Lajme

Mbi 2.000 punëtorët e përjashtuar nga skema e Qeverisë përballen çdo ditë me COVID-19

Punën e fillon në orën 6:30 të mëngjesit e në shtëpi kthehet në orën 19:00 të mbrëmjes. Samire Selmani, e cila punon në sektorin e pastrimit në Qendrën e Mjekësisë Familjare në “Emshir”, është personi i parë që hap derën e dhomave të pacientëve të prekur me COVID–19.

E stresuar, e lodhur, e, mbi të gjitha, nën rrezikun e infektimit, Samirja thotë se shumicën e orarit të punës e kalon duke pastruar korridoret dhe dhomat ku qëndrojnë pacientët me Covid, raporton KOHA.

“Punën e kemi të lodhshme e stresuese, pa shku ne me pastru as motra, as doktori nuk hyn në dhoma. Gjatë ditës kemi qenë vazhdimisht atje nalt, çdo pjesë e ambulantës ka qenë e infekuar. Punojmë nga 12 orë, që nga ora 6:30 deri në orën 7:00 në mbrëmje”, thotë Selmani.

Ndonëse punon në njërën nga qendrat ku trajtohen vetëm pacientët me koronavirus, Samirja nuk e ka marrë shtesën prej 300 eurove që Qeveria ka ndarë për personelin shëndetësor të ekspozuar ndaj virusit.

Ajo thotë se fatmirësisht ende nuk është infektuar me COVID–19, edhe pse kontakti ditor me pacientët është i pashmangshëm.

“Stresi e rrezikshmëria kanë qenë çdo minutë e çdo sekondë. E infektuar nuk kam qenë, por stresin e kemi pasur, çkado që kemi punu jemi vazhdimisht në stres, punë ka pasur shumë. Plotësisht është padrejtësi, sepse ne higjienistet jemi të parat këtu”, ka thënë ajo.

Për punën që bën Samirja, rroga maksimale është 340 euro. Ajo punon nga 12 orë në ditë, çdo të dytën ditë.

Të përjashtuar nga përkrahja e shtetit janë edhe vozitësit e autoambulancave, që paguhen më pak se 300 euro në muaj. Të tillë, që s’janë përfshirë në skemën për mbështetje nga shteti, në gjithë Kosovën janë mbi 2.000.

I diskriminuar ndihet Jeton Lipovica, që këtë shërbim e kryen në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Në fluksin e pandemisë, Jetoni thotë se ai dhe kolegët e tij kishin bartur pacientë të prekur me koronavirus, 16 orë në ditë, nga ku ishte infektuar edhe vetë ai.

“Sektori ynë i ka 12 shoferë. Gjatë ditës ne kemi bartur me qindra pacientë të prekur me Covid – 19. Kemi punuar me orar 16 orë, 7 ditë në javë. Vetëm fakti se 4 nga 12 vozitës janë të infektuar me Covid -19, flet më së miri për rrezikshmërinë tonë. Jo që jam infektuar vetë, por edhe familjen e kam infektuar”, thënë Lipovica.

Puna e rëndë, rreziku me të cilin ballafaqohen dhe pagesa e ulët, janë vetëm disa faktorë që, sipas Jetonit, do të duhej të shërbenin si reflektim për Ekzekutivin që ta trajtonte drejt këtë sektor.

Ai ka paralajmëruar se sektori i vozitësve nga e hëna do të fillojë protestat, pa përjashtuar edhe bojkotin e punës, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Qeveria e Kosovës në korrik të këtij viti kishte vendosur të ndante shtesa mujore prej 300 eurosh për personelin shëndetësor, i cili është i ekspozuar direkt ndaj virusit në luftën kundër tij.

Në këtë vendim nuk janë përfshirë recepsionistët, vozitësit e autoambulancave, sigurimi, shërbyesit e ushqimit, shërbimet teknike dhe as pastruesit që punojnë në SHSKUK.