Kult

LIN – “M0N AMOUR” Një atelie për artistët figurativë në Lin të Pogradecit

Ylli Drishti* – Kush udhëton drejt juglindjes s

Ylli Drishti* – Kush udhëton drejt juglindjes së vendit pasi kalon buzë Shkumbinit, në luginat mes maleve të zonave të Elbasanit, Librazhdit, Përrenjasit dhe ngjitet në Qafë-Thanë, do të gjendet i befasuar sapo fillon zbritjen drejt qytetit të Pogradecit nga pamja që do shfaqet para tij. Tashmë është bërë traditë që në një sheshpushim gjatë zbritjes së Qafë-Thanës të ndalohet për të shijuar pamjen që të mahnit në çdo stinë të vitit. Para teje shtrihet madhështor liqeni i Pogradecit dhe aty poshtë nën këmbët e tua shfaqet fshati Lin, që duket sikur e ka mbështjellë me shtëpitë e shumta anën veriore të gadishullit që hyn thellë në liqen. Fshati Lin nga ky vendqëndrim ka tërhequr mjaft piktorë e fotografë profesionistë, që e kanë dokumentuar me mjaft mjeshtëri magjinë e këtij peizazhi piktoresk. Nuk ndodh të ndalosh aty dhe të mos e fotografosh këtë pamje si kujtim i udhëtimit tënd, apo dhe për turistët e shumtë që ndalojnë të admirojnë këtë pamje mahnitëse në çdo stinë të vitit.
Fshati Lin i vendosur buzë liqenit ka mbi “krye”, mbi kodrën që ngrihet sipër tij, një thesar të rrallë të trashëgimisë kombëtare: “Mozaikun Paleokristian të Bazilikës së Linit” (shek. V-VI). Shtëpitë e fshatit Lin ndodhen në të dyja anët e rrugës së shtruar këto vitet e fundit me kalldrëm që përshkon të gjithë fshatin. Shtëpitë buzë liqenit kanë privilegjin të krijojnë një brez të bukur ndërtimesh 2-3-katëshe që reflektojnë mbi liqenin me ujin e kristaltë.
Çdo shtëpi e këtij brezi ka dhe varkën e tij. Lini është pjesë e “Programit të 100 fshatrave”, i cili synon të krijojë për herë të parë modelin e suksesit në zhvillimin e integruar rural të vendit, sipas standardeve më të mira evropiane.
Mendoj se fshati Lin sigurisht që do të transformohet si imazh arkitektonik, duke ndërhyrë estetikisht në fasadat dhe muret rrethuese të banesave, në trajtimin e portave të shtëpive që vijnë njëra pas tjetrës – dhe fshati do marrë një pamje tjetër, që sigurisht do ta bëjë atë më atraktiv për vizitorët dhe turistët. Banorët e Linit do kenë, besoj, përveç bujtinave, edhe një treg të vogël e të mbuluar modern për të tregtuar normalisht produktet e tyre bujqësore, larg rrugës nacionale, siç i tregtojnë akoma dhe sot. Por kjo i takon projektit të Bashkisë Pogradec, e cila besoj se i ka menduar në Projektin e ridimensionimit të këtij thesari kulturor.
Duke parë dhe vizituar me kujdes faqen promovuese të Projektit të 100 fshatrave, vërej se përveç bukurive natyrore që secili fshat ofron, kulinarisë së pasur të kuzhinës rajonale shqiptare të bujtinave, shëtitjeve me kuaj apo dhe udhëtimeve në këmbë në grup për të zbuluar vende të veçanta si shpella, ujëvara etj., mungojnë programet gjithëvjetore artistike dhe kulturore. Kjo mangësi më shtyu të ofroj një propozim ambicioz për t’u realizuar në fshatin Lin të Pogradecit, që ka disa avantazhe si nga pikëpamja e bukurisë natyrore, por edhe të trashëgimisë kulturore unikale, siç është Mozaiku i shekullit VI, ushqimit të veçantë me peshkun koran dhe urbanistikës së një fshati që shtrihet butësisht buzë liqenit
Do të propozoja që në fshatin Lin të ketë një jetë artistike gjithëvjetore sipas një programi që do të hartohej nga fondacioni “Lin Mon Amour”.
Në fshatin Lin do të duhet të ndërtohet një atelie për artistët figurativë, të kthehet në shtëpi-muze banesa e piktorit autodidakt 70-vjeçar nga Lini, Guri Bulollari. Por si do të bëhej i mundur krijimi i një atelieje për artistët figurativë në fshatin Lin?
