Lajme

Limaj: Duam që e vërteta e Kosovës të rikthehet fuqishëm në arenën politike

NISMA Socialdemokrate sot ka bërë prezantimin e kandidatëve për deputetë në Kuvend të Kosovës për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Në këtë takim, para kandidatëve për deputet ka folur kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ku tha se është nder i madh për secilin kandidat të Nismës të jetë kandidat për parlament të Republikës së Kosovës, Republikës sonë që me mund e sakrificë është ndërtuar fal kontributit të shumë brezave.

“Nuk ka gjë më të rëndësishme për ne, së sa të dalim të takojmë njerëz e të kërkojmë mbështetjen e bashkëluftëtarëve për realizimin e ëndrrës sonë të madhe, për një Kosovë të lirë e me vlera”.

Limaj ka kërkuar nga të pranishmi që të mos bien pre e propagandës ditore, të atyre që kanë për mision shkatërrimin e humbjen e vlerës së çdo hapi pozitiv që është bërë në vendin tonë.

“Objektivi ynë është që ne si Nismë të luftojmë që të fitoj kauza jonë, angazhimi ynë ditor është që të kemi një zë të fuqishëm për këtë kauzë, sepse me fitoren e kauzës sonë nuk fiton veç aktivisti ynë, por fiton çdo qytetar i Kosovës, dhe ky është dallimi ynë me të tjerët”.

Lideri i Nismës, po ashtu, ka thënë se, ne kemi dallime esenciale me të tjerët, sepse për ne trashëgimia jonë çlirimtare është themeli i shtetit të Kosovës, dhe do ta birojmë fuqishëm sepse ndihemi krenar me të, ne duam që e vërteta e Kosovës të rikthehet fuqishëm në arenën politike brenda dhe jashtë në agjendën diplomatike, ne asnjëherë nuk lodhemi për të vërteten dhe historinë tonë.

“Dje në vijat e frontit mbrohej me luftë liria, dinjiteti, krenaria dhe emri i UÇK-së, të vlera të cilat u sulmuan nga forcat serbe, ndërsa sot, liria dhe UÇK po sulmohet në mendjet dhe zemrat e qytetarëve tanë, prandaj ne jemi ata që po angazhohemi fuqishëm që mos të lejojmë të ndodh një sulm i tillë që dëmton vendin dhe vlerat tona”.

Kreu i NISMA-s tutje tha se, angazhimi ynë është për mbrojtjen e vlerave më sublime të historisë sonë, vlera për të cilat sot përfaqësuesit e kësaj historie janë në Hagë, ndërsa të tjerët na flasin për rimëkëmbje, pra, ata flasin kështu sepse ata e kanë humb rrugën, flasin kështu sepse ata janë rritur politikisht me kalkulime.

Ai ka bërë thirrje për tu bashkuar për betejën e radhës, që më 14 shkurt ta shijojmë fitoren dhe mundësinë për të vazhduar në shërbim të vendit, sepse ne besojmë në angazhimin tonë për të shkuar të objektivi jonë, sepse kjo është rruga jonë e drejtë për ta mbrojtur e për ti shërbyer vendit.

“Çdo djalë e vajzë që ka pas veshë uniformën e UÇK -së sot fytyra e tyre është në Hagë, sepse atje sot janë vet historia jonë, prandaj duhet të ngritemi fuqishëm, në mënyrë që vlerat tona kombëtare ti mbrojmë me një zë sa më të fuqishëm në Parlament”.

Gjithashtu, në këtë prezantim foli edhe sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, i cili foli për mungesën e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Jakup Krasniqi, i cili aktualisht ndodhet në Hagë.

Sherifi ka thënë që është jetike që t’i mobilizojmë forcat tona, që fryma, programi e themelet që ia kanë vënë kësaj partie, Krasniqi e Limaj t’i çojmë përpara dhe që zëri ynë të dëgjohet sa më fuqishëm në Parlament.

“Jemi ne këtu dhe mijëra mbështetës tanë anekënd Kosovës, që do ta përcaktojnë fatin e Nismës në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe askush tjetër, prandaj le të vazhdojmë të shkojmë derë me derë të çdo qytetarë i Kosovës dhe të kërkojmë mbështetje për Nismën Socialdemokrate, që të jetë pjesë e legjislaturës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës”.

Kujtojmë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e ka certifikuar NISMA-n si subjekt garues në zgjedhjet e 14 shkurtit.