Ballkan

Mbi 1 mijë të infektuar me koronavirus në Maqedoninë e Veriut

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut të shtunën ka njoftuar për 18 persona të vdekur nga COVID-19, 1.168 të tjerë të infektuar dhe 692 të shëruar. Të dhënat i referohen 3.353 testeve të kryera në të gjithë laboratorët publik e privat, në 24 orët e fundit.





Reklamo bizensin tuaj ketu

Sipas raportit, numri më i madh i viktimave është në Shkup, gjithsej pesë të vdekur; katër në Kavadar nga dy në Kumanovë dhe Manastir, nga një në Tetovë, Shtip, Ohër, Strumivë, Sveti Nikollë.

Numri i përgjithshëm i të vdekurve ka arritur 1.281, shumica prej të cilëve janë nga Shkupi.

Shkupi është në krye të qyteteve me numrin më të madh të të infektuarve. Të shtunën janë regjistruar 513 raste të reja.

Në Klinikën Infektive në Shkup dhe qendra tjera shëndetësore janë të shtruar 563 persona.

Në Maqedoninë e Veriut me koronavirusin e ri janë diagnostikuar 46.026 persona, prej tyre 26.981 janë shëruar ndërsa raste aktive janë 17.800 persona.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ndërkohë ka paralajmëruar rritjen e numrit të testeve pas reagimeve në opinion për mungesë të tyre dhe pritjeve të gjata për tu testuar.

“Një sasi e konsiderueshme e testeve do të arrijnë në të gjitha qendrat dhe sipas indikacionit dhe nevojës, të gjithë qytetarët do të jenë në gjendje të testohen”, ka deklaruar Filipçe.

Ai gjithashtu ka dalë me vlerësimin se prania e antitrupave te personat e shëruar nuk duhet të shihet si provë se ato e mbrojnë pacientin e kuruar nga COVID-19, dhe ka shumë raste kur nuk ka aspak antitrupa.

“Ka shumë raste që edhe pas shërimit të sëmundjes, nuk janë detektuar prani e antitrupave. Në disa studime është konstatuar se edhe kur ekziston një sasi e antitrupave të konfirmuar, ajo nuk është provë që ato e mbrojnë personin. Ka shumë opsione që janë të dukshme gjatë kësaj periudhe të kaluar dhe për të cilat shkenca nuk ka dhënë ende një shpjegim”, ka deklaruar Filipçe./ REL