Kosovë

Mbështetje për dialogun nga Italia e ndihmë nga Kroacia për anëtarësim në BE, letrat që i mori Kurti nga 5 vende

Albin Kurti po vazhdon të marrë urime nga liderët e shteteve të ndryshme për detyrën e re si kryeministër. Zyra e tij ka publikuar sot pesë letra urimesh nga pesë shtete, përfshirë Italinë e Turqinë, presidenti i së cilës, Rexhep Tajip Erdogan i kërkon Albin Kurtit që ta shqyrtojë vendosjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem

Përveç Erdoganit, Kurtit i ka dërguar letër edhe kryeministri i Italisë, Mario Draghi. Ai ia ka përmendur Kurtit dialogun me Serbinë, duke e cilësuar përfundimin e tij element qendror në stabilizimin e plotë të kornizës rajonale.

Zoti Kryeministër,
me rastin të ardhjes Suaj në krye të Qeverisë kosovare, dëshiroj t’ju
dërgoj urimet më të përzemërta në emrin tim dhe të Qeverisë Italiane
dhe t’ju uroj sukses në punën e Qeverisë.
Formimi i Qeverisë suaj bie në një moment historik të karakterizuar nga
sfidat globale të paraqitura nga pandemia COVID-19, të cilat përcillen
nga prioritetet që do të adresohen në nivel kombëtar – nga konsolidimi i
institucioneve demokratike dhe sundimi i ligjit deri te rimëkëmbja
ekonomike – dhe stabilizimi i plotë i kornizës rajonale, ku rezultati i
suksesshëm i dialogut me Serbinë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian
përfaqëson një element qendror”, thuhet në letrën e Draghit, ku ai shton se në sfidat e saj, Kosova mund të llogarisë në mbështetjen dhe kontributin e Italisë.

Kurti ka marrë letër urimi edhe nga Kroacia. Kryeministri i këtij vendi, Andrej Plenkoviq i ka uruar suksese liderit të LVV-së në detyrën e re. Ai i ka shprehur mbështetje Kurtit, duke u shprehur i bindur se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve do të forcohen.

Plenkoviq po ashtu i ka ofruar Kurtit mbështetjen e Qeverisë së tij për ta avancuar perspektivën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

“Bazuar në marrëdhëniet miqësore dhe historike mes popullit Kroat dhe Kosovar, jam më se i bindur që marrëdhëniet tona bilaterale do të vazhdojnë të forcohen, për përfitimin e të dy vendeve tona dhe popujve tanë.
Qeveria ime dhe unë qëndrojmë të gatshëm për të ju asistuar juve në çdo mënyrë që mundemi në transferimin e njohurive dhe përvojës tonë, dhe për të punuar me ju dhe qeverinë tuaj në avancimin e perspektivës së Kosovës për në NATO dhe BE”, thuhet në letër, ku përmendet edhe gatishmëria për bashkëpunim ekonomik bilateral.

Kryeministrin e ri të Kosovës e ka uruar edhe kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babish.

“Me këtë rast, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për marrëdhëniet e mira dhe miqësore ndërmjet Republikës Çeke dhe Republikës së Kosovës, si dhe të shpreh bindjen time të fuqishme që ato do të vazhdojnë në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Gjithashtu dëshiroj ta theksoj mbështetjen tonë ndaj Republikës së Kosovës në përpjekjet e saj për fuqizimin e parimeve demokratike, ndërtimin e marrëdhënieve miqësore brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe ndaj ambicieve të saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në letrën e Babish.

Lideri autokrat i Hungarisë, Viktor Orban, e ka uruar po ashtu Albin Kurtin. Ai i ka uruar suksese kryeministrit të ri të Kosovës, duke i thënë se mund të llogarisë në mbështetjen e Hungarisë.

“Ju siguroj se Kosova mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen e Hungarisë në objektivin e saj të integrimit evropian.
Me shpresën se do t’ju takoj së shpejti personalisht, ju uroj suksese të mëdha dhe shëndet të mirë për punën tuaj me përgjegjësi të lartë”, thuhet në letrën e Orban.