Kult

ME PRETEKST FESTIMET/ Aleanca: Më 16-17 nëntor qeveria sulmon teatrin

Qytetarë të Tiranës e Shqipërisë!

Qytetarë të Tiranës e Shqipërisë! Ka qenë ky alarmi i dhënë dje nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar që e mbron atë prej 20 muajsh nga vendimi i qeverisë dhe bashkisë së Tiranës për ta shembur. Përmes procedurave dhe vendimeve të debatueshme, ndonëse ende pa një fitues konkursi zyrtar, pas ndërhyrjes te Astiri dhe heqjes së shkronjave të emrit të teatrit në natën e së premtes së madhe të Pashkëve, artistët dhe protestuesit nuk kanë besim te transparenca e qeverisjes. “Sipas informacioneve paraprake, qeveria e Edi Ramës dhe bashkia e minionit të tij Erion Veliaj kanë synim të sulmojnë dhe shembin Teatrin Kombëtar. Me pretekstin e aktiviteteve që do të zhvillohen më 17 nëntor në Tiranë, do të bëhet bllokimi i rrugës dhe i zonës rreth Teatrit. Me urgjencën që e kërkon ky rast ju bëjmë thirrje të gjithë juve që e lexoni këtë thirrje, të na ndihmoni që së bashku ta mbrojmë Teatrin këtë fundjavë”, njoftoi Aleanca të enjten pasdite. Sipas saj, kjo ndihmë konsiston në: Rritjen e numrit të njerëzve që qëndrojnë me ne në turne gjatë ditës e natës veçanërisht në këto dy ditë. Në mbrëmjen e datës 16 deri drekën e datës 17 duhet të kemi prezencën e të paktën të 200-300 qytetarëve në zonën rreth e brenda ndërtesës;





Marrjen me vete të ujit e ushqimeve për t’i dalë përpara rrezikut të izolimit brenda ndërtesës.
“Të gjitha alarmet që kemi shpërndarë përmes faqes sonë kanë rezultuar të vërteta. Përdorimi i gazit lotsjellës si dhe i dhunës fizike, në episode të mëparshme tregon që metoda dhe mjetet që qeveria ka vendosur të përdorë kundër qëndresës qytetare mund të jenë të rënda.
Ju kërkojmë juve që do të paraqiteni në mbrojtje të Teatrit Kombëtar të mos të jeni të shoqëruar nga fëmijë apo të afërm që kanë probleme shëndetësore. Komuniteti diplomatik në Tiranë me përjashtim të atyre që i nxjerrin publikisht gishtin e mesit protestuesve do të jetë i informuar në detaj për situatën dhe si për përshkallëzime të mundshme të saj. Ftojmë qytetarët e Tiranës, pavarësisht bindjeve të tyre politike, që të jenë me ne! Situata është kritike, Teatri Kombëtar, shteti ligjor, trashëgimia historike dhe secili prej nesh është në rrezik. Të bashkohemi për të mos lejuar hajdutët e veshur me pushtet të shembin Teatrin Kombëtar e me të edhe demokracinë në Shqipëri!”, thekson Aleanca që prej dy vitesh është ngujuar në teatër dhe e ka rifunksionalizuar atë.
Të pyetur nga Shqiptarja.com, përfaqësues nga ana e Bashkisë e mohojnë një gjë të tillë, e sipas tyre është një lajm i rremë. Por nga ana tjetër, sa e besueshme është bashkia në një proces ku akuzat ndaj saj kanë qenë të mëdha, kjo mbetet për tu parë.