kampionatin qipriot. Me këtë skuadër nuk ka pasur shumë aktivizime, por gjithsesi ai shihet nga Kukësi si një lojtar me potencial të madh. Klubi ka konfirmuar firmosjen me të dhe do të ketë një kontratë 1.5 vjeçare. Mund të quhet një afrim i rëndësishëm duke parë mangësitë e ekipit në fazën defensive. Po ashtu, mësohet se Kukësi është pranë transferimit të dy lojtarëve te tjerë. Ata janë mbrojtësit Viktor Velkoski dhe Numan Kurdiç. Kastrioti është një tjetër ekip aktiv këtë merkato. Krutanët janë duke punuar për transferimin e dy lojtarëve të tjerë. Bëhet fjalë për një futbollist që luan në Kosovë dhe një tjetër në Shqipëri, por klubi nuk i ka bërë publikë emrat. Kujtojmë që deri tani, krutanët kanë afruar Joan Ҫelën dhe Arlis Shalën, ndërsa Shyqyri Xhepa dhe Eralt Kuqi janë pranë konfirmimit. Kujtojmë që ekipi po vuan mungesën e disa lojtarëve për arsye të ndryshme, ku Huseini ndodhet ende në Nigeri dhe nuk ka ardhur, kurse Okebug është i dëmtuar. Skuadrës do t’i mungojë edhe kapiteni Emiljano Ҫela, pasi ka plotësuar numrin e kartonave dhe është i pezulluar. Ҫela protestoi për një vendim ndaj gjyqtarit në ndeshjen e humbur ndaj Teutës. Një tjetër klub është edhe Apolonia, por mesa duket këta të fundit nuk janë edhe aq aktivë. Deri tani nuk është transferuar ende asnjë lojtar, por klubi është në tratativa me disa. Ata kanë marrë në provë disa lojtarë në pozicionin si “shkatërrues”, por asnjëri nuk ka bindur. Trajneri Kamarata ka kërkuar edhe qendërmbrojtës, duke parë numrin e lartë të golave të pësuar. Para pak kohësh u mësua se klubi arriti akordin me Kristian da Silva, por duket se gjithçka është kthyer mbrapsht pasi nuk është parë ndonjë cilësi e veçantë. Në pritje qëndron Dime Dimov, i cili thuhet të ketë arritur akordin dhe pritet firma brenda javës së ardhshme. Ndërkohë, klubi do të marrë në provë edhe dy lojtarë grekë për të parë performancën e tyre në stërvitje. Nuk kishte si të mungonin edhe kryesuesit e Vllaznisë. Raportohet se trajneri Brdariç po kërkon të sjellë në skuadër edhe djalin e tij. Tim Brdariç ka luajtur me disa ekipe të rinjsh në Gjermani dhe është një qendërmbrojtës rreth 2 metra i gjatë. Ai mund të federohet fillimisht në ekipin U-21 dhe më pas mund të thërritet në ekipin e parë. Ndërkohë, një vend më poshtë në renditje, Partizani po bën gati një goditje “big” këtë merkato. Bëhet fjalë për lojtarin e njohur Ferhan Hasani, që pritet t’u bashkohet “demave”. Ai njihet nga të gjithë që nga koha kur luante për Shkëndijën e Tetovës. Ai kërkon një pagë të lartë, por mbetet për t’u parë nëse klubi do të bëjë ndonjë sforco financiare. Është pikërisht ish-skuadra e Hasanit, e cila i ka dhënë një tjetër lojtar Skënderbeut. Shkëndija e Tetovës, pas Leard Sadriut, ka huazuar edhe portierin 24-vjeçar Bekim Rexhepi. Në komunikatën e klubit thuhej: “Pas mbrojtësit Leard Sadriu, Shkëndija huazon për 6 muajt e ardhshëm te Skënderbeu i Korçës edhe portierin Bekim Rexhepi”. Klubet e Superiores duken mjaft aktive, por të presim e të shohim se ç’do të bëjnë në fushë këta lojtarë.