Maqedoni

LSDM, me ftesë vetëm për “të ndershmit”

Pas idesë së Zaevit për Qeveri të zgjeruar, kanë vazhduar reagimet dhe përplasjet mes partive politike. LSDM-ja tani, për dallim nga një ditë më parë, mendon se Mickoski nuk është i denjë për bashkëpunim, pas dështimeve të njëpasnjëshme. Megjithatë oferta mbetet e hapur për personat, siç thonë, “të ndershëm” brenda partisë opozitare.

“Mickoski qëndroi kundër Ligjit për Prokurorinë publike, kundër zgjidhjes juridike të lëndëve të PSP-së, por nuk ia arriti. Mickoski punonte kundër referendumit dhe u përpoq ta frenoj përparimin drejt NATO-s dhe BE-së. E përsëri humbi. Presim që deputetët e VMRO-DPMNE-së ta ndërpresin zinxhirin e dëshirave destruktive të Mickoskit dhe të qëndrojnë në ana e qytetarëve dhe shtetit”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.

Ndërsa nga VMRO-DPMNE-ja mohojnë të bëjnë çfarëdo pakti, siç thonë ata, me krimin dhe korrupsionin.

“Edhe Zaevi edhe LSDM edhe i gjithë opinioni duhet ta dinë se pakt me mafien nuk ka, as nuk do ta mbështesim. Fillimisht do ti fitojmë, e më pas do të pasojë përgjegjësi. VMRO-DPMNE i ka borxh vetëm popullit maqedonas, qytetarëve të Maqedonisë, aktivistëve, simpatizantëve që dëshmuan bashkim, rezistencë, luftë, karakter, inat e para së gjithash dëshirë për Maqedoni më të mirë”, pohoi Vllado Misajllovski, VMRO-DPMNE.

Nga koalicioni opozitar shqiptar ASH-AAA, përsëritën qëndrimin se Qeveri të zgjeruar do të pranojnë vetëm me kushtet e tyre. Ndërsa thirrjen e kryeministrit Zaev e konsiderojnë si blof.

“Unë fillimisht mendoj se ky është një nga blofet e kryeministrit të cilat janë të përditshme. Megjithatë kryetarët e partive tona, Sela dhe Gashi thanë se ne pa kushte nuk hyjmë në koalicion të gjerë. I thamë edhe tre kushtet tona të cilat janë publike dhe të thëna në më shumë media. Përndryshe ne në Qeveri të hyjmë si kukulla nuk hyjnë, tashmë ka në Qeveri Kukulla nga BDI”, tha Arben Taravari, ASH-AAA. 

Kryeministri Zoran Zaev, një ditë më parë ftoi opozitën të ulen dhe të diskutojnë modelin e një bashkëqeverisjeje si në disa vende të BE-së. Por, shtoi se me Mickoskin e ka të vështirë të arrijë marrëveshje. Mickoski ndërkohë, me disa orë vonesë, ju përgjigj nga Klinika Infektive ku është i shtruar për shkak të situatës së rënduar nga infektimi me virus korona. Kreu i opozitares tha se do ta luftojë sëmundjen dhe do të kthehet t’i fitojë.

Mefail ismaili

The post LSDM, me ftesë vetëm për “të ndershmit” appeared first on Alsat.