Showbiz

Mbi 530 mijë të vdekur nga koronavirusi në botë

Të vdekurit dhe të infektuarit nga koronavirusi

Të vdekurit dhe të infektuarit nga koronavirusi në botë vijojnë të rriten me ritme të larta. Deri tani në botë janë regjistruar 11,299,667 persona të infektuar me COVID-19 nga të cilët humbën jetën 531,515 persona, njofton Insajderi.

Ndër vendet me të infektuarit më të lartë sot është India dhe Maroku. Situata është shqetësuese në Nju Delhi, ku sapo është përuruar një strukturë për trajtimin e pacientëve me koronavirus dhe është e madhe sa 20 fusha futbolli.

India në 24 orët e fundit ka regjistruar 25 mijë raste të reja me koronavirus dhe 613 të vdekur. Vendi i parë mbahet nga SHBA me 2,840,159 persona nga të cilët kanë vdekur 129,689.

Më pas është Brazili me 1,577,004 dhe 64,265. Pas Brazilit është Rusia me 680,283 të infektuar dhe 10,145 të vdekur. Më pas është India me 673,165 dhe 19,268.

Ndërsa në Galici në Spanjën veriperëndimore rreth 70 mijë persona janë në karantinë. Sipas El Pais duke cituar burime pranë ministrisë së Shëndetësisë, qeveria dekretoi kufizimin e banorëve të La Marina ku pati një shpërthim të rasteve me koronavirus në mbi 100 të tillë.

Spanja është një nga vendet më të prekura nga koronavirusi në botë por që kohët e fundit ishte drejt përmirësimit të gjendjes. Deri tani në Spanjë kanë regjistruar 250,545 të infektuar me COVID-19 nga të cilët kanë humbur jetën 28,385. Por në Spanjë prej disa javësh nuk ka më viktima. /Insajderi.com