Lajme

Mbi 16 milionë euro borxhi i konsumatorëve ndaj “Termokos”

Ndërmarrja publike “Termokos” ditë më parë ka filluar sezonin e ngrohjes, por kompania po përballet me problemin e inkasimit të borxheve

Sipas zyrtarëve të “Termokosit”, borxhi i grumbulluar që nga paslufta e deri më sot, ka arritur në mbi 16 milionë euro. Ata thonë se inkasimi i borxheve do të bëhet përmes përmbaruesve privatë, por nuk përjashtojnë edhe mundësinë e shkyçjeve kolektive.

Disa nga qytetarët borxhlinj nuk e shfrytëzuan Ligjin për falje të borxheve  dhe shuma e tërësishme e borxheve që nga paslufta për shërbimet e “Termokosit” tashmë ka arritur në mbi 16 milionë euro. Këtë e bëri të ditur zëdhënësja e “Termokosit”, Afërdita Uka, duke thënë për Radio Kosovën se lëndët do t’i dërgojnë te përmbaruesit privatë.

“Konsumatorët borxhli i kanë “Termokosit” borxh rreth 16 milionë e 500 mijë euro. Ai është borxh i vjetër i cili është grumbulluar për gjatë gjithë këtyre viteve. Lëndët do t’i dërgojmë përmes përmbaruesve privatë me një vërejtjeje prej shtatë ditësh, nëse ata nuk reagojnë në afatin prej shtatë ditësh, mjetet të cilat ia kanë borxh “Termokosit”, do të tërhiqen nga llogarit e tyre bankare”, ka theksuar Afërdita Uka.

Ajo tutje shtoi se pas vërejtjeve dhe dërgimit të lëndëve në përmbarues, nëse konsumatorët borxhlinj nuk përgjigjen pozitivisht, do të fillojmë edhe me shkyçje fizike.

“Pjesa me madhe e borxheve u takojnë subjekteve banesore, dhe normalisht në ato raste  kur krijohen borxhe të mëdha dhe ku ka mundësi teknike, ne nuk  hezitojmë të bëjmë shkyçje, pra, do të bëhen shkyçje individuale”, ka shtuar ajo.

Uka po ashtu bëri të ditur se edhe këtë vit çmimet e ngrohjes do të  jenë të njëjta për konsumatorët privatë, që janë 0.72 centë për metër katror. “Ky çmim  do të vlejë deri në një vendim tjetër të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë”, tha zëdhënësja Uka.