Lajme

LIVE – Shqipëria voton

⌚ 10:23 – Voton Ilir Meta: E gjithë bota i

10:23 – Voton Ilir Meta: E gjithë bota i ka sytë te Shqipëria

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka votuar në ditën e sotme në orën 07:00, orar ky që përkon edhe me hapjen e procesit të votimit që është duke u mbajtur në Shqipëri, njofton Insajderi.

Pas votimit, Meta ka folur për mediat, duke bërë thirrje për zgjedhjen e alternativës dhe kandidatëve më të mirë, pasi sipas tij, e gjithë bota i ka sytë te Shqipëria.

“Erdhi kjo ditë e bekuar, e mrekullueshme. Për sovranin në kushte sa më të mira, për të shprehur vullnetin e lirë. Çdo qytetar i Shqipërisë, pavarësisht se nga çka përjetuar, duhet që Republika jonë të ripërtërijë themelet e saj nëpërmjet votës së lirë. I ftoj të zgjedhin alternativën që ato besojnë dhe kandidatët më të ndershëm. E gjithë bota i ka sytë tek Shqipëria vetëm mbarëvajtje e mirë i këtij procesi do të thotë që Evropa do të hapë ,anëtarësimin. Vota të lira, qytetarët të votojnë atë që kanë në mendje e zemër”, u shpreh Meta.

Qytetarët shqiptarë janë duke votuar për legjislaturën e re që do të qeverise për katër vitet e ardhshme në Shqipëri.


10:02 – Erion Veliaj: Vota është më e fortë sesa plumbat dhe dhuna


09:50 – Lulzim Basha: Dilni masivisht dhe votoni

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka votuar mëngjesin e sotëm në lagjen që është rritur, në procesin zgjedhor që po mbahet në Shqipëri, njofton Insajderi.

Kandidati për kryeministër iu bëri thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime, pasi sipas tij, sot kanë në duar fuqinë për të ndryshuar të ardhmen.

“Sot është një ditë e mrekullueshme, një ditë historike për vendin. Është dita kur të gjithë ne kemi në fuqi në dorën tonë, shqiptarët kanë në dorë fuqinë për fëmijët, për familjet, për vendin, për kombin”, ka thënë ai.

“Sot është dita të dilni dhe të votoni, të bëni të mundur të ardhmen që do të dëshironi. Sot është dita e Shqipërisë, dilni masivisht në votime. Sot jam i lumtur që votën time e hodha për herë të parë në lagjen ku jam lindur dhe rritur. Dilni masivisht dhe votoni. Sot është dita e demokracisë. Zoti e bekoftë Shqipërinë”, u shpreh Basha.


09:40 – Liburn Aliu voton në Shqipëri

Të drejtën e votës sot në Shqipëri e shfrytëzoi edhe ministri i Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, njofton Insajderi.

Aliu iu drejtua kutive të votimit për Kuvendin e ri atje, meqë e gëzon nënshtetësinë e Shqipërisë.

Pas votimit, Aliu tha se shpreson që çdo gjë të shkojë mirë.

“Uroj që të jetë çdo gjë e rregullt edhe në procesin e votimit dhe numërim”.

Ai u shpreh optimist edhe për suksesin e tre kandidatëve nga radha e Lëvizjes Vetëvendosje që po kandidojnë për zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri.


09:20 – Mbi 23 mijë qytetarë me COVID-19 s’kanë të drejtë vote në Shqipëri

23 mijë e 21 qytetarë shqiptarë të cilët janë të infektuar meë Coronavirus, nuk do të kenë mundësinë që sot të votojnë në zgjedhjet parlamentare që kanë nisur nga ora 07:00, njofton Insajderi.

Kështu bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë, në një përditësim të ditës së djeshme.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, ka deklaruar se çdo qytetar që do të paraqitet në qendrën e votimit nuk do të kthehet pa votuar, pasi nuk kanë mekanizma për të verifikuar nëse janë të infektuar apo jo, por nëse konstatohen se janë me COVID dhe kanë dalë nga banesa duke thyer karantinën është policia që merr masat sipas aktit normative, raporton ‘abcnews’.

Në këto zgjedhje nuk kanë të drejtë vote as shqiptarët që janë kthyer nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut gjatë ditëve të fundit, pasi janë detyruar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve që të qëndrojnë 14 ditë në karantinë.


09:15 – Voton Monika Kryemadhi


 09:00 – Albin Kurti voton në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri


08:30 – Rama: Të tregojmë sot se përtej partive politike për ne është Shqipëria

Në ditën kur po mbahen zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, kryeministri i këtij vendi, Edi Rama, thotë se së bashku duhet treguar se përtej ndasive dhe partive politike, për ata është Shqipëria, e cila duhet respektuar me mirësjellje shembullore, njofton Insajderi.

Rama me anë të një shkrimi në Facebook, tha se qytetarët duhet të shprehin bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit.

“Le ta tregojmë sot të gjithë së bashku, se përtej partive e dasive për ne është Shqipëria dhe le t’i shprehim bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit, në këtë ditë të shënuar të bashkëjetesës sonë demokratike, ku çdonjëri duhet ta gëzojë i patrazuar të drejtën e votës së lirë e të fshehtë, e prej ku Shqipëria duhet të dalë kryelartë për ne të gjithë”, ka shkruar Rama.

Qytetarët shqiptarë sot iu drejtohen kutive të votimit për zgjedhjen e deputetëve për katër vitet e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë.


07:00 – Nis votimi në Shqipëri

Qytetarët e Shqipërisë sot iu drejtohen kutive të votimit për zgjedhjen e deputetëve për katër vitet e ardhshme në Kuvendin e Shqipërisë, transmeton Insajderi.

Për 140 vende në Parlamentin shqiptar garojnë një mijë e 841 kandidatë nga 13 parti, koalicione apo të pavarur, ku prej tyre 39.76% ose 732 janë kandidate femra.

Identifikimi elektronik është një nga risitë e këtij procesi zgjedhor në Shqipëri. Kjo do të aplikohet në të gjithë vendin, ndërsa do të parandalojë edhe mundësinë për votim të dyfishtë.

Një risi tjetër gjatë këtyre zgjedhjeve janë kamerat në çdo qendër të votimit, raporton KP.

Në rast problematikash ato do të jenë një provë e mëtejshme për garantimin e sigurisë së procesit dhe ndjekjen e incidenteve.

Ndryshe nga Kosova që është një zonë zgjedhore, Shqipëria është e ndarë në 12 zona zgjedhore që përkojnë me ndarjen territoriale të qarqeve dhe në secilën prej këtyre zonave është e përcaktuar një numër i caktuar mandatesh.

Qarku i Tiranës ka numrin më të madh të mandateve ku partitë luftojnë për 36 ulëse.

Qarku i Fierit ka 16 mandate, Durrësi dhe Elbasani me nga 14 mandate, Vlora me 12 mandate, Shkodra dhe Korça me nga 11 mandate, ndërsa qarku i Beratit dhe ai i Lezhës kanë nga 7 mandate secila. Qarku i Dibrës me 5 mandate, i Gjirokastrës me 4 dhe i Kukësit me 3 kompletojnë 12 zonat zgjedhore dhe 140 ulëset në Kuvendin e Shqipërisë.