Maqedoni

Maas: Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë integrale e Evropës

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas në një intervistë për Deutsche Welle ka deklaruar se Gjermania po luftën që bisedimet për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë të fillojnë sa më shpejt. Diplomati gjerman thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë integrale e Europës dhe e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian.

“Për Gjermaninë është e qartë: Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë integrale e Evropës dhe e ardhmja e tyre është në Bashkimin Europian. Një pjesë e konsiderueshme e vendeve të BE, e mbështesin fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, sepse kjo është edhe në interesin tonë strategjik. Por për këtë çështje na duhet unanimiteti brenda BE-së, dhe për të arritur këtë jemi duke punuar. Gjermania është duke luftuar me të gjitha forcat, për të arritur një qëndrim të përbashkët në BE, që bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të fillojnë shpejt. Unë dua edhe një herë ta bëj këtë gjë të qartë në Shkup”-tha Maas.

Lidhur me kundërshtimet e partisë më të madhe opozitare VMRO-DPMNE, e cila refuzon hapur Marrëveshjen e Prespës, Maas tha në rast se cënohet Marrëveshja e Prespës, Maqedonia e Veriut rrezikon të futet në një qorrsokak ndërkombëtarë në nivelin politikm

“Marrëveshja e Prespës quhet me të drejtë marrëveshje historike. Maqedonia e Veriut dhe Greqia shuan me të një konflikt që zgjati gati tre dekada. Marrëveshja hapi derën për afrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut. Kështu të dy vendet u kthyen në shembull për rajonin e më gjerë. Ato treguan se edhe konflikte, që mendohet se janë të pazgjidhshme mund të zgjidhen me forcë udhëheqëse, guxim dhe largpamësi dhe se kompromiset e vështira janë të mundshme. Shumë shpejt ne do të mirëpresim Maqedoninë e Veriut si vendin e 30-të anëtar të NATO-s. U hoq kështu edhe një pengesë në rrugën drejt BE. Unë nuk e imagjinoj dot që dikush mund ta shkatërrojë këtë shanc, sepse në nivel ndërkombëtar Maqedonia e Veriut do të futej kështu në qorrsokak”-pohoi Maas.

Për të bindur skeptikët, Maas thotë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë pa ndalur procesin e reformave, në mënyrë që të arrijnë suksese të tjera.

Heiko Maas: Unë dua t’u jap zemër Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, si edhe vendeve të tjera të rajonit që të vazhdojnë me konseguencë kursin reformues edhe për një arsye tjetër: Reformat nuk shërbejnë vetëm për afrimin me BE, ato janë të rëndësishme sepse janë në dobi të njerëzve. Forcimi i shtetit të së drejtës, luftimi me vendosmëri i korrupsionit dhe kriminalitetit të organizuar janë detyrat kryesore të çdo qeverie, që do të ardhmen e vendit të vet. Edhe opozita mban përgjegjësi. Konkurrenca politike dhe idetë konkurruese, që janë të zakonshme dhe të domosdoshme në demokraci nuk duhet ta paralizojnë zhvillimin e vendit.

Loading…