Kosovë

Mediat ndërkombëtare raportojnë për letrën që presidenti Biden i ka dërguar Vjosa Osmanit

Mediat prestigjioze ndërkombëtare kanë raportuar për letrën që presidenti amerikan Joe Biden i ka dërguar presidentes Vjosa Osmani ku e ka uruar për detyrën e re.

Agjencia amerikane e lajmeve, Associated Press e ka titulluar lajmin “Biden i kërkon Kosovës që të vazhdojë bisedimet thelbësore me Serbinë”, teksa të njëjtin lajm e kanë raportuar edhe mediat tjera amerikane si USnews dhe ABCnews

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden

Presidenca ka dhënë detaje për letrën në një njoftim që ka nisur për media.

Në njoftim thuhet se Biden ka përmendur marrëdhëniet e mira ndërmjet të dy shteteve dhe partneritetin e gjatë të rrënjosur në vlerat e përbashkëta, duke përmendur edhe raportin personal të familjes Biden me Kosovën.

Në këtë kontekst, Presidenti amerikan ka përmendur të birin e tij Beau, i cili ka shërbyer në Kosovën në kuadër të forcave paqeruajtëse amerikane, siç thuhet në letër për “avancimin e paqes, si dhe sundimit të rendit e ligjit”.

Më tej në letër, Presidenti Biden ka theksuar se do të punojë me Presidenten Osmani në prioritetet që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe bashkësive fetare, rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë Covid-19, zhvillimin ekonomik si dhe sigurimin e të ardhmes së qëndrueshme energjetike. Presidenti Biden i është përgjigjur edhe kërkesës së Presidentes Osmani që SHBA-të të ndihmojnë me vaksina, bazuar në letrën e saj të 19 marsit. Presidenti Biden ka potencuar se me shtimin e sasisë së vaksinave, SHBA-të do të punojnë me partnerët për shpërndarjen e tyre dhe se ekipi i tij do të jetë ne kontakt me Presidenten Osmani për realizimin e synimit të tillë.

Në letrën e Presidentit Biden theksohet, gjithashtu se ShBA-të, mbështet vazhdimin e dialogut me Serbinë. “ShBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden dërguar Presidentes Osmani.