Kosovë

Mbyllen 35 shkolla në Kosovë, 240 nxënës dhe 395 mësimdhënës të infektuar me CoViD-19

Që nga fillimi i vitit shkollor të nisur më 14 shtator, 240 nxënës si dhe 395 mësimdhënës janë infektuar me koronavirus. Kjo ka bërë që 35 shkolla në territorin e Kosovës të kalojnë në skenarin “C” me mësim online të paraparë nga udhëzuesi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Kosovës (MASH) për parandalimin e përhapjës së pandemisë Covid-19. 

Diellza Kukaj, zyrtare për informim në MASH, i ka thënë Gazetës Objektiv se mësimi online i shkollave që kanë kaluar në këtë skenar do të vazhdojë deri në një vendim tjetër të Qeverisë së Kosovës.

Reklamo bizensin tuaj ketu

“Deri në ndonjë vendim tjetër të Qeverisë, MASH ka paraparë organizimin e mësimit sipas udhëzuesit të përgjithshëm të hartuar nga MASh, udhëzuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në kushte pandemie dhe protokolit të reagimit ndaj covid 19, së bashku me të gjitha dokumentet tjera”, ka pohuar Kukaj.

Për nga numri më i madh i shkollave që kanë kaluar në mësimin nga distanca, Kukaj ka thënë se është komuna e Prishtinës ajo që prinë me gjithsej 16 shkolla si dhe komuna e Vushtrrisë ku 6 shkolla kanë kaluar në mësimin online.

“Prishtinë 16 shkolla, Vushtrri  6 shkolla, Lipjan 1 shkollë , Viti 1 shkollë dhe 1 çerdhe publike, Obiliq 2 shkolla, Deçan 2 shkolla, Novobërdë 1 shkollë, Skenderaj 1 shkollë, Fushë Kosovë 2 shkolla, Gjakovë 1 shkollë si dhe në Drenas  1 shkollë”, ka deklaruar më tej Kukaj.

Sipas saj, që nga fillimi i vitit të ri shkollor, në shkollat e Kosovës është raportuar për 240 nxënës të infektuar.

“240 nxënës të infektuar dhe 58 të shëruar”, bëri të dikur Kukaj për Objektiv.

Ndërsa sa i përket numrit të mësimdhënësve të prekur me këtë virus, nga shtatori i këtij viti e deri më 13 nëntor Kukaj tha se janë gjithsej 395 mësimdhënës të infektuar, derisa 64 të tjerë janë të shëruar.

“Nga raporti i fundit i inspektoratit të Arsimit për mësimdhënësit, nxënësit dhe personelin e infektuar në shkolla, për periudhën  09 – 13.11.2020 në gjithë komunat e Republikës së Kosovës kemi këto të dhëna: 395 mësimdhënës të infektuar dhe 64 të shëruar,  u shpreh ajo derisa theksoi se janë edhe 35 persona të tjerë të infektuar që i takojnë personelit të shkollave.

Për më tepër, ajo ka shpjeguar se shkollat tjera të vendit ku nuk janë paraqitur raste të infektimit me pandeminë Covid-19, janë duke vazhduar mësimin sipas skenarëve “A” dhe “B”.

“Ndërkaq në pjesën tjetër mësimi po organizohet sipas skenarit A dhe skenarit B (sipas vendimit të ministrit për fillimin e vitit shkollor). Inspektorati i Arsimit është në teren duke monitoruar gjendjen në shkolla në baza ditore, dhe duke përcjell formën e organizimit të mësimit në shkolla dhe zbatueshmerinë e udhëzuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në kushte pandemie; të njëjtat raporte  nga inspektorati, MASh i pranon çdo ditë”, ka pohuar në fund zyrtarja për informim e MASh-it, Diellza Kukaj.