Me fondin e 100 fshatrave të blihen fillimisht 1 apo dhe 2 shtëpi që aktualisht ka në shitje në fshat dhe ato të shërbejnë si ambiente akomoduese për artistët dhe në oborrin e tyre të ndërtohen nga një sallë ekspozuese në formën e një galerie modeste arti. Fillimisht në këto salla mund të realizohet një ekspozitë me punimet e piktorëve të Pogradecit, si: Anastas Kostandini (Taso), i cili ka në fondin e tij mbi 300 piktura dhe me qindra vizatime kushtuar Linit; piktorit Vangjo Vasili, i cili është piktori magjik i liqenit të Pogradecit, dhe një koleksion me veprat e piktorit Skënder (Gjergji) Lako, një piktor dhe grafist brilant.
Fondacioni “Lin Mon Amour” do ta drejtojë dhe menaxhojë këtë organizëm arti dhe kulture që do i shërbente gjallërimit të jetës artistike dhe kulturore kryesisht në fshatin Lin, por edhe vizitorëve të shumtë të tij. Ai do të fokusohet në krijimin e një programi veprimtarish artistike dhe kulturore në disa drejtime, si: Organizimin e Kolonive të artit për artistët shqiptarë dhe të huaj. Njëherësh, mund të bëhet organizimi i ekspozitave të ndryshme personale dhe në grup për artistët shqiptarë dhe të huaj, veçanërisht gjatë sezonit turistik; organizmi i koncerteve të ndryshme të muzikës klasike; organizimin e kurseve gjatë sezonit turistik për: grafikë, vizatim, pikturë, dizajn, mozaik etj. për fëmijët e fshatit Lin, fëmijët e turistëve të ndryshëm që akomodohen në bujtinat dhe hotelet, por edhe për grupmosha të ndryshme.
Realizimin e praktikave mësimore për studentët e Universitetit të Arteve Tiranë apo dhe të studentëve të akademive të vendeve fqinje dhe atyre europiane.
Për të gjitha këto, me vend do të ishte krijimi i një fondacioni, me një emër, si “Lin Mon Amour”, që do të krijohej nga dëshira për t’i dhënë një fshati të vogël shqiptar si Linit një vizion artistik në shërbim të banorëve të saj, të zhvillimit të turizmit kulturor dhe të jetës artistike dhe kulturore jashtë qyteteve të mëdha. Do të mund të drejtohej nga drejtori i saj artistik dhe bord prej 5 personalitetesh arti dhe kulture (dy kuratorë dhe studiues arti, një jurist dhe dy biznesmenë dashamirës të artit). Bordi miraton programin vjetor dhe pranë tij mund të ketë edhe një Bord Miqsh, që do të ishte me funksionin e mbështetësve financiarë pjesorë të programit të miratuar nga Bordi Artistik.
Do të ishte mirë të ishte një fondacion arti me qëllim promovimin, ekspozimin e vlerave më të mira kombëtare dhe ato botërore, me mbështetjen e bashkisë, komunës së Hudënishtit dhe atë të Ministrisë së Kulturës dhe të vendeve të Bashkimit Europian e më gjerë.
Një fondacion do të synojë ta kthejë zonën në një Qendër Rajonale Arti në shërbim të studentëve të artit, artistëve, kuratorëve dhe çdokujt që dëshiron të marrë pjesë sipas programeve të veçanta. Krijimi i ateliesë për artistët figurativë do ketë funksione didaktike dhe artistike. Ajo do jetë si një atelie e madhe akomoduese dhe krijuese për artistët shqiptarë dhe të huaj që do u krijojë kushte komode për realizmin e veprave të artit në kushte optimale jashtë studiove tradicionale personale. Në këtë atelie krijuese do të zhvillohen kurse artistike për fëmijët e fshatit Lin të të gjitha moshave.
Në ambientet e kësaj atelieje të hapur arti çdokush mund të jetë prezent gjatë punës krijuese të çdo artisti pjesëmarrës. Çdo pjesëmarrës në Programin e Ateliesë në formën e një kolonie Arti apo dhe të ftuar të veçantë, në fund para largimit do të lërë në fondin e fondacionit një ose dy punime të tij (dhuratë). Me këto vepra gradualisht do të krijohet fondi i përhershëm publik i këtij Fondacioni, që do jetë i ekspozueshëm në njërën nga dy sallat e Ateliesë.





