Bota

Maas: Administrata e re amerikane ofron mundësi për një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas, mendon se me mbështetjen e administratës së re të SHBA-së, ofrohet një mundësi për t’u gjetur një zgjidhje dhe arritur një marrëveshje gjithpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të sillte prosperitet në ekonomi, raporton Tanjug.

“Ne jemi të përfshirë në dialogun mes Serbisë e Kosovës. BE-ja ka të dërguarin e posaçëm që është shpesh në rajon. Me ndihmën e qeverisë së re amerikane, ofrohet mundësia të gjendet një zgjidhje e të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do të sjellte prosperitet ekonomik”, ka thënë Maas në konferencë për media pas takimit me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Nikola Selakoviq.

Maas është pyetur edhe për deklarimet e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në lidhje me atë që ka thënë se dialogu nuk është prioritet për të dhe po ashtu për deklarimet që ka dhënë Kurti në lidhje me bashkimin me Shqipërinë.

“Si do të ishte reagimi i Brukselit nuk mund të them. Kemi folur në të kaluarën dhe çfarëdo ndryshimi të kufijve, e shohim si gjë që nuk është në përfitim. Është një linjë që e ndjekim. Qeveria e re e Kosovës të merret intensivisht me çështjet e pazgjidhura e të hapet perspektiva evropiane për Kosovën”, ka thënë Maas, i cili ka shtuar se në momentin kur të formohet Qeveria e re në Kosovë do t’ia thotë direkt.