Lajme

Media e afërt me Vuçiqin: Kryeprokurori i Speciales i tha BE-së se po shkatërrohen provat dhe po zhduken dëshmitarët

Gazeta serbe e cila njihet për afërsinë me pushtetin në Serbi, “Vecernje Novosti”, ka raportuar sot se në një takim me anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Siguri të Bashkimit Evropian i cili u zhvillua jashtë syve të publikut, Kryeprokurori i Speciales në Hagë, Jack Smith ka thënë se zyra e tij përballet me sfida të papara. Siç pretendon “Novosti”, deklaruar se si “po pengohet puna e Gjykatës Speciale, po shkatërrohen prova dhe po zhduken dëshmitarë”. Për këtë informacion, e përditshmja serbe thirret në një burim të saj në Bruksel.

Siç pretendon gazeta serbe, në një takim të mbajtur rreth dhjetë ditë më parë, Smith tha se bashkëpunimi me autoritetet e Kosovës ka qenë “zero”, se ai e konsideronte problematike që fillimi i gjykimit të Hashim Thaçit të shtyhej. Ai raportohet të ketë thënë se Thaçi do të qëndrojë në paraburgim deri në fillim të gjykimit, ndërsa të pandehurit e tjerë në të njëjtën aktakuzë i ka përmendur si “të dyshimtë”.

Sipas këtyre burimeve, Kryeprokurori u bëri thirrje shteteve anëtarëve të BE-së për të kontribuar në çështjen e mbrojtjes së dëshmitarëve. Në këtë raportim, gazeta serbe thotë se pjesëmarrësve nuk u është lejuar të mbanin asnjë pajisje elektronike në sallë.

Pas këtij informacioni, “Vecernje Novosti” i ka kërkuar Prokurorit Smith përgjigje për disa pyetje në lidhje me datën e pritshme për fillimin e gjykimit të ish-udhëheqësit të UÇK-së dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, opsionet për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe mundësinë që Thaçi të lirohet. Sidoqoftë, u tha që Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk mund të përgjigjej lidhur me Komitetin e BE-së për Politikë dhe Siguri.

Ata, siç raporton “Novosti”, iu referuan dokumenteve në të cilat prokurori kishte deklaruar më parë pikëpamjet e tij mbi gjykimin e Thaçit dhe tre të akuzuarve të tjerë, duke deklaruar se ka propozuar që ai të fillonte në dhjetor të këtij viti.

Më 30 prill, Gjykata e Apelit brenda Gjykatës Speciale i hodhi poshtë kërkesat për lirimin e përkohshëm të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Sidoqoftë, sipas një gjykatësi të Speciales, ata mund të lirohen, nëse mundësohet që të garantohet lirimi i tyre me kusht nga ndonjë vend i tretë. Ish-komandanti i UÇK-së, Hisen Berisha pretendon se garancitë tashmë janë ofruar nga Kroacia, Austria, Sllovenia dhe Izraeli.