Reklamo bizensin tuaj ketu


Fshati Lin ka dhe një banor të veçantë, ai është piktori i fshatit Lin dhe quhet Guri Bulollari. Ai është një piktor i veçantë, autodidakt, pasi nuk ka mbaruar asnjë shkollë artistike, por gjithë jetën ka pikturuar sipas mënyrës së tij, që i vlerësuar sipas kritikut italian Vittorio Zgarbi: “…është i fundit piktor naiv në botë…”. Duke pikturuar si fëmijë, edhe tashmë në moshën mbi 70-vjeçare Bulollari mbetet një rast unik në kulturën artistike në Shqipëri dhe mendoj se një kat i shtëpisë së tij mund të transformohet në ambiente ekspozimi të punimeve të tij, me statusin e një shtëpie-muze, e cila mund të vizitohet. Pjesa tjetër e shtëpisë i lihet Gurit për të jetuar dhe krijuar.
Shembuj të suksesshëm të bashkëpunimit dhe mbështetjes financiare të projekteve artistike nga ana e bashkive dhe Ministrisë së Kulturës nuk mungojnë në Shqipëri. Për disa vite me radhë, duke filluar nga viti 2008-2016, në Korçë u zhvillua Simpoziumi Ndërkombëtar i Skulpturës, që u kurorëzua me krijimin e një koleksioni publik me mbi 50 vepra arti të artistëve ndërkombëtarë të realizuara në materiale të forta (mermer dhe gur), që tashmë janë pjesë e Parkut Rinia të qytetit. Ishte artisti Genti Tavanxhi, kuratori dhe organizatori i kësaj veprimtarie ndërkombëtare që zhvillohej çdo verë në Korçë. Por në Korçë vazhdon të zhvillohet çdo vjeshtë, veprimtaria “Ditët e Mios”, me artistë nga e gjithë Shqipëria dhe të ftuar nga vendet fqinje. Në Shqipëri ka nisma private për zhvillimin e Kolonive të Artit, nga Koleksionistë, Arkitektë dhe biznese të ndryshme, por koleksionet e krijuara nga këto nisma janë private dhe mbeten të mbyllura për publikun.
Në fakt, artet pamore e krijuan “Shtëpinë e tyre” – Galerinë e Arteve Figurative, në Tiranë (sot Galeria Kombëtare e Arteve) në mesin e shekullit XX (1954), e më vonë rreth viteve 1970-1980 çdo qytet krijoi dhe Galerinë e Artit të qytetit. Artet pamore nuk janë si muzika, që mund ta dëgjosh dhe shijosh kudo: në shtëpi, makinë, duke ecur, në kufje, në celular etj. Artet pamore (piktura) kanë privilegjin të shijohen brenda një qetësie “personale”, në sallat e Galerive të Arteve, në ekspozita e panaire arti. Ne, Shqipëria, në edukimin artistik të brezit të ri ndofta jemi vendi i fundit në Europë që vendosi në programet mësimore Historinë e Arteve. Deri në vitin 2006 në shkollat tona të arsimit 8-9 vjeçar zhvillohej vetëm lënda e vizatimit. Nga viti 2006 e në vazhdim në shkollat 9-vjeçare u vendos lënda “Histori Arti”, ku merreshin njohuri të përgjithshme për muzikë, arte, balet dhe teatër. Nga viti 2014, në shkollat e arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm zhvillohet lënda e Arteve Pamore si lëndë e veçantë.
Fondacioni “Lin Mon Amour”, duke u mbështetur në eksperiencën më të mirë të veprimtarive të ngjashme si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj, synon të krijojë një strukturë që do t’i shërbejë komunitetit gjatë gjithë vitit, me synimin e krijimit të një strukture moderne të edukimit artistik gjithëvjetor. Ai synon, veç të tjerash, edhe krijimin e një koleksioni veprash arti publike që do të ekspozohen dhe qëndrojnë në fshatin Lin. Besoj se do të ndikojë fuqimisht në modernizimin, pasurimin dhe transformimin e mentalitetit ndaj artit dhe artistëve figurativë.
*Studiues dhe kurator arti