Kult

Margariti: Ata që protestojnë te teatri janë zaptues

Krahas fushatave që kanë si qëllim nxitjen e

Krahas fushatave që kanë si qëllim nxitjen e leximit, Ministria e Kulturës ka aktualisht të hapura edhe 3 çështje të rëndësishme për sa i përket institucioneve kulturore në vend. E para është Biblioteka Kombëtare. E pyetur për projektin që kjo Ministri ka për rikonstruksionin e kësaj godine që po degradon dita ditës, Ministrja Margariti u shpreh se po punohet që të ndërhyhet në godinën e Bibliotekës Kombëtare. Një tjetër çështje që vazhdon të gjenerojë reagime edhe pas një viti është edhe ajo e godinës së Teatrit Kombëtar. E pyetur nga moderatori Isli Islami se si do t’i “vejë halli” godinës së Teatrit Kombëtar dhe çfarë do të ndodhë me ata pak artistë qëndrestarë që vazhdojnë ta mbrojnë çdo natë atë ndërtesë, ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh ndër të tjera se ata janë zaptues të pronës publike, “madje ne i kemi lejuar ta zaptojnë këtë pronë pa ndërhyrë dhe pa bërë asgjë për këtë”-u shpreh ajo. Një tjetër çështje shumë e debatuar për momentin është dhe ideja që Parku i Butrintit të menaxhohet nga një fondacion (Fondi Amerikan i Zhvillimit ka dorëzuar një draft-propozim ku kërkon menaxhimin e Parkut Butrinti për një afat 10- vjeçar). E pyetur nëse kjo nënkupton një partneritet- publik-privat, që rregullohet me ligjin e ri të trashëgimisë ajo u mohoi këtë fakt por u shpreh se po e konsiderojnë draft-propozimin e Fondit Amerikan të Zhvillimit për Parkun e Butrintit.





-Si do vejë halli i godinës së Teatrit Kombëtar? Ata pak artistë që kanë mbetur vazhdojnë dhe e mbrojnë, qëndrojnë aty me turne edhe natën?
Për teatrin jam shprehur edhe shumë kohë më para, pa qenë fare e angazhuar në asnjë lloj pozicioni, as në kryeministri, as në ministri.
Si arkitekte unë mund të them qëndrimin tim, ose opinion tim, meqë më pyetët si arkitekte dhe do vazhdoj të qëndroj në nivelin e arkitektes e profesionistes. Ka një fije shumë të hollë që ndan objektin që ka një vlerë arkitekturore dhe një vlerë emocionale. Vlera e një monumenti nuk është asnjëherë e lidhur gjithmonë vetëm me faktin e godinës. Godina në vetvete me arktiekturën është një simbolikë e një periudhe por në funksionon që ajo kryen nuk i përshtatet sidomos normativave aktuale të një teatri. Pra, në vetvete nëse do të restaurohej nuk do të përmbushte totalisht, nevojat e një teatri të 2020-ës. Nga ana tjetër restaurimi i saj nuk do të ishte i mundur pasi materiali me të cilin është ndërtuar nuk është një material, i cili restaurohet. Këtu flasim pastaj që restaurimi do të ishte një shembje dhe rindërtim, me të njëjtat vëllime, me të njëjtat forma duke imituar të shkuarën.

Këtu është dilema e madhe që ne si arkitektë kemi mbi restaurimin ose jo të një godine. Kjo mbetet dilema ime. Personat që vazhdojnë e mbrojnë janë kthyer edhe në zaptues të një prone publike, sepse besoj që ju e dini që aktualisht teatri, megjithëse është një pronë e cila duhej të administrohej nga shteti në të vërtetë brenda saj, ka persona të ndryshëm të cilët e kanë zaptuar dhe e përdorin. Do të thosha që kjo me siguri në një shtet tjetër do të ishte diçka për t’u ndjekur në forma të ndryshme. Por që janë lënë për momentin në lirinë e tyre të mbrojtjes në këtë lloj forme edhe pse mua…

– Domethënë, ju keni bërë nder që i keni lënë ende të protestojnë? Këtë kuptova unë?
Po faktikisht nuk po merret asnjë masë për ta. Dhe ajo rrëmujë e madhe që ndodhi edhe në korrik kur ne me të drejtë vajtëm në teatër që të merrnim rekuizita të ndryshme sepse Teatri Kombëtar po përdor rekuizita që i merr me qira ose duke i riprodhuar edhe pse i posedon në të vërtetë, i zotëron, por i ka në ambiente, të cilat janë të zaptuara. Pra, në një farë mënyre është një dëm ekonomik që po bëhet, por ajo pronë i përket teatrit, që duhet të kalojë në Arturbina ku prej një viti zhvillohen shfaqjet, nuk është e mundur sepse disa persona pretendojnë që ajo të jetë një pronë e tyre. Nuk e di

– Fondi Amerikan i Zhvillimit ka dorëzuar një draft propozim dhe kërkohet menaxhimi i integruar i Butrintit për një afat 10-vjeçar, çka nënkupton një partneritet publik privat i rregulluar nga ligji i ri i trashëgimisë.

Informacion i gabuar. Nuk është partneritet publik-privat.

– E hidhni poshtë?
E hedhim poshtë absolutisht. Ligji i ri i trashëgimisë kulturore i miratuar më 2018 i jep mundësinë Ministrisë së Kulturës ashtu si në çdo vend tjetër të botës, të mund të krijojë fondacione të posaçme, për menaxhimin e pasurive kulturore. E nisim me një sfidë të madhe siç është Butrinti që është në UNESCO, e në momentin që do kemi arritur të përmbushim të gjitha rekomandimet e UNESCO-s dhe të çojmë përpara këtë lloj formule që nuk e kemi shpikur ne por që ekziston në gjithë botën, çdo menaxhim i çdo lloj pasurie tjetër në këtë lloj mënyre përmes një fondacioni të posaçëm, ku ministria dhe një fondacion tjetër krijojnë një fondacion të përbashkët.

– Pra, nuk është PPP?
Absolutisht jo. Është fondacioni La Scala. Vetë La Scala është një teatër, i cili nuk menaxhohet vetëm nga teatri, bashkia, e partnerë të tjerë, që janë bankat e mëdha në botë. Nuk është se nuk ka plan menaxhimi, por ky është i integruar.

-Por është nga Fondi Amerikan i Zhvillimit, është konsideruar?
Është konsideruar një draft i këtij plani, i cili do kalojë faza të tjera e rishikimet, o ketë plan biznesi.